E ndarë mes shpresës se trazirat mbaruan me zgjedhjen e presidentit francez Emmanuel Macron dhe zgjedhjeve të fundit në Austri, Gjermani dhe Republikën Çeke, Europa gjendet përballë një vale populiste që duket se nuk ka mbaruar.
“Europa ka erën në shpatulla,” shpalli presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në adresimin e tij përpara Bashkimit Shtetëror shtatorin e kaluar. Por mos ndoshta shpatullat e Europës janë copëtuar aq sa nuk e çojnë dot përpara?
Sigurisht, dhjetë vite pas krizës ekonomike globale, ekonomia e Europës më në fund po i kthehet rritjes – dhe me këtë, vetëbesimit. Dhe optimizmi i Juncker me gjasa reflektohet edhe nga triumfi i zgjedhjeve presidenciale franceze vitin e kaluar nga pro-europiani Emmanuel Macron, që mbron reformat e thella, përfshirë bashkimin bankar, atë fiskal dhe buxhetin federal – pra integrimin e përparuar.
Por zgjedhjet e fundit në Austri, Gjermani dhe Republikën Çeke tregojnë një histori tjetër: një kërcënim serioz për të ardhmen e Europës – populizmi i krahut të djathtë – mbetet shëndoshë e mirë. Megjithëse kriza ekonomike ka mbaruar, plagët e saj mbeten të freskëta. Familjet e klasës së mesme dhe punëtore ende po e marrin veten nga rënia e fuqisë së tyre blerëse dhe e kujtojnë mirë si bankat – që u shpëtuan nga shteti pakësuan kreditin. Për shumë qytetarë, mësimi dukej i qartë: në Europën e tashme, fitimet privatizohen dhe humbjet socializohen.
Rezultat i këtij mendimi ishte besimi se elitat politike dhe ekonomike – të mundësuara nga Bashkimi Europian – do të vepronin gjithnjë për të ruajtur pozicionin e tyre dhe për të imponuar vullnetin e tyre te njerëzit e zakonshëm. Nxitja për kursim në vëndet në vështirësi, në vend të masave anti-ciklike që do të kishin cunguar ngadalësimin, dukej se konfirmoi këtë përshtypje.
Për ta ndryshuar këtë perceptim, liderët e BE-së do të duhet të bien dakord mbi shkaqet thelbësore të krizës dhe të krijojnë një strategji për të shmangur një tjetër. Dhe, deri më tani, ata nuk kanë arritur asnjërën detyrë, me dy grupet kryesore të vendeve që miratojnë interpretime të ndryshme të problemit.
Kampi i parë, që përfshin Greqinë, Italinë dhe deri diku edhe Francën – e shan BE-në për mungesën e solidaritetit. Italia, për shembull, iu nënshtrua kursimit, por nuk ka fituar nga kthimi te rritja e fortë. Për më tepër, vendet tremben se një bashkim bankar do të pakësojë hapësirën për manovrim në riparimin e sistemeve të tyre të thyera bankare. Dhe, me Francën dhe Gjermaninë në front dhe qendër, Italia nuk gëzon ndonjë prestigj të madh brenda Unionit.
E gjitha kjo ushqen zemërim, veçanërisht mes atyre që ndihen të braktisur apo të tradhtuar nga Europa. Si rezultat, Italia, dikur një mbështetëse kryesore e integrimit europian, është mes vendeve më skeptike të integrimit të mëtejshëm sot.
Kampi i dytë – përfshirë vendet si Austria dhe Holanda – ankohet për të kundërtën. Shumë persona në këto vende ndihen se kanë vuajtur si rezultat i ‘solidaritetit europian’, edhe pse kanë punuar fort për të siguruar begatinë e tyre. Prej kësaj, ata priren të besojnë se Europa duhet të përqendrohet në tregun e vetëm, jo në thellimin e bashkimit fiskal dhe politik.
Edhe këtu rezistenca ndaj integrimit të mëtejshëm po nxit mbështetje për partitë populiste.
Por ekonomia nuk është i vetmi faktor që po nxit populizëm. Tre faktorë të tjerë po kontribuojnë gjithashtu, ku migracioni është padyshim më i rëndësishmi. Që prej vitit 2015, kur numri i migrantëve në Europë u rrit, populistët e krahut të djathtë kanë kapitalizuar rritjen e pasigurisë prej imigracionit dhe identitetin, duke nxitur islamofobi dhe racizëm për të fituar mbështetje.
Ndërsa Europa ndahet nga ekonomia në veri-jug, migracioni e ndan atë në lindje-perëndim. Historitë e ndryshimit të kufijve në Europën Qendrore dhe Lindore dhe tallja nga shtetet e mëdha kanë bërë që ruajtja e kufijve kulturorë të jetë qendra e identitetit të tyre politik. Dhe sot, ata e refuzojnë migracionin aq fort sa kanë refuzuar të përmbushin përgjegjësinë e tyre, si shtete anëtare në BE, për të pranuar kuotat e refugjatëve të Komisionit Europian. Për këto vende shumë homogjene, detyrimi për të pranuar migrantë do të mjaftonte për ta bërë anëtarësimin në BE të padëshirueshëm, pavarësisht përfitimeve të mëdha ekonomike që i ka sjellë.
Një tjetër burim i presionit mbi BE-në – dhe një burim potencial i nxitjes së zjarrit populist – është Brexit. Ndërsa tërheqja nga BE-ja do të rëndojë kosto masive mbi Mbretërinë e Bashkuar, anëtarët e zemëruar të BE-së mund t’i drejtohen kërcënimit të daljes si një mjet të fuqishëm dhe mbase potencial për t’i rezistuar integrimit në emër të sovranitetit kombëtar.
Dhe ndërsa populistët mund të jenë zërat më ekstrem në mbrojtje të një rezistence të tillë, atyre po u jepet mundësia nga konservatorët e Europës. BE-ja qorton politikat joliberale të qeverisë së Polonisë, por toleron Hungarinë, sepse partia e kryeministrit Orban është e lidhur me Partinë Popullore Europiane, ndaj mbrohet nga Kristian-Demokratët e Gjermanisë.
Faktori final që nxiti populizmin në Europë është presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka mbështjellë dobët armiqësinë e tij ndaj BE-së. Sigurisht, përhapja e kundërshtimit ndaj Trump mund të shërbejë si një lloj force bashkuese në Europë, që nuk do të hezitonte t’i përgjigjej protektionizmit trumpian ose politikave të tjera që prekin shtetet anëtare direkt.
Por, për momentin, vendet individuale të Europës, duken të etura ta provojnë fatin e tyre veçmas me Trumpin. Qartazi, Macron do të përdorë angazhimin direkt me Trump për të forcuar qëndrimin e Francës, në Europë, ku ish-influenca britanike mund të ofrojë mundësi – dhe më gjerësisht. Të tjerë i drejtohen Trump si një burim potencial mbrojtje. Disa liderë të Europës Qendrore dhe Lindore e shohin atë gjithashtu si një legjitimim të axhendave të tyre populiste.
Ndaj vala populiste Europiane është larg venitjes. Por shkalla e rrezikut të përpirjes së BE-së nga ajo mbetet e paqartë – dhe me gjasa do të mbetet kështu teksa zona gri mes partive tradicionale dhe atyre populiste vazhdon të rritet.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Populism’s Second Wind