Lajm24 Apr 2021

Turqia i kërkon Shqipërisë të ndalojë të dyshuarin e arratisur për mashtrim me kriptomonedha

Autoritetet e Ankarasë i kanë bërë thirrje Shqipërisë të ndalojë Fatih Faruk Ozer, duke thënë se ata dyshojnë se kreu i platformës së shkëmbimit të kriptovalutave është arratisur për në Tiranë, duke marrë me vete asete me vlerë rreth 2 miliardë dollarë.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Foto ilustruese. Kortezi: Gerd Altmann/Pixabay

Ministria e Drejtësisë e Turqisë tha se kishte dërguar një njoftim të kuq të Interpolit në Shqipëri, duke i kërkuar asaj të ndalojë të dyshuarin që qëndron pas çështjes më të madhe të mashtrimit në Turqi, me vlerë rreth 2 miliardë dollarë amerikanë (1.65 miliardë euro).

Prokurorët në Stamboll të enjten nisën një hetim në platformën e shkëmbimit të kriptovalutave Thodex dhe themeluesit të saj, Fatih Faruk Ozer, i cili ka mbyllur faqen dhe është larguar.

Policia thotë se bosi i Thodex u largua për në Tiranë, Shqipëri, duke marrë me vete rreth 2 miliard dollarë në asete digjitale që u përkisnin 700,000 njerëzve.

Autoritetet kanë “hapur një hetim ndaj themeluesit të faqes Fatih Faruk Ozer me akuzat e mashtrimit të rëndë dhe themelimit të një organizate kriminale”, tha Zyra e Prokurorit të Stambollit.

Autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN në lidhje me kërkesën e Interpolit deri në kohën e publikimt.

Ozer i hodhi poshtë pretendimet përmes llogarisë së Thodex në Twitter të enjten. Ai mohoi akuzat për vjedhje, por konfirmoi se është tani jashtë vendit dhe u zotua se do të kthehej në shtëpi pas disa ditësh.

“Thodex ka ndaluar të gjitha transaksionet në mënyrë që të vlerësojë një ofertë të paspecifikuar partneriteti. Procesi do të zgjasë rreth katër deri në pesë ditë pune”, shkroi ai, duke shtuar se “përdoruesit do të azhurnohen rregullisht”.

Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare i Turqisë, MASAK, pezulloi të gjitha llogaritë e Thodex të enjten dhe policia arrestoi 62 persona në lidhje me hetimin.

Para se të mbyllte transaksionet e tij, Thodex kishte tregtuar më shumë se 585 milionë dollarë në kriptovaluta në shkëmbimin e saj, sipas CoinMarketCap. Agjencia e lajmeve Anadolu e Turqisë tha se kompania kishte 400,000 tregtarë aktivë.

Qytetarët turq kohët e fundit u dyndën drejt aseteve të kriptovalutës pas një rënie të madhe të vlerës së lirës turke dhe inflacionit të lartë, duke shkaktuar një lulëzim në tregun e kriptovalutave. Investitorët i shohin pasuritë e kriptovalutës si një strehë e sigurt.

Lira ka humbur më shumë se 36 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit amerikan që nga janari 2020. Kur presidenti Rexhep Tajip Erdogan shkarkoi guvernatorin e katërt të bankës qendrore në vetëm 20 muaj, lira ra përsëri, duke humbur më shumë se 15 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit në vetëm një ditë.

Shkalla e inflacionit e Turqisë ndërkohë u rrit në 16 për qind në mars, por ekspertët mendojnë se norma reale ka të ngjarë të jetë edhe më e lartë dhe akuzojnë qeverinë për manipulimin e shifrave për të krijuar një imazh më të mirë.

Banka Qendrore e Turqisë, TCMB, në fillim të këtij muaji ndaloi përdorimin e kriptovalutave dhe aktiveve të tjera kripto për blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

TCMB tha se vendimi pasqyroi shqetësimet e saj në lidhje me “dëme të pariparueshme të mundshme dhe rreziqe të konsiderueshme”, pasi nuk ka rregullatore, mekanizma monitorimi ose autoritet rregullator qendror mbi monedhat kripto dhe duke theksuar “potencialin për veprimtari kriminale”.