Blog13 Aug 2018

Vaksina që shpëton gratë

Katër nga pesë gra në Britaninë e Madhe kanë bërë injeksion “solucionin magjik” - vaksina HPV që parandalon kancerin e qafës së mitrës. Falë një përpjekjeje kombëtare për vaksinimin e vajzave dhe grave të reja, infeksionet e HPV-së te gratë e moshës 16-21 vjeçare kanë rënë ndjeshëm.

Autor: Sally Cowal Weforum
Printo

Vaksina kundër HPV-së. Foto: Wikipedia.

Kjo nuk është për t’u habitur. Ne e dimë se mund të parandalojmë rreth 90% të kancerit të qafës së mitrës në mbarë botën thjesht duke vaksinuar vajzat e reja kundër infeksionit HPV. Megjithatë, më shumë vende festojnë Ditën e Nënës sesa drejtojnë fushata për vaksinimin HPV. Në SHBA, vetëm tre nga pesë fëmijë e marrin vaksinën. Dhe vetëm 80 vende – pak më shumë se 40% e botës – kanë programe imunizimi që përfshijnë vaksinën HPV.

Kanceri i qafës së mitrës vret çdo vit më shumë se 250,000 gra. Nëntë nga çdo dhjetë prej tyre grave jetojnë në vende në zhvillim. Ky është shkaku kryesor i vdekjes së grave nga kanceri në Afrikën Sub-sahariane. Shumë shpesh, në kohën kur identifikohet sëmundja, nuk ka më shpresë për shërim. Madje, shumë prej këtyre grave nuk arrijnë të bëhen asnjëherë paciente.

Ne e dimë se shumica e njerëzve – burra dhe gra – do të kenë një infeksion HPV gjatë jetës së tyre. Ndërkohë që shumica dërrmuese e infeksioneve pastrohen vetë, ato që s’pastrohen mund të kthehen në kancer. Ne dimë gjithashtu se njerëzit sistemet imunitare të të cilëve janë komprometuar – për shembull nga malaria ose HIV – mund ta kenë më të vështirë ta pastrojnë infeksionin nga trupat e tyre dhe për këtë arsye kanë më shumë mundësi që të zhvillohet kanceri.

Por ne s’e dimë me siguri se infeksionet e kujt s’do të pastrohen e do të kthehen në kancer. Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që fëmijët e moshave 9 dhe 14 vjeçare të vaksinohen kundër HPV-së. Kjo pikë u dërgua trajtua në maj edhe nga  Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së dr. Tedros Adhanom, kur ai bëri thirrje për një fushatë globale të koordinuar për të eliminuar kancerin e qafës së mitrës. Kjo ndodhi dhjetë ditë pas publikimit të një përmbledhjeje prej 26 studimesh që përfshijnë 70,000 gra anembanë botës, e cila përforcoi efikasitetin e vaksinës HPV në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Në vitin 2011, Ruanda – vendi i parë në Afrikën Sub-sahariane që e nxori vaksinën në nivel kombëtar – negocioi me prodhuesin e vaksinës “Merck” për të blerë një furnizim trevjeçar pa asnjë kosto, pastaj një furnizim të vazhdueshëm me një kosto të reduktuar. Për shkak se vaksina ishte menduar për 11-12 vjeçarët, ajo u administrua nëpër shkolla dhe jo nëpër klinika, siç ndodh me vaksinat e imunitetit për foshnja dhe fëmijë shumë më të vegjël. Shtrirja e gjerë e komunitetit bëri të qartë se vaksina do të parandalonte kancerin. Kjo soli në një mbulim prej më shumë se 93 për qind.

Kjo shtrirje ishte çelësi i suksesit në Ruanda, duke përfshirë një numër të madh të liderëve të komunitetit jo të përfshirë në mënyrë rutinë me shërbimet e vaksinimit. Por këto suksese kanë qenë të vështira për t’u përsëritur. Fqinja e Ruandës në veri, Uganda, është përpjekur shumë për t’i dhënë dozën e dytë të vaksinës të gjithë atyre që morën dozën e parë.

Përpjekjet e zgjeruara të OBSH-së për vaksinimin dhe ekzaminimin janë të mirëpritura në mbarë botën, pasi disa vende po përfshijnë programe të vaksinimit të HPV-së këtë vit, duke përfshirë Tanzaninë, Zimbabve dhe Etiopinë. Edhe me ndihmën e Gavi-it (programi ndërkombëtar i ndihmës për vaksina për vendet me të ardhura të ulëta) dhe Fondit Revolving i Organizatës Pan-Amerikane të Shëndetit (PAHO), kostoja e vaksinës HPV vendos një barrë serioze në sistemin shëndetësor të një vendi. Dhe vendet me të ardhura të mesme, të cilat janë shumë të pasura për të marrë mbështetje, por jo aq të pasura sa të përballojnë vaksinën, lihen ta gjejnë vetë një mënyrë për të vaksinuar adoleshentët e tyre.

Ne nuk duhet të heqim dorë nga shpresa. Në vitin 1990, më shumë se gjysmë milioni gra vdiqën për shkak të komplikacioneve gjatë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës. Pasi vëmendja ndërkombëtare dhe burimet u fokusuan në uljen e kësaj shifre të papranueshme, deri në vitin 2015, vdekshmëria e nënave ra me 44%. Më shumë gra tani vdesin nga kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës sesa nga ndërlikimet në shtatzëni dhe gjatë sjelljes në jetë të fëmijës. Nuk duhet të jetë kështu për kancerin e qafës së mitrës, i cili është i parandalueshëm dhe i shërueshëm nëse zbulohet herët.

Po humbim shumë gra në lule të jetës për shkak të moshës në të cilën godet kanceri i qafës së mitrës. Ekziston vetëm një mënyrë për ta shpëtuar veten nga këto tragjedi –  vaksina HPV.

Marrë me autorizim nga Weforum.org