Turizmi është jetik për rimëkëmbjen ekonomike të Kroacisë nga COVID-19, por ata që bëjnë punë verore në bregdet thonë se janë të mbingarkuar me punë dhe se paguhen shumë pak.
Pas vitit 2020 katastrofik, sektori i turizmit në Kroaci është rimëkëmbur në vitin 2021, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Por ndërkohë që ky përmirësim ka ndihmuar bizneset dhe arkën e shtetit, ai ka sjellë një barrë të rëndë për punëtorët sezonalë të cilët janë të pakët në numër dhe që ankohen për paga të ulëta dhe orë të gjata pune.
Duke përbërë përafërsisht një të pestën e prodhimit ekonomik, turizmi është jetik për ekonominë kroate. Vitin e kaluar, kur nisi pandemia e COVID-19, e cila solli mbylljen e bizneseve dhe kufijve, turizmi thuajse u përgjysmua në krahasim me vitin 2019, duke e çuar këtë sektor në nivelet e dy dekadave më parë.
I pasigurt se çfarë të priste këtë vit, sektori u tregua i kujdesshëm kur bëhej fjalë për punësimin dhe kështu u gjet i papërgatitur kur turistët – të dëshpëruar për dy javë diell dhe det – mbushën bregdetin Adriatik të Kroacisë.
Drejtuesit e sindikatave, megjithatë, thonë se ata që punojnë në këtë industri po trajtohen në mënyrë të padrejtë, pavarësisht nga një përmirësim i përgjithshëm në akomodimin e punonjësve.
“Përveç investimit në objekte, punëdhënësit duhet të investojnë edhe te njerëzit”, tha Eduard Andric, kreu i Sindikatës së Turizmit dhe Shërbimeve të Kroacisë, STUH. “Turizmi shpëtoi ekonominë e Kroacisë dhe kjo u bë nga njerëz pagat e të cilëve janë jashtëzakonisht shumë të ulëta.”
Mungesë e fuqisë punëtore
Vetëm në shtator, pothuajse dy milionë turistë vizituan Kroacinë, sipas Bordit Kombëtar Turistik të Kroacisë. Me 12 milionë qëndrime një natë muajin e kaluar, qarkullimi arriti në 94 për qind të nivelit të regjistruar në shtator 2019.
Por jo të gjitha shifrat ishin kaq premtuese.
Të pasigurt se çfarë të prisnin, bizneset morën më pak punëtorë se normalisht përpara verës, duke lënë kështu një barrë të madhe për ata që u punësuan.
Andric tha se shumë nga ata që kanë punuar më parë në turizëm dhe hoteleri u larguan për në sektorë të tjerë si ndërtimi, gjë e cila solli një mungesë të fuqisë punëtore.
Punëdhënësit u përpoqën të mbyllnin boshllëqet me punëtorët e huaj, por disa u ankuan për probleme me komunikimin.
“Problemet e zakonshme janë gjuha dhe komunikimi mes vetë punëtorëve”, tha Andric për BIRN.
Nga data 1 janar deri më 1 shtator, në Kroaci janë dhënë 52,873 leje qëndrimi dhe pune për shtetas të huaj. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesë më e madhe e tyre janë dhënë për shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës (20,232), Serbisë (9,829), Kosovës (5,001), Maqedonisë së Veriut (4,361) dhe Nepalit (2,388).
Nga numri i përgjithshëm, 13,837 nga këto leje janë dhënë për të punësuarit në hoteleri dhe turizëm.
Andriç tha se ata që punonin në turizëm, kroatë apo të huaj, në përgjithësi janë paguar keq dhe janë ngarkuar me shumë punë.
“Nëse rrogat nuk rriten, nuk do të mbetet më njeri për të punuar gjatë sezonit turistik”, tha ai.
Paga të ulëta, orë të gjata pune
Në një sondazh të kryer nga sindikata Novi Sindikat dhe që do të publikohet më vonë këtë vit, 150 nga 500 punëtorë sezonalë në turizëm shprehën pakënaqësi të thellë me vendin e tyre të punës.
“Paga e ulët është një ankesë e përgjithshme midis punëtorëve, por punëtorët sezonalë dhe të huaj shpesh ankohen se punojnë me orë më të gjata ose duhet të kryejnë detyra që punonjësit me kohë të plotë nuk janë të gatshëm t'i bëjnë”, tha Ivekovic për BIRN.
Shumica e të anketuarve raportuan paga mujore midis 3,000 dhe 6,000 kuna (400-800 euro); 12 për qind thanë se ishin paguar midis 6,000 dhe 7,000 kuna (800-930 euro) dhe 10 për qind raportuan ishin paguar midis 7,000 dhe 8,000 kuna (930-1,065 euro). Në qershor të këtij viti, paga mesatare mujore neto në Kroaci ishte 7,71, kuna, ose 955 euro.
Pagat e ulëta janë një ankesë e zakonshme, tha Ivekovic, por punëtorët sezonalë ankohen më shumë për natyrën e vetë punës.
Një numër më i madh punëtorësh sezonalë janë të punësuar me kontrata pune afatshkurtra; 76 për qind e punëtorëve sezonalë punojnë me turne dhe 90 për qind raportojnë se ndonjëherë ose shpesh punojnë fundjavë ose jashtë orarit.
“Gjatë pikut të sezonit, punoja 66 orë në javë. Ishte çmenduri”, tha një shtetas amerikan 26-vjeçar, i cili punon në kuzhinën e një restoranti. Duke folur në kushte anonimiteti, ai tha se kishte probleme për të marrë ditë pushimi apo edhe për të bërë një gjysmë ore pushim, gjë e cila garantohet sipas ligjit kroat të punës.
Nga katër punëtorë sezonalë të intervistuar nga BIRN në kushte anonimiteti, të gjithë raportuan se punonin shtatë ditë në javë; dy nga Maqedonia e Veriut thanë se kishin kërkuar ta bënin një gjë të tillë për të rritur ato që ata thanë se ishin pagat të ulëta.
“Më bëhet më mirë të punoj çdo ditë të javës. Ndonjëherë punoj gjashtë ditë në javë, ndonjëherë shtatë. Por paga në Kroaci është shumë e ulët për numrin e orëve që punoj”, tha një vajzë 22-vjeçare nga Maqedonia e Veriut.
Bashkatdhetari i saj u pajtua. “Akomodimi ofrohet, paga mund të jetë më e lartë”, tha 31-vjeçari. “Çmimet në Kroaci janë vërtet të larta shumë për disa artikuj.”
Një grua kroate 40-vjeçare, e punësuar si “punonjëse e përhershme sezonale” dhe për këtë arsye merrte mbështetje financiare nga shteti edhe jashtë sezonit veror, tha se kishte më pak kolegë në kuzhinë këtë vit sesa në vitet e mëparshme. Filipinezët u punësuan për të mbushur boshllëqet, tha ajo, por komunikimi me disa nga punëtorët e huaj ishte i vështirë.
“Kam katër vite që jam ‘punonjëse e përhershme sezonale'. Kur ndalojmë së punuari, firma na konsideron sikur nuk jemi punonjës të saj, kështu që unë nuk marr shpërblim për Krishtlindje, për shembull. Dhe nuk mund të shkoj në Zyrën e Punës dhe të kërkoj punë, sepse shteti më sheh si të punësuar”, tha ajo.
Sezoni turistik i këtij viti ishte më i mirë, puna është e lodhshme fizikisht dhe paga është e ulët – pak më shumë se 700 euro në muaj, tha ajo. “Të punosh kaq shumë orë për një rrogë të tillë është e tmerrshme.”
Inspektorët shtetërorë të punës thonë se shkeljet më të zakonshme të ligjit të punës në industrinë e mikpritjes kanë të bëjnë me kontributet e papaguara shëndetësore dhe sigurimet shoqërore, punëtorët e huaj pa leje qëndrimi ose pune, shkeljet në lidhje me orarin e punës dhe pushimin dhe pagat e papaguara.