Lajm18 Jun 2019

Trupa gjykuese e pa plotësuar, shtyhet sërish gjyqi i Shullazit

Prej janarit të këtij viti Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda nuk ka mundur të zhvillojë asnjë seancë ndaj Emiliano Shullazit dhe të akuzuarve të tjerë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Forca të shumta policie rrethuan Gjykatën e Krimeve të Rënda para një prej seancave ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij. Foto:Edmond Hoxha/BIRN

Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për pranimin e kërkesës së të pandehurit Blerim Shullazi për përjashtimin e kryesueses së trupës gjykuese, Saida Dollani, në çështjen ndaj tij, e ka bërë të pamundur formimin e kolegjit. Për pasojë kjo solli shtyrjen e seancës për herë të dymbëdhjetë të martën.

Gjyqtaret Albana Boksi dhe Etleva Temo u paraqitën në sallën e gjyqit 25 minuta me vonesë. Gjyqtarja Boksi u shpreh se vonesa kishte si shkak një anagazhim profesional dhe faktin se kolegia e saj vinte nga një gjykatë tjetër.

Në sallë ishin të pranishëm katër nga të pandehurit Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Ndërsa i pandehuri Emiljano Shullazi ka paraqitur deklaratë se nuk do te merrte pjesë. Gjatë seancës së të martës nuk ishin të pranishëm as avokatët mbrojtës.

Gjyqtaria Albana Boksi konstatoi pamundësinë e  zhvillimit të seancës gjyqësore për shkak të mosformimit të trupës. Ajo u shpreh se gjykata ka njoftuar Këshillin e Lartë Gjyqësorë për këtë situatë, por se ende nuk ka marrë njoftim për plotësimin e trupës gjykuese.

Në këto momente ka ndërhyrë i pandehuri Gilmando Dani i cili i ka thënë gjyqtares Albana Boksi se edhe ajo duhej të tërhiqej. “Është në të mirën tuaj të jepni dorëheqjen se keni gjykuar edhe Vollgën. Edhe të tjerët që e kanë gjykuar atë çështje e kanë dhënë dorëheqjen. Nëse dorëhiqeni do të bëni të mundur të zhbllokoni edhe procesin”, tha ndër të tjera i pandehuri Dani.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për në datën 24 qershor, ora 11:00. Kjo është seanca e 12 në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda që dështon të zhvillohet.

Më 6 qershor mungesa e avokatëve të caktuar kryesisht solli moszhvillimin e seancës gjyqësore. Ndërkohë edhe në atë seancë u bënë ndryshime në trupën gjykuese. Kryesuesja njoftoi pranimin e kërkesës për dorëheqje të gjyqtares Valdete Hoxha. Këshilli i Lartë Gjyqësor e zëvendësoi gjyqtaren Hoxha me kolegen e saj Etleva Temo.

Gjatë kësaj seance i pandehuri Gilmando Dani i kërkoi kryesues Saida Dollani që të dorëhiqej duke i thënë se vetëm kështu mund të zhbllokohej procesi. “Ti e di shumë mirë se çfarë i ke thënë kushëririt tënd E.D.”, i tha Dani kryesueses Dollani, e cila rezulton se është larguar prej procesit.

Emiljano Shullazi u dënua në 13 nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata e Krimeve të Rënda së bashku me katër të akuzuar të tjerë për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal. Në total gjykata dha 55 vjet burg; 14 vjet për Shullazin, 12 vjet për krahun e tij të djathtë, Gilmando Dani, nga 10 vjet për Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën dhe 9 vjet për Blerim Shullazin.

Pas nisjes së gjykimit në Apelin e Krimeve të Rënda në 21 janar të këtij viti, ka qenë e pamundur që të procesi të vijojë rregullisht. 12 seanca gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve apo si pasojë e shkarkimit nga detyra të ish-kryesuesit Fehmi Petku nga vetingu si dhe largimit të gjyqtarëve Sokol Binaj, Nure Dreni, Saida Dollani dhe Valdete Hoxha, pasi kishin shqyrtuar çështje të tjera me të pandehurit.