Lajm19 Mar 2020

Ulet numri i emigrantëve në kufirin Turqi-Greqi

Numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin nga Turqia për në Greqi është zvogëluar në mënyrë dramatike mes krizës së koronavirusit, por disa prej tyre po refuzojnë të braktisin përpjekjet për të hyrë në BE.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Foto: Elena Geroska

Gjithnjë e më pak emigrantë kanë vërshuar drejt kufirit midis Turqisë dhe Greqisë dhe disa janë larguar për në qytetet turke ku ishin akomoduar më parë, raportojnë mediat.

Emigrantët ishin grumbulluar nëpër zonat kufitare, si dhe në portet detare pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi muajin e kaluar se Ankaraja nuk do t’i ndalonte ata të kalonin kufirin, pas humbjeve të mëdha të vendit në luftën Siriane.

Gazeta greke Ekathimerini raportoi të mërkurën se numri i emigrantëve në zonat kufitare ka rënë në rreth 2,000.

Megjithatë, tensionet vazhdojnë dhe Ekathimerini raportoi se rojet kufitare turke dhe greke përdorën gaz lotsjellës të mërkurën gjatë një përleshjeje, ndërsa rreth 500 migrantë u përpoqën të kalonin kufirin.

Vizita e Presidentit Erdogan në Bruksel javën e kaluar për një takim me krerët e BE-së dhe një video konferencë me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin Francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Boris Johnson të martën përfundoi pa një zgjidhje gjithëpërfshirëse për krizën e emigrantëve.

Gazetari dhe shkencëtari politik me qendër në Stamboll, Sezin Oney, tha se çështja e emigrantëve të mbetej në hije për shkak të përpjekjes për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

“Turqia kërkoi ndihmë financiare dhe udhëtim pa viza për qytetarët e saj në zonën Shengen në këmbim të ndalimit të emigrantëve, por duket se ajo nuk e mori atë që dëshironte. Për më tepër, nuk është e mundur të pritet një zhvillim i tillë në këto kohë, pasi BE-ja po bëhet gjithnjë e më e tërhequr për shkak të shpërthimit të koronavirusit”, tha Oney për BIRN.

“Askujt në BE nuk i bëhet vonë tani për Turqinë apo emigrantët në kufirin Turqi-Greqi”, shtoi Oney.

Sipas raportimeve të mediave turke, emigrantët kanë filluar të largohen nga zonat kufitare dhe Turqia i ka kthyer ata pas me autobusë në vendet ku ata ishin regjistruar fillimisht.

Megjithatë, disa prej emigrantëve nuk janë të gatshëm të braktisin përpjekjet e tyre për t’u futur në Greqi.

“Emigrantët nuk dinë çfarë të bëjnë, ku të shkojnë. Ata erdhën në zonat kufitare duke lënë pas gjithçka. Akomodimi dhe punësimi do të jenë problemet e tyre kryesore kur ata të largohen nga zonat kufitare”, tha Oney.

Turqia aktualisht ka më shumë se 3.7 milionë refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme, dhe fajëson BE-në për mos mbajtjen e premtimeve të dakorduara në një marrëveshje të vitit 2016, sipas të cilës Brukseli zotohej t’i jepte gjashtë miliardë euro Ankarasë në këmbim të ndalimit të fluksit të emigrantëve që i drejtoheshin kufijve të Europës.