Reportazh15 Mar 2019

Vazhdon misteri për vitet që Karaxhiçi kaloi në arrati

Ndërsa vendimi përfundimtar për Radovan Karaxhiçin do të merret javën që vjen, shumë nga 12 vitet që ai kaloi duke shmangur arrestimin mbeten të mbushura me mistere që autoritetet serbe dhe boshnjake ngurrojnë t’i hetojnë dhe personat që e ndihmuan atë mbeten pa u gjykuar.

Autor: Haris Rovcanin, Filip Rudic BIRN Beograd, Sarajevë
Printo

Karaxhiçi u shfaq në televizion duke u hequr si shërues shpirtëror gjatë kohës që ishte në arrati.

Në një pasdite jave në kryeqytetin serb Beograd, një bar i quajtur Luda Kuca – Çmendina – është i mbushur me të moshuar të rregullt, por llafazanë.

Muret janë zbukuruar me imazhet e udhëheqësve serbë të Bosnjës të kohës së luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, së bashku me ato të diktatorit të rrëzuar libian Muammar Gaddafi, presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç.

Ky ishte bari që Karaxhiç vizitonte gjatë kohës që rrinte i fshehur para arrestimit të tij në vitin 2008 dhe gjykimit më pas në gjykatën e OKB-së në Hagë për krimet e kryera në luftën e Bosnjës 1992-1995.

Karaxhiç u dënua në vitin 2016 me 40 vjet burg për gjenocid në Srebrenicë, krimi i parë i tillë në tokën europiane që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai që atëherë ka apeluar dhe vendimi përfundimtar pritet të jepet më 20 mars nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.

Pronarët e barit bëhen më fjalëpakë kur përmendet Karaxhiçi, por pohojnë se ata nuk e njohën atë në maskimin e tij. Ndërsa fshihej në Beograd, ai hiqej si një “shërues shpirtëror” me mjekër të gjatë i quajtur Dragan Dabiç.

“Ai njeri vinte, pinte kafe… Askush nuk e dinte që ishte ai,” thotë një nga pronarët.

Klientët e rregullt kujtojnë një mësymje gazetarësh pas arrestimit të Karaxhiçit më 21 korrik 2008, duke pretenduar se rreth 350 ekipe gazetarësh erdhën te bari, i cili është sa një apartament me një dhomë.

Kapja e Karaxhiçit në Beograd erdhi 12 vjet pasi një urdhër ndërkombëtar u lëshua për arrestimin e tij, duke shkaktuar një kërkim të gjatë për të. Por të panjohurat gjatë viteve që Karaxhiçi ishte në arrati mund të mbesin përgjithmonë, pasi Serbia dhe Bosnja nuk kanë bërë shumë për të zbuluar rrjetin e ndihmësve të tij gjatë kohës që ai fshihej.

Në Bosnjë, pas një investigimi që mbuloi 58 persona, vetëm një u padit se ndihmoi Karaxhiçin të fshihej dhe procesi përfundoi në janar 2012 me një lirim nga akuzat. Akush nuk u padit kurrë në Serbi për asistim në fshehjen e Karaxhiçit.

Ambienti i brendshëm i barit në Beograd të cilin Karaxhi e vizitonte i maskuar si Dragan Dabiç. Foto: BIRN.

Largimi nga Bosnja

Në vitin 1995, në vitin e fundit të luftës në Bosnjë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti një padi duke akuzuar Karaxhiçin. Në korrik të vitit 1996, ai dha dorëheqjen si president i Republikës Srpska dhe kryetar i Partisë Demokratike Serbe. Ai ishte përfshirë në themelimin e të dyja këtyre para se të shpërthente lufta.

Qarkullonin informacione të fshehta që sugjeronin se Karaxhiçi i kaloi vitet e para të arratisjes në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa forca stabilizuese boshnjake e NATO-s SFOR dhe shërbimet e huaja të sigurisë e kërkonin atë, por pa sukses.

Gazetari britanik Julian Borger, autor i një libri të titulluar “Gjurmët e Kasapit” që flet për mënyrën si u kapën autorët e krimeve të luftës në Ballkan, tha se ka arsye të ndryshme për dështimin e kapjes së Karaxhiçit në Bosnje para se ai të kalonte në Serbi në fund të vitit 1999.

“Fillimisht kishte mungesë vullneti. Trupat në terren në vitin 1996 dhe 1997 e shihnin punën e tyre si paqeruajtëse dhe nuk donin të rrezikonin viktima apo të rindiznin konfliktin. Në vitin 1998 dhe 1999, mendoj se aftësitë e kërkuesve u tejkaluan nga dinakëria e të kërkuarit,” tha Borger për BIRN.

Vetë Karaxhiçi tha në një intervistë të vitit 2017 për gazetën serbe Vecernje novosti se pasi u largua nga presidenca e Republikës Srpska, ai “sillej rrotull lirshëm” në territorin serb të Bosnjës, duke besuar se ai kishte një “marrëveshje të fshehtë” me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.

Marrëveshja e pretenduar e lejonte Karaxhiçin të shmangte ndjekjen penale nëse ai largohet nga jeta publike. Megjithatë, Holbrooke mohoi të ketë dhënë një siguri të tillë.

Pasi ai u fsheh në vitin 1997, thashethemet qarkulluan se Karaxhiçi po jetonte në manastire, ose në një sërë vendesh si Mali i Zi, Greqi, Rusi ose Bjellorusi.

Borger tha se “do t’i kishte pëlqyer të kishte siguruar më shumë detaje për periudhën 1998-1999”, pasi ai nuk ka informacione nga këndvështrimi i Karaxhiçit.

“Unë besoj se ai kaloi kohë në kufirin malazez dhe mund të ketë qëndruar në manastire. Ekipi i tij ligjor e la të kuptohej këtë,” tha Borger.

Radovan Karaxhiç me ushtarë serbë të Bosnjës. Foto: Anadolu Images.

Shërues shpirtëror, artist pabi

Pasi hyri në Serbi në fund të vitit 1999, Karaxhiçi thuhet se u fsheh në qytetin verior të Novi Sadit përpara se të shkonte në Beograd, ku ai mori identitetin e Dragan Dabiç, një shërues shpirtëror i vetëshpallur i tillë.

Pas përfundimit të një kursi për parapsikologji, Karaxhiç filloi të jepte leksione dhe të punonte si konsulent për kompanitë shëndetësore private.

Sipas Borger, ai qe në gjendje të fshihte faktin që ishte shpërngulur në Serbi për shkak se kishte ndihmën e disa oficerëve të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit, BIA, e cila gjithashtu krijoi identitetin e Dabiçit për të.

Ai thotë se CIA dyshonte se Karaxhiçi ishte në Beograd që nga viti 2000, por nuk kishte ndihmën lokale të nevojshme për ta gjetur atë.

“Dabiçi ishte një maskim i suksesshëm sepse ishte shumë e çuditshme. Askush në mendjen e tij nuk priste të shikonte këtë të arratisur për krime lufte si një shërues i Epokës së Re,” tha Borger.

Karaxhiçi ngriti një faqe interneti (tashmë nuk ekziston më), dragandabic.com. Ajo përmbante një biografi të rreme të Dabiçit, duke e prezantuar atë sikur kishte lindur në një qytet të vogël në Serbinë qendrore, ku si djalë do të “eksploronte pyjet dhe malet aty pranë, duke kaluar shumë kohë në malin Kopaonik ku ai gjente bimët e gjithë pranishme, natyrale dhe të fuqishme mjekësore që rriteshin në ato kullota të gjelbra”.

Faqja e internetit gjithashtu rendiste dhjetë “proverbat e tij të preferuara kineze”, njëra prej të cilave thoshte: “Ai që dorëzon njeriun e gvetm duhet të gërmojë dy varre.”

Disa nga klientët e tij e lavdëruan “Dabiçin” edhe pasi u zbulua identiteti i tij i vërtetë.

Njëra prej tyre, Danijela Balaban, tha për gazetën Kurir në vitin 2008 se ai ndihmoi djalin e saj autik, Danilo. “Më vjen keq, sepse e di se ai e ndihmoi tim bir. Unë besoj se Danilo do të mund të kishte folur, nëse Dabiç do të mund të kishte vazhduar ta ndihmonte,” pohoi ajo.

Gjatë kohës që hiqej si Dabiçi, Karaxhiçi, i cili tani jetonte në zonën e Beogradit të Ri, filloi të vizitonte vazhdimisht Luda Kucan i maskuar, ndonjëherë duke i rënë një instrumenti malazez me një tel, një gusle, vegël muzikore me të cilën shoqërohen poema epike.

Karaxhiç pa situatën politike në Serbi të ndryshonte gjatë viteve. Ai ishte atje kur Millosheviçi u rrëzua nga pushteti pas protestave masive më 5 tetor 2000 dhe kur kreu i opozitës anti-Millosheviç Zoran Djindjiç,i cili u bë kryeministër, u vra në vitin 2003.

Por koha e tij në arrati mori fund më në fund në vitin 2008, kur lidershipi i BIA-s ndryshoi nën qeverinë e udhëhequr nga Partia Demokratike.

Kreu i ri i BIA-s, një ish-shef policie i quajtur Sasa Vukadinoviç, nuk ishte pjesë e kuadrit të kohës së luftës në shërbimet e sigurisë dhe më parë kishte punuar në hetimin e krimit të organizuar.

Vetëm disa ditë pasi Vukadinoviç mori detyrën, operacioni për arrestimin e Karaxhiçit u zbatua me sukses. Më 21 korrik 2008, agjentët e BIA-s e ndoqën Karaxhiçin në një autobus publik, më pas e zbritën, e hipën një automjet dhe e ndaluan atë pa mundim. Ai u dërgua më pas në Hagë për të dalë në gjyq.

Eksperti serb i sigurisë Aleksandar Radiç tha se ai beson se arsyeja përse Karaxhiçi qëndroi i lirë në Serbi për aq shumë kohë është një kombinim i maskimit të tij të mirë, mungesës së vullnetit nga autoritetet e pas-Millosheviçit për ta arrestuar atë dhe nga ndikimi i vazhdueshëm i kuadrove të luftës të cilët qëndruan në pushtet në agjenci si BIA.

“Ne kishim pushtete politike që ndenjën që nga koha e luftës, të cilët nuk kishin motiv për të lejuar ekstradimin e Karaxhiçit dhe nga ana tjetër kishim njerëz që e shikonin këtë çështje si diçka që mund ta përdornin në këmbim të mbështetjes së Perëndimit,” tha Radiç për BIRN.

Ai shtoi megjithatë se edhe vetë Karaxhiçi bëri shumë përpjekje për të mbetur i fshehur.

I pyetur se pse Serbia nuk i gjykoi kurrë ata që ishin përgjegjës për asistimin në fshehjen e Karaxhiçit, Radiç sugjeroi se ato që dolën në dritë nga gjyqi do të kishin qenë të pakëndshme për shumë njerëz në qeveri në atë kohë që “ishin përgjegjës në mënyrë direkte ose indirekte duke qenë pasivë”.

“Janë “ta palara” nga e kaluara që, njësoj si shumë tema të tjera, po përpiqeshim t’i fshihnim,” tha Radiç duke shtuar se praktikisht të gjitha figurat e larta politike serbe pas rënies së Millosheviçit në vitin 2000 ishin pak a shumë të përfshira me mënyrën se si u shpalos situata e Karaxhiçit.

Beogradi i Ri, ku Karaxhiçi jetoi deri kur u arrestua. Foto: Mihailo Andjelkovic/Wikipedia.

Dështim në zbulimin e rrjetit të mbështetësve

Dhjetëra njerëz ose u shkarkuan nga postet publike ose asetet e tyre u ngrinë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës, mbikëqyrësi ndërkombëtar i vendit, për asistim në fshehjen ose financimin e të arratisurve nga Gjykata e Hagës, duke përfshirë edhe Karaxhiçin.

Midis tyre kishte figura të larta serbe të Bosnjës, si ish-presidenti serb i Bosnjës dhe presidenti i Republikës Srpska Mirko Saroviç, ish-ministri i brendshëm i Bosnjës dhe i pandehuri për krime lufte Momcilo Mandiç, ish-zyrtari i Partisë Demokrate Serbe Milovan Bjelica, bashkëthemeluesi serb i Partisë Demokrate Serbe dhe ish-kryetar i komunës së Trebjes Bozidar Vucureviç, ish-ministri i brendshëm i Republikës Srpska Zoran Djeriç dhe ish-kreu i Unionit të Veteranëve të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Pantelija Curguz.

Ata përfshinin gjithashtu ish-oficerë policie si Tomislav Kovaç, Dragomir Andan, Predrag Joviciçdhe Milomir Malis, plus disa biznesmenë dhe bashkëshortja dhe djali i Karaxhiçit.

Momcilo Mandiç u dënua me pesë vjet burg për përfshirjen e tij në praktikat korruptive në Privredna Banka Srpsko Sarajevë, por ai u lirua nga akuzat për krime lidhur me asistimin e Karaxhiçit për shkak të mungesës së provave.

Mandiç tha për BIRN se rasti ishte i gjithë “propagandë perëndimore” dhe vullnet i komunitetit ndërkombëtar dhe serbëve pro-perëndimorë. Ai këmbënguli se akuzat ishin politike dhe se ai nuk shkeli ligje.

“Unë u dënova për akuza bankare, sepse ata mendonin se u dhashë hua kompanive që ndihmuan të arratisurit e Hagës, përfshirë Karaxhiçin,” tha Mandiç, edhe pse këmbënguli se nuk u dha hua kompanive të dyshuara.

Disa vjet më parë, prokuroria tha se një hetim i 58 personave për ofrim mbështetje financiare Karaxhiçit u ndërpre, sepse nuk kishte prova për ndonjë krim dhe personat nën hetim bashkëpunuan me Gjykatën e Hagës.

Serbia, nga ana tjetër, nuk ngriti kurrë akuza dhe nuk dihet nëse hetoi ndonjëherë ndonjë person për asistim të Karaxhiçit.

Avokati boshnjak Asim Crnaliç tha se tani do të ishte e vështirë të vërtetohej se dikush ndihmoi ish-liderin politik të serbëve të Bosnjës gjatë kohës që ai ishte në arrati.

“Kjo është një procedurë shumë e vështirë, sidomos pas kaq shumë kohe. Ai nuk mund të kishte qëndruar i fshehur për aq shumë vjet pa pasur persona që e ndihmonin, por nuk u bënë përpjekjet e nevojshme për të përcaktuar se kush e ndihmoi atë,” tha Crnaliç.

“As sot që po flasim ne nuk e dimë të vërtetën mbi vendit ku ai qëndroi dhe se me kë qëndronte,” shtoi ai.