Lajm20 Mar 2020

Ultimatum qeverisë, thellohet kriza politike në Kosovë

Isa Mustafa i tha kryeministrit Albin Kurti se partia e tij do të braktisë aleancën qeverisëse, nëse kryeministri nuk revokon shkarkimin e ministrit të tij, të cilin e shkarkoi për shkak të një mosmarrëveshje për masat e nevojshme për koronavirusin.

Autor: Xhorxhina Bami BIRN Prishtinë
Printo

Kreu i LDK në Kosovë, Isa Mustafa. Foto: Facebook/Isa Mustafa.

Isa Mustafa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, partia e vogël në koalicionin qeverisës të Kosovës, i tha kryeministrit Albin Kurti të premten se ai duhet të revokojë shkarkimin e ministrit të brendshëm Agim Veliu, një politikan i  LDK-së, dhe të kërkojë ndjesë ose të përballet me prishjen e aleancës qeverisëse.

Mustafa, i cili filloi procedurat për një mocion mosbesimi në administratën e Kurtit të enjten, tha se nëse kryeministri nuk e bën këtë, LDK nuk mund të ishte më pjesë e koalicionit qeverisës.

“Nëse kjo situatë vazhdon, atëherë pasi të kapërcejmë situatën emergjente të koronavirusit, ne si LDK do të duhet të dalim nga koalicioni”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ai tha gjithashtu se Kurti duhet të heqë menjëherë tarifën 100 për qind të Kosovës për importet nga Serbia, në përputhje me ato që i ka kërkuar SHBA-ja.

“Unë pres që zoti Kurti ta heq këtë tarifë sot dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e zotit Veliu. Ai duhet t’i kërkojë ndjesë atij dhe LDK-së për veprimet e tij”, shkroi Mustafa në Facebook.

Kurti, nga partia kryesore në pushtet Vetëvendosja, shkarkoi ministrin e brendshëm Veliu të mërkurën pas një mosmarrëveshjeje mbi mënyrën si duhet trajtuar kriza e koronavirusit.

Kurti tha se Veliu u shkarkua sepse ai kishte dëmtuar qeverinë duke mbështetur publikisht idenë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe për shkak se ai kishte përhapur panik në lidhje me epideminë e koronavirusit.

Ideja për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme u propozua nga rivali politik i Kurtit, presidenti Hashim Thaçi. Nëse shpallet një gjendje e jashtëzakonshme, pushteti i qeverisë i kalon Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili kryesohet nga Thaçi.

Mosmarrëveshjet politike në mes të krizës së koronavirusit bënë që njerëzit në Prishtinë të dalin në ballkonet e tyre në protestë të enjten në mbrëmje, duke goditur tenxhere dhe tiganë për t’i kërkuar liderëve të vendit të përqendrojnë përpjekjet e tyre për adresimin e urgjencës së shëndetit publik.

“Ne e organizuam këtë protestë sepse mendojmë se kjo situatë politike,  gjatë një krize pandemike, do të ketë një ndikim negativ në aftësinë e vendit për t’u marrë me virusin dhe do të ndikojë shumë në besimin e qytetarëve tek institucionet e Kosovë”, thanë organizatorët.

Besimi tek institucionet e Kosovës është “i nevojshme tani më shumë se kurrë në mënyrë që të menaxhohet situatae COVID-19”, argumentuan ata.

Organizatorët e protestës akuzuan gjithashtu liderët politikë se “po e përdorin këtë pandemi për të fituar pikë politike”.

Edhe para se Veliu të shkarkohej, LDK-ja tashmë kishte mosmarrëveshje me partnerët e saj të koalicionit nga Vetëvendosja në lidhje me heqjen e tarifës së importit 100 për qind për mallrat serbe.

SHBA-ja ka bërë thirrje që tarifat të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur. LDK-ja pajtohet me këtë, por Vetëvendosja dëshiron një heqje më graduale.

Qeveria e koalicionit në Kosovë e mori detyrën në fillim të shkurtit. Vendi kaloi katër muaj pa një administratë para kësaj, pasi mbajtjes së zgjedhjeve tetorin e kaluar.