Blog24 Aug 2021

Turizmi ka fshirë kufijtë administrativë mes Durrësit e Kavajës

Metropoli bregdetar turistik Durrës – Kavajë është një realitet biznesi i dukshëm edhe pse i pashpallur zyrtarisht. Ai funksionon prej vitesh si i tërë, përtej emërtesave administrative.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Foto ajrore e çadrave dhe disa pushuesve duke marrë rreze dielli në shezllone në plazhin e Durrësit, | Foto : LSA

Rrethi i Kavajës u krijua në vitin 1992 pas ndarjes në dy pjesë të rrethit të Durrësit, dhe vetëm pak vite më vonë, në vitin 2000, ai iu bashkua Tiranës në të njëjtin qark me të duke i “dhënë” kryeqytetit një dalje në det.

Në të njëjtën kohë, rrethit të Durrësit iu bashkëngjit Kruja, duke i vështirësuar administrativisht marrëdhëniet tradicionale mes dy qyteteve bregdetare, që kishin bashkëjetuar për më shumë se 40 vjet në të njëjtin rreth.

Por ndarja administrative nuk ka marrë parasysh gjeografinë, hartën e rrugëve dhe ekonominë e zonës.

Aktualisht udhëtimi nga Durrësi për në Krujën e të njëjtit qark, kalon nga Vora, pjesë e Tiranës. Ndërsa për të shkuar në Tiranë nga Kavaja, duhet t’i drejtohesh Durrësit. Autostrada dhe rruga e Ndroqit, të çojnë në kryeqytet, vetëm po kalove nga Durrësi.

Nga ana tjetër metropoli bregdetar turistik Durrës – Kavajë është një realitet biznesi i dukshëm edhe pse i pashpallur zyrtarisht. Ai funksionon prej vitesh si i tërë, përtej emërtesave administrative që shpesh herë kanë thjesht vlerë publicitare.

Një prej tyre ishte Durana, që synonte të bënte bashkë hapësirën ekonomike të dy qyteteve më të mëdha të vendit, Tiranës dhe Durrësit, me Kavajën të paketuar mes tyre.

Por ndërsa kjo është ende larg, 80 kilometra vijë bregdetare, 62 të Durrësit dhe 18 km të Kavajës, prej kohësh i kanë fshirë kufijtë administrativë dhe funksionojnë sëbashku.

Shkëmbimet intensive turistike mes dy qyteteve janë mjaft të dukshme.

Përballë gjirit detar të Durrësit, në territorin e të dy bashkive janë ngritur gjatë 20 viteve të fundit dhjetëra hotele me kapacitete deri në 300-400 shtretër secili ku tashmë bashkë me vendasit dhe shqiptarët e Kosovës pushojnë mijëra turistë, kryesisht nga vendet e Evropës Lindore.

Gjatë kësaj vere, kur kufizimet nga pandemia prej Covid-19  vareshin nga vendimet e qeverive respektive, Shqipëria lehtësoi hyrjen në vendin tonë për shtetas nga Çekia e Ukraina, Polonia e Bosnja, Serbia e Maqedonia, të cilët zgjodhën në shumicë të pushonin në bregdetin e dy qyteteve të Shqipërisë Qendrore.

Plazhet e pushimeve masive për të huajt ndodhen kryesisht në Golem, Malin e Robit dhe Qerret, toponime të njohura turistike tashmë në territorin bregdetar të Kavajës, ndërsa plazhi tradicional i Durrësit deri në Plepa vazhdon të popullohet kryesisht nga pushues vendas dhe nga Kosova.

Sistemi i hotelerisë funksionon pa asnjë lloj ndasie dhe veçanërisht në stinën e verë askush nuk e kupton se Përroi i Agait, vetëm 9 km në jug të Durrësit, është kufiri administrativ mes dy bashkive të njohura.

Madje edhe mediat e emërtojnë të gjithë hapësirën si plazhe të Durrësit.

Zyrtarisht, dihet vetëm se bashkitë e dy qyteteve janë përkatësisht pjesë e qarkut Durrës dhe atij Tiranë, dhe se me ndarjen e fundit territoriale janë bashkitë ato administrojnë të gjithë vijën bregdetare.

Por shoqatat e operatorëve turistikë dhe ata të hotelerisë, megjithë problematikat e veprimtarisë së tyre, i kanë bashkuar në të njëjtin organizëm menaxherët e hoteleve që ndodhen në dy bashki të ndryshme.

Ndërkohë prej disa vitesh, megjithëse i përkasin përkatësisht qarkut të Durrësit dhe Tiranës, pjesa më e madhe e shërbimeve institucionale kryhen në qytetin bregdetar.

Kjo i ka lehtësuar pjesërisht diferencat mes dy qyteteve dhe në të njëjtën kohë i ka afruar zgjidhjet e përbashkëta mes tyre.

Shërbimet e institucionit të Tatimeve për Kavajën nuk ndodhen në Tiranë, sipas logjikës së qarkut, por kryhen në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Durrësit, e cila ka edhe një filial shërbimi në Kavajë.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe për drejtuesit e automjeteve, të cilët i drejtohen zyrtarisht Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit në Durrës.

Kështu duket se të dy qytetet po i rikthehen lidhjeve tradicionale, përmes një interesi ekonomik të përbashkët: turizmit.

Edhe pse prej tre dekadash të dy qytetet jetojnë administrativisht të ndarë, sektori i turizmit bregdetar ka dhënë shembullin se letrat kanë shumë pak rëndësi përballë realitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *