Ankaraja nuk do të këmbëngulë që Shkupi të dorëzoje gylenistët e dyshuar në këmbim të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO, premton ministri.
Parlamenti në Ankara së shpejti do të ratifikojë protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe për këtë nuk do ta kushtëzojë Shkupin të kthejë mbështetësit e dyshuar të klerikut turk në mërgim, Fethullah Gulen, të cilët Ankaraja i konsideron terroristë, tha në një intervistë zv/ministri i jashtëm Faruk Kaymakci.
E vetmja arsye pse parlamenti turk nuk e ka ratifikuar ende protokollin e pranimit në NATO për Maqedoninë e Veriut është sepse ai u mbyll për zgjedhjet lokale në Turqi, tha Kaymakci për agjencinë shtetërore të lajmeve të Maqedonisë së Veriut në një intervistë të botuar të martën.
“Mund të rrini të qetë. Ne jemi mbështetësi juaj më i madh kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO dhe ne planifikojmë ta përfundojmë këtë proces sa më parë që të jetë e mundur. Turqia do të ratifikojë sa më shpejt protokollin e anëtarësimit,” tha diplomati.
Turqia mbajti zgjedhjet lokale në fund të marsit.
Kaymakci i siguroi zyrtarët e Shkupit të cilët druheshin se miqësia tradicionalisht e ngrohtë mes Ankarasë e Shkupit mund të vihej në provë nga kërkesat e fundit që Maqedonia e Veriut të ekstradonte në Turqi 15 shtetas turq lidhur me akuza për terrorizëm.
Gjatë një vizite më 3 prill në Shkup, ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar shtoi presion mbi Shkupin për të ekstraduar personat e kërkuar.
Ndonëse Akar theksoi gjithashtu miqësinë e ngushtë mes dy vendeve, disa media në Maqedoninë e Veriut e interpretuan këtë deklaratë si një formë shantazhi, pasi Turqia, ndryshe nga vendet e tjera fqinje të Ballkanit, nuk e kishte ratifikuar ende protokollin e pranimit të Maqedonisë në NATO.
Zyrtarët e NATO-s nënshkruan protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në shkurt. Vendi do të bëhet anëtari i 30-të i plotë i aleancës, pasi të 29 parlamentet anëtare të NATO-s ta kenë ratifikuar protokollin e pranimit.
Kaymakci theksoi se Turqia e sheh pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO si asistim të qëllimit strategjik të ndërtimit të një sigurie rajonale më të madhe, “kështu që mbështetja jonë në këtë proces do të jetë e plotë dhe nuk do të ketë probleme”.
Megjithatë, ai përsëriti se nga aspekti i sigurisë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bashkohet luftës kundër asaj që Ankaraja e quan organizata terroriste “FETO”. Ankaraja ka kërkuar ekstradimin e Gylenit nga Shtetet e Bashkuara.