Mes debatesh të ashpra midis prokurorit Sokol Malaj dhe Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arata Marku, mbledhja e përgjithshme e prokurorëve votoi si anëtar të KLP-së prokurorin Vatë Staka.
Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve për zgjedhjen e anëtarit prokuror të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, u zhvillua të enjten me debate mes Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku dhe prokurorit në Prokurorinë e Tiranës, Sokol Malaj – i cili në emër të 45 prokurorëve kërkoi ndryshimin e rregullores lidhur me zgjedhjen që do të kryhej.
Që në çelje të seancës, kur kryeprokurorja Arta Marku bëri me dije pjesëmarrjen e 229 prokurorëve në këtë mbledhje dhe sipas rendit të ditës ftoi kandidatin e vetëm, prokurorin Vatë Staka që të parashtronte platformën e tij, në foltoren e sallës ka mbërritur prokurori Sokol Malaj, i cili në emër të një grupi kolegësh propozoi ndryshimin e nenit 18 të rregullores, duke kërkuar që zgjedhja të kishte elementin e konkurrencës.
Malaj kërkoi që në mungesë të më shumë se një konkurrenti, zgjedhja të kryhej me 50+1 përëind të votave. Sipas prokurorit Malaj, me rregulloren aktuale në këtë rast nuk mund të kishte zgjedhje, pasi gjithçka ishte paracaktuar dhe kandidati i vetëm mund të shpallej fitues edhe vetëm me votën e tij.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku kërkoi që mbledhja të ndërpritej për 15 minuta për të shqyrtuar kërkesën e me shumë se 1/10 –ës së trupës së prokurorëve.
Pas rifillimit të mbledhjes, Marku u shpreh se kërkesa kishte të bënte me fletën e votimit që sipas saj ishte miratuar para dy ditësh dhe se ishte ekskluzivitet i Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo e cilësoi kërkesën e prokurorit Malaj në kundërshtim me frymën e ligjit dhe tha se do të vazhdohej me rendin e ditës. Pas deklaratës së Markut ka ndërhyrë sërish prokurori Sokol Malaj, i cili tha se ishin aty për të zgjedhur një anëtar jo të paracaktuar. Ai pohoi se kërkesa ishte në parim me Kushtetutën dhe se ishte e bazuar në ligj, ndërsa e pyeti kryeprokuroren Marku se më kë frymë të ligjit ishte në kundërshtim. Malaj vazhdoi më tej duke theksuar se anëtarët e tjerë prokurorë në KLP-ssë u zgjodhën me shumicë votash dhe se duhej që të hidhej në votim propozimi për ndryshimin e rregullores.
“Ka nevojë për ndryshim. Përderisa është lënë e drejta për t'u ndryshuar kjo rregullore mund të ndryshohet. Me shumicën e anëtarëve pjesëmarrës ndryshohet. Është vullneti i shumicës dhe vullneti i shumicës nuk mund të dhunohet”, u shpreh Malaj.
Por kryeprokurorja Marku e cilësoi propozimin për ndryshimin e rregullores si në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kërkoi vazhdimin e rendit të ditës. Prokurori Malaj ndërhyri sërish se një gjë e tillë nuk ishte në kundërshtim me ligjin, por e bazuar në Kushtetutë. Ai kërkoi që të vendoste shumica lidhur me ndryshimin ose jo të rregullores, por kjo gjë nuk u pranua nga Marku, e cila u shpreh se kush nuk donte të qëndronte në këtë mbledhje mund të largohej.
“Unë po bëj një propozim që duhet respektuar dhe ju nuk mund të dhunoni vullnetin e shumicës”, vijoi prokurori Malaj, por numri një i kauzës, Arta Marku, insistoi për vazhdimin e mbledhjes sipas rendit të ditës.
Pas fjalës së prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Vatë Staka, 216 nga 229 prokurorët që u paraqitën në fillim të mbledhjes votuan. Komisioni i numërimit të votave deklaroi se pro prokurorit Staka kishin votuar 135 prokurorë, ndërsa në kuti u gjetën 81 vota të pavlefshme.
Prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vlerësim minimal për aftësitë profesionale. Gjatë garës së parë për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë në KLP, prokurori Staka ishte një prej kandidatëve, por u skualifikua. Ai do të zërë vendin e ish-anëtares së KLP-së, Antoneta Sevdari, e cila u shkarkua nga detyra prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.