Gjykata e Lezhës gjeti Endrit Vejsiun fajtor për 2 vepra penale dhe e dënoi me 4 vjet burg, por vendosi të pezullonte dënimin dhe e vuri atë në shërbim prove.
Gjykata e Lezhës gjeti Endrit Vejsiun fajtor për 2 vepra penale dhe e dënoi atë të martën (15 tetor) me 4 vjet burg, ndërsa po ashtu vendosi të pezullonte dënimin dhe e vuri atë në shërbim prove. Vejsiu ishte arrestuar 1 vit më parë me 4 mina me telekomandë dhe 3 kilogramë kanabis.
Në dispozitivin e vendimit, të cilin BIRN e ka, thuhet se Vejsiu ishte shpallur fajtor për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” për të cilin parashikohet dënim nga 5 deri në 10 vjet burg dhe “prodhim të armëve, armëve shpërthyese e municionit”, po ashtu me dënim nga 5 deri në 10 vjet. Gjykata i ka dhënë atij nga 5 vjet dënim për secilën prej veprave, minimumin e parashikuar.
Më pas në bashkim të dënimeve Vejsiu është dënuar me 6 vjet burg. Gjykata thotë po aty se në respekt të gjykimit të shkurtuar, Vejsiu dënohej përfundimisht me katër vjet.
Megjithatë gjykata është zbutur edhe përtej gjykimit të shkurtuar. Duke iu referuar nenit 59 të Kodit Penal, trupa gjykuese e kryesuar nga Artan Hajredinaj, ka vendosur pezullimin e dënimit dhe caktimin e një periudhe provë pesë vjeccare gjatë të cilës atij i kërkohet të mbajë kontakt me zyrën e Shëbimit të Provës, të mos mbajë më armë dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.
Gjykata i referohet në vendim nenit 59 të Kodit Penal që parashikon pezullimin e dënimit kryesisht duke u bazuar në rrezikshmërinë e personit. Vejsiu qëndroi një vit në qeli me masë sigurie arresti me burg, pasi u kap në shtator 2018 me 4 mina me telekomandë. Në vendim gjykata urdhëron lirimin e tij nga paraburgimi. Minat me telekomandë janë përdorur në dhjetra atentate në vend, një pjesë e të cilave me viktima.
Vetë i pandehuri i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. BIRN nuk pati të mundur të kontaktonte palët, prokurorinë dhe mbrojtjen, mbi këtë vendim.