Reportazh23 Jan 2020

Varrosja e së vërtetës: Vdekja e dëshmitarëve lë të pa hetuara masakrat e Kosovës

Disa nga të mbijetuarit e masakrave më të tmerrshme të vitit 1999 në Kosovë kanë vdekur tashmë pa u thirrur të dëshmojnë në gjykatë duke bërë të pamundshme që autorët e krimeve të përballen me drejtësinë.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë, Rezallë
Printo

Një kompleks memorial në qendër të Rezallës. Foto: BIRN

Për njëzet vjet me radhë, Misin Deliu kishte ndërtuar një monolog të vetin për ditën që e priste të fliste në gjykatë kur do të thirrej për të dëshmuar.

Deliu ishte njëri nga dy të mbijetuarit e masakrës së Rezallës, fshatit të komunës veriperëndimore të Kosovës, Skenderaj, ku me 5 prill 1999 forcat serbe vranë 98 civilë shqiptarë.

Dy vëllezërit e tij, Ibushi dhe Azizi, si dhe 5 kushërinjtë të tjerë të tij mbetën të vrarë atë ditë. Misini dhe një person tjetër që vdiq më vonë, të plagosur rëndë kishin arritur të largohen nga vendi i ekzekutimit para se forcat serbe të ktheheshin për të marrë trupat e të vrarëve.

Por Deliu, 85 vjeçar, vdiq vitin e kaluar duke pasur si peng që nuk pati mundësi të dëshmoi.

“Ka jetuar dhe ka vdekur me dëshirën për të dëshmuar”, tregon për BIRN e reja e tij, Gjyle Deliu, në shtëpinë e familjes në Rezallë.

“Ai vazhdimisht thoshte: do të tregoj gjithçka që ka ndodhur”, tregon ajo.

Deliu është në mesin e dhjetëra të mbijetuarve të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë që vdiqën ndër vite, pas luftës, pa dhënë dëshmi për krimet që panë, përderisa masakrat nuk u hetuan asnjëherë deri më tani.

Gjyle Deliu 50 tregon se mëngjesin e 5 prillit, ushtria serbe kishte hyrë me tanke në fshat duke mbledhur civilët në qendër të fshatit. “Ata ndanë gratë nga burrat dhe disa fëmijë. Ne na thanë të largohemi nga fshati ndërsa burrat që ishin kryesisht pleq mbeten aty”, tregon ajo.

Kolona që po largohej nuk kishte bërë shumë rrugë përtej fshatit kur kishte dëgjuar breshri të gjata armësh. “Ne nuk i pamë por u kuptua se po i pushkatojnë”, kujton Gjyle Deliu momentin e vrasjes.

Pasi ishte larguar nga vendi i ekzekutimit, i plagosur në krah, Misini Deliu kishte ndenjur në mal për dy ditë. Prej aty ai, ai kishte parë një kamion që kishte marrë trupat e të vrarëve. “Dyshonte se disa prej tyre ishin ende gjallë”, thotë Gjyle Deliu.

Ajo tregon se momenti më i rëndë që ai kujtonte nga momenti i ekzekutimit ishte thirrja për ndihmë e një fëmije 13 vjeçar që po vdiste përkrah tij në grumbullin e trupave të vdekur.

Pas luftës, ai pati problem me ankthin dhe traumën. “Por jetonte më shpresë për drejtësi”, thotë Gjyle Deliu.

Për shumë familje të viktimave të masakrës, vdekja e Misin Deliut shënoi fundin e një mundësie për të hedhur dritë për ditën e tmerrit në Rezallë. “Askush nuk do të mund të tregojë si ai”, thotë Deliu.

Vrasje masive të pa hetuara

Mislin Deliu, i mbijetuari i masakrës, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Foto kortezi e familjes Deliu.

Masakra e Rezallës është një nga masakrat që nuk është hetuar ende.

David Tolbert, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, gjithashtu zëvendësshef i Prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës Penale për ish Jugosllavinë nga 2004 deri në 2008, thekson se është e vështirë të provosh një rast nëse dëshmitarët nuk janë në dispozicion.

“Megjithatë, mund të ketë dëshmitarë që mund të japin dëshmi indirekte që ndihmojnë që rasti të vërtetohet. Varësisht nga rregullat përkatëse të provave, një gjyqtar mund të vendosë të pranohen deklaratat e mëparshme të dëshmitarit të vdekur në lidhje me krimet e pretenduara”, tha Tolbert për BIRN.

Ai gjithashtu shpjegon se urdhrat e dhënë qoftë në formë të shkruar apo të përgjuara mund të jenë një dëshmi e fortë që mbështet hetimin.

“Ndoshta nuk do të jetë e mundur të bëhet një hetim i suksesshëm, por vlen të mos lihet gur pa lëvizur”, thotë ai.

Në fshatin Polac të Skenderajt, Kumrije Veliu ka filluar t’i sistemojë disa nga dokumentet e të shoqit, Xhaferit, intervistat dhe disa nga përjetimet e tij të shkruara. Javën tjetër, më 25 janar, ajo përkujton 2 vjetorin e vdekjes së tij. Në mesin e shkresave, ka vënë edhe fotografitë e djalit të saj, Shiqiriut 13 vjeçar, të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999.

I shoqi i saj Xhaferi, ishte një nga dy të mbijetuarit e masakrës së fshatit Çikatovë e Vjetër të komunës së Drenasit, ku më 30 prill 1999 forcat serbe ekzekutuan 130 persona.

Xhafer Veliu vdiq në vitin 2018 në moshën 62 vjeçare. Ai nuk u ftua kurrë të dëshmonte.

E veja e tij kujton një ditë me diell prilli, kur forcat serbe hynë në fshatin Vërbovc ku po strehohej familja e saj dhe mijëra të zhvendosur të tjerë.

“Djali (Shiqiriu) donte të shkonte në anën tjetër të fshatit ku ishte i ati i tij dhe unë nuk munda ta ndal”, tregon Kumrije Veliu për BIRN në shtëpinë e saj në Polac.

“Burat ishin në anën tjetër të fshatit. Pastaj ata i mblodhën meshkujt, përfshirë edhe të rinjtë dhe i dërguan në drejtim të fshatit Qirez”, tregon ajo.

Ushtria serbe kishte mbledhur mbi 100 civilë në xhaminë e Qirezit në natën mes 29 dhe 30 prillit 1999.

“Xhaferi tregonte që e kishte mbajtur djalin afër vetes deri në mëngjes. Ai rrëfente se derisa burrat ishin rrahur, një nga ushtarakët serbë i quajtur “Bosanac” (Boshnjaku) ia kishte përkëdhelur flokët Shiqiriut dhe ia kishte dhënë një kuti me biskota”, rrëfen ajo.

Në mëngjes, Xhafer Deliu ishte në mesin e grupit të parë të burrave që i hipën në një kamion dhe i dërguan për ekzekutim. Në oborrin e xhamisë, Xhaferi kishte parë për herë të fundit të birin e tij Shiqiriun së bashku me 30 fëmijë të tjerë duke qëndruar të frikësuar pas tankeve serbe.

Kur u shkrep breshëria e parë e plumbave, Xhaferi u rrokullis në gropën e pasme dhe i plagosur ai kishte arritur të largohet.

Ai kishte mbijetuar, por vdekja e tij dy vite më parë nënkupton që dëshmia e tij për masakrën nuk do të mund të dëgjohet kurrë në gjykatë.

Mbetjet e djalit të tij Shiqiriut u gjetën në një varrezë masive në fshatin Çikatovë në vitin 2005, përderisa trupat e viktimave tjera u zbuluan në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë.

“Dëshmitarët po vdesin, e autorët nuk flasin”

Kumrie Veliu me fotografinë e djalit dhe bashkëshortit të saj të vrarë. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Koha po kalon dhe në Kosovë ka pak prokurorë që po punojnë në ndjekjen e krimeve të luftës për të zgjidhur një vëllim të madh të rasteve të lëna nga misionet ndërkombëtare, misioni i OKB-së (UNMIK) dhe ai BE-së për sundim të ligjit (EULEX).

“Kur dëshmitarët apo të mbijetuarit vdesin, bëhet tejet e vështirë për të provuar krimet, sidomos në raste nëse ata kurrë nuk janë marrë në pyetje”, thotë për BIRN , Drita Hajdari udhëheqëse e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, një organizatë që merret me dokumentimin e krimeve të luftës shpreh të njëjtat shqetësime.

“Në rastet e vrasjeve masive ku dëshmitarët kanë vdekur, ka fare pak gjasa që ato të trajtohen para gjykatave sepse 20 vite pas luftës është tejet e vështirë që të gjenden prova të tjera”, thotë Blakaj për BIRN.

“Derisa dëshmitarët po vdesin, është gjithashtu pak e besueshme që këta që kanë kryer krime që mund të jenë të gatshëm për të folur apo dëshmuar”, thotë Blakaj.

Maxine Marcus, drejtoreshë e Organizatës amerikane për Drejtësi Tranzicionale dhe gjithashtu një ish-prokurore e Gjykatës së Hagës, thotë se nëse nuk ka më dëshmitarë të gjallë të një masakre të caktuar do të jetë e vështirë për t’i ndjekur penalisht autorët.

“Dëshmitë e dëshmitarëve të vdekur me siguri nuk do të përdoren për të provuar përgjegjësinë penale të autorëve për shkak të së drejtës së të akuzuarit për marrje në pyetje të dëshmitarit. Megjithatë ato mund të përdoren si mbështetje për rastin”, thotë Marcus për BIRN.

Ajo sugjeron se megjithatë provat e një dëshmitari të ndjerë mund të përdoren për të vërtetuar rrethanat e një çështje.

“Mund të ketë prova të mjaftueshme për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të eprorëve të këtyre autorëve, të kombinuara me provat e tjera në dispozicion. Dëshmitarët e brendshëm, ish-bashkëkryerësit me më pak përgjegjësi penale gjithashtu mund të sigurojnë prova të mjaftueshme”, thotë Marcus.

“Ai vdiq zemërthyer”

Salih Morina, babai i të cilit, Nuredini, ndërroi jetë para se të mund të dëshmonte rreth masakrës në vitin 1999. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN

Kur Nuredin Morina, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Burimit në komunën e Malishevës, vdiq në vitin 2018 në moshën 85 vjeçare shpresat që ai do të mund të dëshmonte për atë që kishte ndodhur u shuan së bashku me të.

Më 31 mars të vitit 1999, Nuredin Morina dhe vëllai i tij më i madh, Hasani, ishin në mesin 42 njerëzve, përfshirë gra e fëmijë, që u dërguan për ekzekutim rrëzë një përroi në fshatin Burim.

Pasi të gjithë ishin rrëzuar përtokë pas breshërisë së parë të plumbave, skuadra e pushkatimit kishte gjuajtur edhe dy herë rresht për të siguruar se askush nuk mbeti i gjallë. Por asnjë nga plumbat nuk e kishin goditur Nuredinin i cili ishte larguar zvarrë për në malin e afërt.

Familjarët e tij thonë se ai asnjëherë nuk është intervistuar nga ndonjë prokuror dhe kjo masakër nuk është hetuar deri më tani.

“Deri vonë shpresën më të madhe e pati te Gjykata e Hagës. Kur nisën gjykimet në Serbi kishte pak shpresë se mund ta thirrin. Nuk donte të pajtohej se nuk do të mund të dëshmonte kurrë”, thotë për BIRN, djali i tij Salih Morina.

Në Kosovë tani autoritetet po diskutojnë mundësinë për themelimin e një Komisioni të së Vërtetës dhe Pajtimit që verifikon faktet që ndërlidhen me luftën.

“Kjo do të ishte një mënyrë për të ekspozuar krimet dhe autorët e tyre. Këto gjetje mund t’i ndihmojnë familjet të mësojnë të vërtetën dhe të bëjnë presion tek autoritet që të ndërmarrin hapa shtesë siç janë reparacionet ose veprime tjera”, thotë David Tolbert.

Salih Morina thotë se babai i tij e pati të vështirë të pajtohet që nuk u thirr kurrë për të dëshmuar.

“Ai vdiq i dëshpëruar, i zhgënjyer. Sa i përket drejtësisë edhe ai ishte në mesin e atyre që u vranë sepse gati 20 vite të jetës së tij pas masakrës nuk përbënë ndonjë ndryshim”, thotë ai.

Kumrije Veliu, burri i së cilës, Xhaferi, mbijetoi masakrën e Çikatovës së Vjetër në vitin 1999 ku u vra djali i tyre, beson se tani është vonë që të vazhdojë të shpresojë për drejtësi.

“Xhaferi jetoi për të dëshmuar. Por ai vdiq pa iu përmbushur kjo dëshirë”, thotë ajo duke shtrënguar gishtërinjtë në përpjekje për të ndalur lotët.

“Ai gjithmonë thoshte: Nuk do të prehem i qetë nëse nuk do të mund të dëshmojë në gjykatë”.