Pushuesit nga vendet e Lindjes që kanë zgjedhur plazhet në jug të Durrësit, pritet ta gjallërojnë jetën e qyteti bregdetar edhe në dy muajt e ardhshëm.
Trafiku i automjeteve në rrugët e qytetit bregdetar është lehtësuar disi, ndërsa temperaturat e ajrit gjatë fundjavës së kaluar u ulën me disa gradë Celsius.
Që prej dy javësh, mijra pushues vendas dhe të huaj janë larguar çdo ditë me tragete për në vendet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë.
Qindra të tjerë i janë drejtuar pikës kufitare të Morinës në veri të vendit, sidomos pas vendimit të qeverisë kosovare për shtrëngimin e masave shëndetsore në kufi.
Në shtëpitë e familjeve që banojnë në plazhin tradicional pushuesit nuk kanë munguar, por meraqet e kthimit drejt vendeve të origjinës mbeten.
“Edhe ne e kemi merakun e kthimit në Tetovë, pasi që nga 1 shtatori në kufirin me Maqedoninë e Veriut do të kërkohen testet e COVID-19, ose dëshmitë e vaksinës,” tha për BIRN, Bedri Vala, i cili prej katër ditësh pushon në Durrës, së bashku me bashkëshorten, Emrijen.
“Na pëlqen të qëndrojmë në Durrës edhe ditët e para të shtatorit, por vendimin për datën e kthimit ende nuk e kemi marrë,”shtoi Bedriu.
Ata u sistemuan shpejt në një banesë, pranë rrugës Durrës-Plepa, nga e cila ishin larguar 6 familje të strehuara me qira për disa ditë.
Majlinda Sala, banore në zonën e njohur si “Apollonia”, tha për BIRN se katër nga dhomat që ajo ofron me qira u zunë përsëri brenda pak orësh.
Sipas saj, zakonisht sezoni i pushimeve në plazh nuk zgjat më shumë se periudha 15 korrik-20 gusht, “por moti është i mirë dhe pushues ka patur mjaft”.
“Sot në mëngjes disa nga pushuesit kosovarë më thanë se do të largohen, pasi nuk e dinë se si do të shkojë situata në kufi,” shtoi Majlinda.
Indriti, i vëllai, që menaxhon ambjentet e shtëpisë shprehet i kënaqur me frekuentimin e plazhit gjatë këtij sezoni, duke i konsideruar tashmë pushuesit kosovarë si “njerëzit e shtëpisë”.
“Unë mendoj se ata nuk janë turistët e zakonshëm, pasi jo vetëm janë mysafirë në Durrës që prej 20 vitesh,” shprehet Indriti.
Shumë prej pushuesve nga Kosova kanë blerë apartamente në lagjen e plazhit, ndërsa nuk janë të pakët ata që administrojnë biznese tregtie me pakicë apo bare dhe restorante.
Ndryshe nga shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës që po kthehen në shtëpi në fund të gushtit, pushuesit nga Europa Lindore pritet të qendrojnë më gjatë.
Hotelet e së njejtës zonë – 3-4 kilometra larg Durrësit, gjatë kësaj vere janë prenotuar nga pushues nga Bosnje Hercegovina, si dhe nga Çekia e Polonia, por numrin më të madh e kanë zënë serbët.
“Në katër hotelet e të njejtit zinxhir, ku unë punoj, serbët dhe turistët e tjerë do të qëndrojnë me grupe deri në fund të muajit shtator,” tha Fred Spiro për BIRN, duke kujtuar se qëndrimet e tyre 7 deri në 10 ditore kanë filluar që në qershor të këtij viti.
Sipas Fred Spiros, nëse 2-3 vite pushuesit serbë erdhën për tu njohur sadopak me mjedisin, ndërsa këtë verë numri i tyre ishte mjaft i madh dhe sipas agjencive turistike prenotimet për vitin e ardhshëm pritet të shtohen.
Turistët nga vendet e Lindjes, do të jenë të pranishëm në plazhet e Durrësit, të paktën edhe një muaj tjetër.
Që nga muaji qershor, pandemia dhe kufizimet nuk e kanë penguar ardhjen masive të tyre, gjë që nuk ndodhi me grupet e vizitorëve nga vendet perëndimore.
Në vitin 2019, qytetet historike të vendit tonë, përfshirë edhe Durrësin njohën një rritje të menjëhershme të interesit, veçanërisht nga turistët e Italisë fqinje.
“Vizitat e tyre u ndërprenë vitin e kaluar në kulmin e pandemisë nga COVID-19,” shpjegoi eksperti i turizmit, Edmond Basho.
Kufizimet dhe kërkesat e shumta që aplikoi BE edhe këtë vit për lëvizjen e qytetarëve të saj drejt vendeve si i yni i dhanë drejtim tjetër trendit pozitiv që po krijohej në sektorin e turizmit.
Tashmë peshën kryesore të të ardhurave në hapësirën turistike në bregdetin e Durrësit dhe Kavajës e mbajnë turistët nga vendet e Lindjes europiane.
Ata konsiderohen një realitet i qendrueshëm i kësaj zone që prej pesë vitesh, dhe sipas specialistëve do të popullojnë plazhet e Durrësit edhe për disa sezone të tjerë.
Ditët me diell dhe plazhet e Adriatikut vazhdojnë ti joshin këto grupe, pa harruar çmimet e favorshmme të pushimit në hotele.
Sipas të dhënave nga hotelet, pushimet e tyre do të vijojnë edhe për disa javë.
“Më shumë se të gjithë pritet të vazhdojnë pushimet grupet e ardhura nga Ukraina, të cilat gjatë dy muajve të fundit kanë sjellë çdo javë rreth 10 avionë charter me turistë,” tha Basho.
Basho shton se turistët e huaj të këtij sezoni kishin prenotuar që në vitin 2019, por kufizimet e krijuara pas pandemisë nga COVID-19 i bllokuan pjesërisht ardhjet në Durrës gjatë vitit të kaluar.
Sipas ekspertit Basho, kompanitë turistike dy vjet më parë kishin kryer paraprakisht edhe një pjesë të pagesave për hotelet në pjesën jugore të gjiut të Durrësit.
Mbi bazën e kontratave, këto pagesa u përdorën kryesisht si investime për restaurime dhe përmirësimin e shërbimeve.
Gjatë shtatorit e tetorit në hotelet Golemit dhe Malit të Robit do të jenë edhe grupe të tjera turistike me qëndrime 1 apo 2-javore në Durrës.