Lajm5 Nov 2021

Turqit kundër vaksinës do të krijojnë një parti politike

Partia për Jetën pa Imponime synon të përfaqësojë lëvizjen në rritje të Turqisë kundër vaksinave dhe të bëhet një opozitë e organizuar ndaj masave të tjera për frenimin e pandemisë, duke përfshirë kërkesat për maska dhe test PCR.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Foto nga protestat kundër vaksinave në Turqi.

Haci Ali Ozhan, një avokat dhe noter në Kirikkale, një provincë në rajonin e Anadollit në Turqi, tha të premten se janë depozituar dokumentet në Ministrinë e Brendshme për të krijuar një parti të re politike kundër vaksinimit të quajtur Partia për Jetën pa Imponime.

Ozhan tha për të përditshmen turke Sozcu se partia kundërshton ndërhyrjet shtrënguese për të frenuar pandeminë dhe masat që ai pretendon se shkelin integritetin trupor të njerëzve.

“Ne kundërshtojmë planet për lëngje kimike të quajtura vaksina që përmbajnë çipa dhe synojnë të skllavërojnë njerëzit”, tha ai.

Ai shtoi se partia kundërshton gjithashtu testet PCR, maskat dhe masat e tjera për frenimin e pandemisë.

“Ne duam një jetë pa imponime”, tha ai.

Ai shtoi se partia nuk do të ketë ambicie politike jashtë synimit të saj kryesor.

“Partia jonë do të punojë vetëm për një qëllim, që është lufta e qeverisë kundër pandemisë dhe partia do të shpërbëhet kur të përfundojë misioni”, tha ai.

Lëvizja turke kundër vaksinimit është rritur gjatë periudhës së pandemisë dhe ka organizuar disa protesta të mëdha në Stamboll dhe qytete të tjera të mëdha turke të quajtura “Zgjimi i Madh”.

Së fundmi, ajo organizoi një tjetër protestë përpara ndërtesës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Stamboll.

Deri më tani, më shumë se 117 milionë vaksina u janë dhënë njerëzve në Turqi. Gjithsej 55.5 milionë njerëz kanë marrë një dozë, ndërsa 49 milionë njerëz kanë marrë dy doza.

Turqia nuk ka mungesë furnizimesh me vaksina dhe është pranë prodhimit të vaksinës së saj vendase, Turkovac.

Megjithatë, vaksinimet nuk kanë arritur ende nivelin e dëshiruar të autoriteteve dhe infektimet ditore dhe vdekjet për shkak të COVID-19 janë ende të larta.

“Personat e vaksinuar me një dozë përbëjnë 67.5 për qind të popullsisë së përgjithshme, ndërsa personat e vaksinuar me dy doza përbëjnë 59 për qind. Ne duhet ta rrisim këtë të fundit në 70 për qind për imunitetin komunal”, tha ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Turqia regjistroi gati 30,000 raste të reja dhe 228 vdekje të reja të enjten. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar aktualisht ishte 199,000 të enjten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *