Analize18 Mar 2019

Ulja e dënimit për vrasjen e dyfishtë, shkarkoi gjyqtarin Alfred Gjoni

Zbutja e dënimit ndaj të pandehurit Gentian Doda – gjyqi i të cilit në Apel çoi në burg për korrupsion gjykatësin Shkëlqim Miri, ishte pjesë e barrës së provës së KPK-së që solli shkarkimin e kreut të Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni, duke dalë pas një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, | Foto : LSA

Zbutja e dënimit ndaj të dënuarit për 2 vrasje Gentian Doda, ishte një nga shkeljet mbi të cilat u mbështet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit Alfred Gjoni.

Gjoni, i cili ishte pjesë e trupës gjykuese që uli dënimin në Gjykatën e Matit duke sjellë lirimin e Dodës, u gjet me probleme të pasurisë dhe profesionalizmit – përfshi arsyetimin në këtë çështje dhe lidhjen e tij me avokatin e Dodës, të cilit i kishte marrë në hua një makinë për të udhëtuar jashtë vendit.

Trupa e gjykatës së Matit, me kryesues Ali Kolecin dhe anëtarë Ded Mirin dhe Alfred Gjonin ndryshoi cilësimin e akuzës ndaj Gentian Dodës nga “vrasje me paramendim” në “plagosje me dashje me pasojë vdekjen” dhe uli dënimin ndaj tij nga 20 vjet burg në 8 vjet në vitin 2016. Ky vendim u konfirmua edhe në Apel dhe u pasua me lirimin e Dodës me kohën e paraburgimit.

Ish-gjykatësi Alfred Gjoni i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në janar të këtij viti, u mbrojt duke përmendur faktin se vendimi ishte marrë nga një trupë gjykuese në të cilën ai ishte vetëm një nga anëtarët dhe se vendimi ishte konfirmuar në një shkallë më të lartë, duke iu referuar vendimit të Apelit të Tiranës për të cilin u dënua ish-gjykatësi Shkëlqim Miri.

KPK arsyetoi se Gjoni kishte pasur mundësinë të kundërshtonte dhe jepte arsyetim në pakicë. Vendimit në fjalë sipas KPK i mungonte argumenti dhe arsyetimi pse ishte ndryshuar cilësimi i veprës penale. Po ashtu në vendim thuhet se pas pyetjeve nga vëzhguesi ndërkombëtar, vetë Gjoni e klasifikoi një ngjarje të supozuar me rrethana të ngjashme si “vrasje me paramendim”.

Gjoni i cili u hetua nga KPK në dy kritere, atë të profesionalizmit dhe atë të pasurisë, kishte prej vitit 2010 që drejtonte Gjykatën e Kurbinit, ndërsa kishte punuar si gjyqtar prej 20 vjetësh. Trupa gjykuese që hetoi subjektin u kryesua nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilia, anëtare Firdes Shuli dhe vëzhgues ndërkombëtar Ferdinando Buatier de Mongeot. KPK gjeti një sërë shkeljesh, përfshi dyshime për një apartament të fshehur në Durrës dhe zvarritje çështjesh për mbi dy vjet.

Vendimi për  Gentian Dodën

Doda ishte dënuar në mungesë në vitin 2001 me 20 vjet burg për vrasjen e dy personave në qytetin e Burrelit dhe vendimi ishte konfirmuar në Apel dhe Gjykata e Lartë në vitin 2002 kishte refuzuar rekursin. Vendimi ndaj tij kryesisht ishte bazuar në dëshminë e njërit prej viktimave i cili vdiq në spital dy ditë pasi u plagos nga Doda.

Nga vendimi i gjykatës së Matit, e cila rishikoi çështjen pas ekstradimit të Dodës nga SHBA në vitin 2012 dhe rihapjes së çështjes për gjykim në vitin 2016, rezulton se viktima Gazmir Dedja kishte njohur ekzekutorin. Në vendim thuhet se Doda ndërsa udhëtonte në makinë i thirri viktimës në emër dhe më pas qëlloi ndaj tij. Dedja që ishte shenjestra mbeti i plagosur rëndë, ndërsa një kalimtar rastësor mbeti i vrarë prej breshërive. Dy ditë më vonë edhe Dedja humbi jetën, por jo pa u treguar të afërmve të tij – vëllait, babait dhe nënës, se personi që e qëlloi ishte Gentian Doda.

Nga gjykimi i çështjes rezultoi se vëllai dhe babai i viktimës ishin vrarë në periudha të mëvonshme dhe gjyqi u bazua në dëshmitë që ata kishin dhënë për gjykimin fillestar të çështjes. Gjykata citon ndër të tjera në vendim se Doda kishte thirrur në emër viktimën dhe më pas kishte qëlluar me breshëri ndaj tij.

Por gjykata thotë se pas shqyrtimit tërësor të çështjes vendosi të rikualifikojë akuzën. Nga dokumenti onlinë në Gjykatën e Matit rezulton se të tre gjykatësit e çështjes, përfshirë Alfred Gjonin ishin dakord me këtë qëndrim. Ata e cilësuan vrasjen e dyfishtë “plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen” dhe njëkohësisht pranuan gjykimin e shkurtuar edhe pse çështja ishte gjykuar më herët dhe kishte shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese.

Doda nga 20 vjet u dënua me 12 vjet burg dhe pas gjykimit të shkurtuar në 8 vjet. Ai u lirua një vit më vonë pas llogaritjes së paraburgimit dhe kohës që kishte kaluar si i arrestuar në SHBA deri në momentin e ekstradimit. Vendimi i Gjonit dhe i dy gjykatësve të tjerë u konfirmua edhe në Apel – vendim për të cilin gjyqtari Shkëlqim Miri u dënuar me 2.6 vjet burg për korrupsion pasiv.

Në seancën dëgjimore përpara KPK -së Gjoni u përball me vendimin e tij për të ulur dënim ndaj Dodës. Pa përmendur dosjen konkrete, vëzhguesi ndërkombëtar i përmendi atij një sërë rrethanash të një ngjarje kriminale, duke kërkuar cilësimin e tij.

Gjyqtari qe evaziv në shpjegimet, ai u përpoq të shmangej duke folur për gjakmarrjen, ndërsa avokati i tij Ardian Visha “fajësoi” përkthimin. Këmbënguljes së kryesueses dhe përfaqësuesit të ONM-së, Gjoni iu përgjigj se “jemi para rastit të vrasjes me paramendim.”

Në mbrojtjen e tij për rastin Doda, subjekti përdori si argument edhe faktin se ai kishte qenë pjesë e një trupe gjykuese dhe se vendimin nuk e kishte marrë vetëm vendimin për uljen e dënimit. KPK e rrëzoi këtë pretendim ndërsa arsyetoi se Gjoni nëse mendonte ndryshe, duhej të kishte bërë arsyetim në pakicë.

“Fakti se subjekti i rivlerësimit ka qenë anëtar i trupës gjykuese në vendimet e konstatuara nga ana e Komisionit si jo të argumentuara si duhet nuk e përjashton atë nga përgjegjësia pasi ai në rolin e anëtarit kishte të drejtën e mendimit të pakicës”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të zbardhur, KPK gjeti gjatë hetimit se Gjoni ishte caktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në trupën gjykuese të Gjykatës së Matit. Komisioni zbuloi gjithashtu gjatë hetimit në kriterin e pasurive, lidhje mes Gjonit dhe avokatit Ilirjan Dyzeni – i cili ishte përfaqësues ligjor i Gentian Dodës gjatë këtij gjykimi.

I pyetur për njohjen dhe marrjen hua të një makine nga avokati, Gjoni u justifikua se ajo nuk ishte arsye për përjashtim. Ai i tha KPK-së se avokatin e kishte takuar rastësisht dhe i kishte marrë makinën hua në vitin 2013 vetëm për një ditë për një udhëtim në Kosovë. Sipas tij kjo nuk ishte arsye përjashtues, “për më tepër disa vitë më pas (2016)”. Por KPK i gjeti deklarimet e subjektit mbi këtë rast të rreme.

KPK nuk shprehet nëse vendimi për Dodën ishte shkarkues, por lë të kuptohet se vendimarrja nuk kishte qenë e plotë. “Në pjesën arsyetuese të vendimit, konstatohet mungesa e argumentimit të konkluzionit që veprimet e të pandehurit plotësojnë elementët e veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje”..

Problemet e pasurisë dhe profesionalizmit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shprehet në vendim se problemet e ish-gjykatësit Gjoni në lidhje me profesionalizmin nuk kishin të bënin vetem me këtë dosje.

“Të tilla mangësi konsiderohen, zvarritja e gjykimit tej afateve ligjore, mënyra jokorrekte e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore”, shkruhet në vendim.

KPK thotë se në një rast Gjoni zvarriti për mbi 5 vjet një çështje për njohje pronësie, që sipas raporti të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2016 duhej të ishte mbyllur për tre muaj. KPK thotë se gjeti që çështja vijoi të zvarritej edhe pas raportit të KLD-së deri sa Gjoni u përjashtua prej saj në korrik 2018.

Komisioni thotë se argumentet e gjykatësit për ngarkesë në lidhje me shtyrjet dhe zvarritjen nuk ishin bindëse. Sipas KPK-së në disa raste keqmenaxhimi ishte i qartë, pasi gjykatësi cakonte seanca në festa zyrtare ose në ditë kur e dinte që do ishte i zënë.

“Në çështjet e vëzhguara, shumica e seancave gjyqësore kanë qenë jo produktive. Në disa raste seancat janë caktuar në ditë festash zyrtare apo në data ku subjekti i rivlerësimit ka pasur impenjime të tjera për të cilat ka qenë në dijeni më parë”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Ndërkohë, një mori problemesh u gjetën edhe në pasurinë e gjykatësit të shkarkuar. Komisioni bëri me dije se për një apartament 60 m2, ai kishte mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën 1,1 milion lekë dhe se ka kryer “deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin në lidhje me çmimin e blerjes së këtij apartamenti”.

KPK konstatoi deklarim të rremë dhe mungesë burimesh edhe për një apartament 47.7 metra. Në vendim thuhet se ai i kishte dhënë “Komisionit përgjigje të ndryshme dhe kontradiktore gjatë procesit të rivlerësimit në lidhje me mobilimin e këtij apartamenti”.

Mungesë burimesh dhe probleme me deklarimin u bënë me dije edhe në lidhje me një hua të dhënë nga gjykatësi. KPK gjeti gjithashtu se ai kishte fshehur posedimin dhe përdorimin e një apartamenti në qytetin e Durrësit.

KPK konstatoi se subjekti ka bërë deklarime të rreme në lidhje me një udhëtim në Bruksel, deklarime të rreme në lidhje me gjykimin e çështjeve për një person me inicialet L.N dhe po ashtu për kontaktet e çështjet e gjykuara me avokatin Dyzeni.

Gjoni i kundërshtoi problemet e konstatura nga KPK. Në seancë dëgjimore ai dhe avokati i tij pretenduan se apartamentin në Durrës e kishte përdorur për shkak të marrëdhënies me familjen pronare, por nuk e kishte në posedim dhe pronësi.