Lajm5 Oct 2020

Urime të gjithë humbësve – fushata e re e WWF kundër ndërtimit të HEC-eve

Fondi Botëror për Natyrën (WWF) ka nisur një fushatë kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël në Shqipëri e Ballkan të titulluar "Urime të gjithë humbësve."

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Tubat e hidrocentralit në të cilat do të futetn rrjedha e lumit | Foto ilustru: Sami Curri/BIRN

Nëpërmjet një njoftim për shtyp organizata mjedisore WWF i bën thirrje të gjithë aktivistëve mjedisorë dhe qytetarëve të interesuar për mbrojtjen   e mjedisit për të nënshkruar peticionin në mbështetje të fushatës për të shpëtuar lumenjtë e Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit të Ballkanit nëpërmjet nënshkrimit elektronik në losingrivers.com/alb.

Pavarësisht  se energjia që gjenerohet nëpërmjet tyre vjen nga burimet e rinovueshme, HEC-et e vegjël janë cilësuar si të dëmshme për mjedisin ku ata ngrihen, pasi ndotin dhe thajnë lumenjtë.

“Hidrocentralet e vogla nuk janë as efecientë. Në vitin 2018, atyre iu alokuan 70% e subvencioneve shtetërore në Ballkan, por ata gjeneruan vetëm 3.6% të energjisë elektrike”, shkruhet në publikimin për shtyp të Fondit Botëror për Natyrën (WWF).

“Me ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, ne të gjithë bëhemi humbës, humbasim lumenjtë, parqet tona kombëtare, speciet endemike të peshqve, tokën pjellore, vendet e punës, e shumë më tepër”, vijon deklarta për shtyp.

Në Ballkan ka pothuajse 700 hindrocentrale ekzistuese, ku Shqipëria konsiderohet si vendi me dendësinë më të madhe të rajonit për sa i përket ndërtimit të HEC-eve, me 227 të planifikuara dhe 100 të tjera në ndërtim.

Aktivistët dhe shkencëtarët janë të ndërgjegjshëm se përgjatë gjithë këtyre viteve, nëpërmjet tarifave nxitëse, qytetarët u kanë paguar qindra miliona euro investitorëve privatë, ndërkohë që janë humbur lumenj dhe burime natyrore të panumërta.

“Pikërisht për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me këto humbje, WWF ka filluar një fushatë në Shqipëri dhe në rajon për të hequr subvencionet shtetërore për hindrocentralet e vegjël, pasi pa to shumica e 2700 projekteve për ndërtimin e HEC-eve të vogla në Ballkan nuk do të ishin fitimprurës dhe rrjedhimisht do të ndaleshin”, përfundon njoftimi për shtyp i organizatës mjedisore WWF.