Lajm13 Apr 2018

Ushqimet dhe ujësjellësi i Tiranës rritën çmimet e shportës

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 2% në bazë vjetore gjatë muajit mars, ku pjesa kryesore e rritjes erdhi nga çmimet e grupit "Ushqime dhe Pije Joalkoolike". Me rritje të madhe ishte edhe çmimi i ujit, kryesisht si pasojë e Ujësjellësit të Tiranës.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Indeksi i Çmimeve të Konsumit. Burimi: INSTAT

Kostoja e jetesës në Shqipëri u rrit me 2 për qind në mars në krahasim me një vit më parë, ku të gjitha grupet e shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit pësuan rritje, bëri të ditur Instituti i Statistikave. Rritja më e lartë u shënua në grupin “Ushqim dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupi Qira, Ujë, Lëndë Djegëse dhe Energji Elektrike.

Furnizimi me ujë u shtrenjtua me 17.7 për qind në shportën kombëtare, ku përfshihet rritja me 44% e çmimit të ujit në Bashkinë Tiranë si dhe rritja me 15% në Bashkinë Durrës, ndërkohë që në bashkitë e tjera nuk ka pasur rritje të çmimeve.

Nga grupi i ushqimeve, të cilat sëbashku dhanë një rritje vjetore prej 3.1%, rritja më e madhe u shënua në grupet fruta me 15.4% dhe zarzavate me 7.7%. Çmimet e frutave dhe zarzavateve kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, duke qenë faktori kryesor i rritjes së kostos së jetesës për shqiptarët. Në krahasim me vitin 2015, çmimet e zarzavateve në Shqipëri janë 62% më të larta ndërsa frutat kushtojnë 47% më shumë. Gjithashtu, çmimet e qirasë së banesave u rritën me 2.5%.

Zarzavatet dhe frutat janë përcaktuesi kryesor i rritjes së çmimeve gjatë viteve të fundit në Shqipëri, ndërkohë që çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera pothuajse nuk kanë ndryshuar. Veshjet kushtojnë sot po aq sa kanë kushtuar edhe katër vite më parë ndërsa mobiljet dhe elektroshtëpiaket kushtojnë sot pak më lirë nga sa kushtonin katër vjet më parë.

Edhe brenda vetë grupit të ushqimeve, pjesa tjetër e produkteve ka pësuar ndryshime fare të vogla në çmime. Mishi është shtrenjtuar me 1% në krahasim me katër vite më parë ndërsa qumështi, gjalpi e vezët janë shtrenjtuar me 6 për qind. Buka dhe drithërat nuk kanë pësuar ndryshime në çmime.

Është e paqartë se pse çmimet e frutave dhe zarzavateve janë shtrenjtuar kaq shumë në një kohë kur pjesa tjetër e mallrave dhe shërbimeve pothuajse nuk ka pësuar ndryshime. Gjithsesi, forma e rritjes së çmimeve duket se nuk reflekton rritje të kërkesës në treg por vetëm shtrenjtim të dy grupprodukteve, të cilat zënë një pjesë shumë e vogël në konsumin e popullatës. Zarzavatet dhe frutat zënë gjithsej vetë, 8.5% të shportës së konsumit.