Analize17 Jul 2017

Turqia shenjon përvjetorin e grushtit të shtetit me një imazh të transformuar

Një vit pas grushtit të dështuar ushtarak, Turqia është një vend i transformuar dhe i ndarë.

Autor: BIRN BIRN Ankara, Beograd, Stamboll, Sarajevë
Printo

Presidenti Turk Erdogan: Foto nga : AP Photo/ Alexander Zemlianichenko

Pasojat e asaj që qeveria turke deklaroi se kishte qenë një përpjekje për një grusht ushtarak – që thuhet se u nxit nga predikuesi turk Fetullah Gulen që jeton në SHBA – kanë ndryshuar që atëherë fytyrën e vendit.

Më 15 korrik 2016, Turqia përjetoi një kaos të vërtetë ndërsa përleshjet ushtarake dhe protestat në rrugët e Ankarasë, Stambollit dhe qyteteve të tjera turke tronditën kombin dhe mbarë botën.

Ndërkohë që vetë grushti i shtetit zgjati vetëm pak orë, goditja që presidenti Rexhep Tajip Erdogan ndërmori kundër organizatorëve të dyshuar dhe që shumë shpejt u zgjerua për të eliminuar kundërshtarët e tij politik, vazhdon ende.

E ardhmja e Turqisë mbetet e paqartë, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz dhe kompani largohen nga vendi, i cili është shndërruar në burg për shumë shtetas të tij dhe shihet si diçka e ulët nga disa prej ish-aleatëve të tij.

Erdogani dhe qeveria e tij shpallën gjendjen e jashtëzakonshme më 20 korrik, duke këmbëngulur se kjo ishte e nevojshme për t’u marrë me ata që besohej se qëndronin pas grushtit të shtetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Turqisë, më shumë se 170,000 njerëz, përfshirë oficerë ushtrie dhe policie, ligjvënës, gazetarë, akademikë dhe biznesmenë janë arrestuar ose ndaluar.

Me qindra mijëra të tjerë janë pushuar ose pezulluar nga punët e tyre në sektorin publik. Qindra mijëra të tjerë humbën punët e tyre pasi qeveria mbylli OJQ, media dhe organizata akademike si edhe firma private.

Ekonomia turke, e cila për më shumë se një dekadë konsiderohej si më e forta në rajon, ka marrë një goditje serioze, me shumë investues dhe firma që braktisin vendin dhe numrin e turistëve që bie shumë shpejt.

Kjo ka ndikuar edhe pozicionin gjeostrategjik të Turqisë. Dikur e konsideruar si një aleate tepër e rëndësishme e SHB-së, NATO-s dhe BE-së, Turqia po shmanget gjithnjë e më shumë nga miqtë e saj të mëparshëm, ndërsa Erdogani i është afruar më shumë Rusisë.

Shtrirja e madhe e goditjes së qeverisë ka preku miliona turq dhe lë dyshime në lidhje me qëllimin e vërtetë të Erdoganit.

Shumë shtetas turq, ekspertë vendas dhe ndërkombëtar dhe parti politike e akuzojnë atë se po përdor goditje për të maksimizuar pushtetin e tij. Edhe disa nga mbështetësit e tij privatisht e pranojnë se ndihen konfuz në lidhje me shkallën e spastrimit.

Masat e ndërmarra ndajnë familje dhe kombin

Një profesor universiteti në Stamboll tha për BIRN se gjatë vitit që nga grushti i dështuar i shtetit ai kishte humbur punën, ndërsa vëllai i tij ishte arrestuar nën dyshimin për përfshirje në grushtin e shtetit. Familja e tij tani po luftonte për të mbijetuar.

“Familja jonë ka qenë gjithmonë e njohur se ishte kundër Erdoganit. Pas grushtit të shtetit, im vëlla, i cili ishte një oficer sigurie, u arrestua. Edhe pse e gjithë familja jonë ishte bashkë mbrëmjen e grushtit të shtetit, vëllai im u akuzua se ishte pjesë e tij,” tha ai.

Njësoj si qindra mijëra të tjerë të afërmit ose miqtë e të cilëve ishin arrestuar që prej grushtit të shtetit, ai u ankua se procesi ligjor kundër këtyre personave vazhdonte shumë ngadalë.

Në shumicën e çështjeve, gjyqtarët ishin ndryshuar dhe seancat gjyqësore ishin shtyrë disa herë.

Si rezultat i kësaj, gjykatat s’i kanë paraqitur ende publikut ndonjë provë se shumë njerëz ishin të përfshirë në grushtin e shtetit, pavarësisht se arrestimet dhe pastrimet vazhdojnë.

“Erdogani dhe qeveria e tij thanë se FETO (akronimi për “Organizata Terroriste e Fetullahut”) qëndronte pas këtij grushti shteti,” tha i njëjti akademik.

“Megjithatë, ata nuk treguan kurrë se kush ishin drejtuesit e grushtit të shtetit ose cilat ishin qëllimet e tyre të vërteta. Edhe nëse këtë e ka bërë FETO, çfarë lidhje kishte midis FETO dhe gazetarëve, deputetëve kurdë apo akademikëve opozitarë?”

Pavarësisht mungesës së provave të forta të përfshirjes së tyre në grushtin e shtetit, profesori tha se familja e tij dhe shumë të tjerë ishin lënë të vdesin urie. Askush tani nuk dëshiron apo guxon t’u japë atyre vende pune, ndërkohë që ata e kanë gjithashtu të ndaluar të largohen nga vendi.

“Që nga arrestimi i vëllait tim, kam humbur punën në universitet dhe familja jonë është në një situatë shumë të vështirë,” tha ai.

“Pasi humba punën, aplikova në disa institucione, por askush s’donte të më merrte në punë edhe pse më përgëzuan për arritjet e mia të mëparshme. Institucionet kanë të gjithë frikë se mos shënjestrohen nga qeveria,” tha profesori.

Ai tha se vendosi të shkonte jashtë vendit, por edhe kjo tani duket e pamundur.

“Qeveria e ka ndaluar të gjithë familjen tonë të shkojë jashtë vendit,” tha ai. “Pyes veten se çfarë plani ka Erdogani dhe qeveria e tij për ne. Mesa duket, ai dëshiron që ne të vdesim.”

Një mësuese shkolle në Stamboll që punon për një institucion arsimor privat tha për BIRN se kishte pak shpresë për të ardhmen e saj apo për të ardhmen e të gjithë vendit.

“Në vend nuk ka më zgjedhje të ndershme,” tha ajo, duke iu referuar referendumit të fundit në të cilin Erdogani arriti të fitonte mbështetje për një sistem presidencial me pak ose aspak kontrolle dhe ekuilibra. Referendumi ishte “një mashtrim i madh”, tha ajo.

“Ne nuk kemi më besim tek qeveria apo tek ndonjë institucion shtetëror,” shtoi ajo.

Ajo tha se edhe familja e saj kishte vuajtur nga grushti i dështuar i shtetit. Motra dhe bashkëshorti i saj kishin qenë oficerë policie që shërbenin në qytete të ndryshme dhe madje kishin luftuar kundër terroristëve në lindje.

Pavarësisht kësaj, tetë muaj pas grushtit të shtetit, ata të dy ishin pezulluar nga puna “pa shpjegime,” tha ajo.

Ajo tha se besonte se kjo kishte ndodhur për shkak se familja e kunatit të saj në të kaluarën e kishte kritikuar hapur Erdoganin.

“Kur ata pyetën për arsyen e pezullimit nga puna, eprori i tyre u tha se ministria nuk kishte prova, por se ata e dinin që kunati dhe motra ime ishin anëtarë të FETO-s dhe po e mbanin të fshehtë këtë. Ç’lloj arsyeje është kjo? Shkatërrimi i familjeve s’duhet të jetë aq e lehtë,” përfundoi ajo.

Eksodi lë Turqinë pa talente

Një shkencëtar politik tha për BIRN se shumë qytetarë turq që nuk e mbështesin Erdoganin – ata të cilëve nuk u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit – s’u ka mbetur zgjedhje tjetër, por të largohen nga vendi.

“Erdogani po spastron të gjitha institucionet shtetërore opozitare dhe ka heshtur zërat kritik në vend,” tha shkencëtari për BIRN.

“Të gjithë duan të largohen nga vendi, një vendi i till s’mund të ketë të ardhme.”

Ai u shpreh se njerëz të arsimuar dhe me eksperiencë janë pezulluar ose janë pushuar nga punët e tyre dhe janë zëvendësuar nga njerëz në bazë të aleancës së tyre ndaj Erdoganit, jo për aftësitë e tyre.

“Zyrtarët e emëruar së fundmi s’kanë aftësi. Është e pamundur të presësh që ata ta qeverisin mirë vendin. Shumë vende pune mbeten bosh dhe shteti nuk funksionon si duhet,” shtoi ai.

Ndërsa dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga vendi, shumë më tepër janë penguar ta largohen nga ana e qeverisë.

“Pas gjithë kësaj ndodhi, familje u shkatërruan, miq u dërguan në burg dhe unë vendosa të shkoj jashtë vendit. Nuk marr dot frymë në vendin e Erdoganit,” tha ai, duke shpjeguar shpërnguljen e tij në SHBA. Ai nuk kishte plane për t’u kthyer më.

“Jam i shqetësuar për të ardhmen e vendit tim,” vazhdoi ai.

“Ekonomia është e trazuar, ndërsa Erdogani ka krijuar probleme me vendet fqinje dhe aleatët e vjetër. Shtrirja e goditjes tregon se ai nuk ka për qëllim të zbulojë komplotuesit e grushtit të shtetit apo anëtarët e FETO-s. Ai thjesht dëshiron ta sundojë vendin pa asnjë kundërshtim – si një sulltan.”

Edhe mbështetësit e Erdoganit kanë dyshime

Pronari i një kafeneje në Ankara, një anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit, AKP, tha për BIRN se qeveria e Erdoganit kishte të drejtë të luftonte kundër FETO-s dhe komplotistëve të dyshuar.

Megjithatë, ai e pranoi se goditja kishte përfshirë mesa duket njerëz të pafajshëm dhe shpresonte që kjo politikë të rishikohej.

“Përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit na tregoi se mes nesh ka shumë tradhtarë dhe Erdogani dhe qeveria e tij luftuan kundër tyre,” tha ai për BIRN.

“Kjo është arsyeja pse qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, siç duhej të vepronte. Megjithatë, është e vështirë të gjesh komplotistët e vërtetë të grushtit të shtetit dhe është shumë normale të bësh disa gabime gjatë këtij procesi,” tha ai.

Por ai tha gjithashtu se fuqitë e huaja, të cilat “nuk duan një Turqi të fortë”, po përpiqeshin “të dobësonin pushtetin e Erdoganit” duke hapur probleme.

“Kjo situatë komplikon çdo gjë, por lideri dhe qeveria jonë do t’i korrigjojnë gabimet që mund të ketë ndodhur në proces e sipër,” këmbënguli ai.

Një tjetër mbështetës i Erdoganit, një kandidat për doktoraturë në histori, tha për BIRN se goditja duket se ka përfshirë shumë njerëz të pafajshëm dhe liderë opozitarë, që për mendimin e tij ishte “një gabim shumë i madh”.

“Erdogani dhe qeveria e tij bënë atë që duhej dhe deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme për të luftuar komplotuesit e grushtit të shtetit. Megjithatë, kur shoh shkallën e spastrimit,  e kam të vështirë t’ia shpjegoj këtë gjë edhe vetes time,” tha ai.

Ai tha se arrestimi i deputetëve të opozitës dhe njerëzve nga sektori publik pa arsye të vlefshme kishte dëmtuar stabilitetin e brendshëm të Turqisë si edhe imazhin e saj.

“Njoh shumë njerëz që s’kanë lidhje me organizata terroriste apo FETO-n që janë arrestuar apo pezulluar nga puna. Lufta kundër FETO-s dhe të gjithë grupeve terroriste që u përpoqën të rrëzonin nga pushteti Erdoganin duhet të vazhdojë, por duhet të tregohemi më të kujdesshëm gjatë këtij procesi,” shtoi ai.

Ai i vë të gjitha shpresat e tij te komisionin shtetëror, i ngritur për të hetuar korrektësinë e pezullimeve dhe arrestimeve.

“Të gjithë mund të aplikojnë në këtë komision, nëse ata mendojnë se vendimi në lidhje me ata ishte i gabuar. Kjo është një shenjë e mirë, por duhet bërë më shumë, përndryshe vendi ynë do të humbasë,” përfundoi ai.

Dyshime mbi natyrën e vërtetë të grushtit të shtetit

Një ekspert mbi politikën turke në një universitet evropian tha për BIRN se qeveria nuk arriti ta bindë opinionin publik vendas apo ndërkombëtar se FETO qëndronte pas përpjekjes për grusht shteti apo se goditja që erdhi pas kësaj kishte si qëllim vetëm identifikimin dhe kapjen e komplotuesve të grushtit të shtetit.

“Shumë pyetje në lidhje me natën e 15 korrikut janë ende pa përgjigje, ndërsa hetimet dhe proceset ligjore nuk janë të drejta dhe transparente,” tha ai.

“Shumë besojnë se Erdogani dhe qeveria e tij kanë përdorur gjendjen e jashtëzakonshme për të fikur zërin e opozitës dhe mendimin kritik. Prova më e rëndësishme për këto pretendime është shkalla e goditjes së Erdoganit,” shtoi ai.

Ai theksoi gjithashtu se disa figura opozitare si edhe ekspertë ndërkombëtarë kishin filluar t’i referoheshin grushtit të shtetit të 15 korrikut si “një grusht i rremë”, pasi ata dyshojnë se vetë Erdogani e organizoi atë për të ndërmarrë një tjetër grusht – atë kundër kundërshtarëve të tij.

“Erdogani mori atë që deshi pas grushtit të shtetit, falë gjendjes së jashtëzakonshme dhe mundësive të tij të pafundme,” tha ai.

Protestat e fundit, në të cilat disa nga partitë opozitare punuan së bashku për herë të parë, ishin e vetmja shenjë shprese, përfundoi ai.

Njerëzit që folën me BIRN për këtë artikull vendosën të mbeteshin anonim për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë e tyre.