Lajm12 Oct 2021

Universitetet përzgjedhin 7 kandidatura për 4 vende në KLGJ dhe KLP

Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Shkollës së Magjistraturës përzgjodhi të martën 7 kandidatura që do të votohen në Kuvend për vendet vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kandidatët për KLGJ dhe KLP në pritje të procesit të votimit. Foto: Blerina Gjoka.

Në një mbledhje që zgjati më shumë se 6 orë, trupa e drejtuesve të Instiucioneve të Arsimit të Lartë dhe Shkolla e Magjistraturës përzgjodhën 7 emra që do të shkojnë për votim në Kuvend si kandidatura për vendet vakante në dy institucionet e reja të drejtësisë, përkatësisht për 2 vende në KLGJ dhe 2 vende në KLP.

Pas seancës dëgjimore, ku të gjithë kandidatët kishin 10 minuta kohë për të prezantuar platformën e tyre dhe 10 minuta për t’ju përgjigjur pyetjeve, trupa e pedagogëve me votim të fshehtë zgjodhi 7 emra që do t’i kalojnë Kuvendit për votim në seancë plenare.

Për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kandidaturat që u votuan janë; Artan Koçi nga Universiteti i Tiranës (UT), Endri Papajorgji nga Tirana Business University, Ilir Rusi nga UT, Orjona Muçollari nga UT dhe Yllka Rupa nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë kandidatë do të jenë; Artan Koçi dhe Mirela Bogdani nga Shkolla e Magjistraturës, Yllka Rupa, Endri Papajorgji dhe Saimir Visha, i propozuar nga Universiteti “Luarasi”.

Në nisje të mbledhjes së posaçme ishin 9 kandidatura që kishin kaluar fazën e parë të përzgjedhjes, votimit nga trupa pedagogjike e universiteteve të tyre. Idlir Duhanxhi nga universiteti i Shkodrës u skualifikua, pasi nuk mori asnjë votë në procesin e votimit. Kandiatura e tij krijoi debat në fillim të mbledhjes pasi Universiteti ku ai punonte kishte dërguar me vonesë emrin për listën e kandidatëve, por në fund të diskutimeve u quajt e vlefshme procedura.

Ndërsa Indrit Shtupi i propozuar nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës u skualifikua nga gara, pasi mungonte në sallë. Justifikimi i dërguar prej tij për arsye shëndetësore nuk u cilësua i vlefshëm nga trupa e pedagogëve për ta futur emrin në procesin e votimit.

Shumica e kandidatëve garonin për të dy institucionet, me përjashtim të Mirela Bogdanit dhe Saimir Vishajt që kandidonin vetëm për KLP-në.

Në votim morën pjesë 8 përfaqësues nga universitetet publike dhe Shkolla e Magjistraturës të cilët votuan për 6 kandidatët e propozuar nga këto institucione. Ndërsa nga IAL-të private morën pjesë 18 përfaqësues, të cilët kishin të drejtë të votonin vetëm 2 për emra që vinin nga universitetet private, Endri Papajorgji nga TBU dhe Saimir Visha nga “Luarasi”.

Sipas procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.