Lajm13 Jun 2018

Vdekja e 66-vjeçarit në minierën e Bulqizës, prokuroria pushon procedimin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër vendosi të mos fillojë procedim penal për vdekjen e 66-vjeçarit Enver Koçi, megjithëse AKSEM në raportin teknik gjeti shkelje të “rregullores për punët me lëndë plasëse”.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Minatorë të minierës së Bulqizës, duke punuar në galeri. Foto: Gj.Erebara, Arkiv

Prokuroria e Dibrës vendosi të mos niste hetime për vdekjen e minatorit 66-vjeçar Enver Koçi në muajin mars në zonën D të minierës së Bulqizës, duke deklaruar se “fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”. Prokuroria e mori këtë vendim megjithëse Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), gjeti shkelje të rregullores “për punët me lëndët plasëse” si shkak të aksidentit dhe ngarkoi me përgjegjësi brigadierin njëkohësisht zjarrmëtar Bujar  Alla, të cilit i hoqi edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit përgjithmonë.

Prokuroria refuzoi  t’i jepte BIRN në bazë të një kërkesë për të drejtë informimi aktet që kishin çuar në marrjen e këtij vendimi. Prokurori i çështjes Urim Buci arsyetoi se megjithëse kopja e akteve të veçanta të hetimeve paraprake “i jepej cilitdo që ka interes”, kërkesa nuk kishte specifikuar aktet që kërkoheshin e “nuk mund të jepen kopje të të gjitha akteve”.

BIRN ka gjetur në një shkrim të nëntorit 2017 se shumë pak nga hetimet për aksidente të rënda në minierë shkonin në gjykatë, ndërsa në shumicën e rasteve faji u lihej viktimave.

Ngjarja ku u aksidentua 66-vjeçari Koçi ndodhi më 19 mars 2018, në subjektin minerar “ALB LEA” sh.p.k që operon në zonën mineralmbajtëse D dhe ka për aksioner me 51 për qind Lefter Allën, kryetar i Partisë Socialiste në Bulqizë dhe Jeton Danin me 49 për qind.

Raporti i AKSEM të cilin BIRN e disponon thotë se viktima kishte marrë urdhëzime nga brigadieri dhe zjarrmëtari Bujar Alla të bënte 6 bira dhe pas përfundimit të birave të vendoste sasinë prej 8 kg eksploziv për shpërthim.

AKSEM thotë se nga ekspertiza aksidenti ka ndodhur si pasojë e vonesës në ndezjen e minave prej Koçit.

“Gjatë ndezjes së birës së fundit, ka ndodhur plasja e birave të ndezura më parë. Minatori është vonuar në ndezjen e birave, duke mos u larguar pas djegies së fitilit të kontrollit (tempo)”, thuhet në raport. Por AKSEM shton se nuk duhej të ishte Koçi ai që duhej të bënte ndezjen, por zjarrmëtari i trajnuar për këtë punë.

“Këtë proces pune (mbushjen dhe ndezjen e minave) duhet ta kryejë vetëm zjarrmëtari, i cili është pajisur me dëshmi zjarrmëtari”, thuhet në raportin e AKSEM.

Autoriteti pezulloi atëherë punën në nënkatin ku ndodhi aksidenti, urdhëroi kompaninë të ristrukturohej në mënyrë që të shmangeshin aksidentet, ndërsa “për shkeljet e rregullores për punët me lëndë plasëse, që kanë sjellë për pasojë dhe aksidentin, zjarrmëtarit Z. Bujar Alla” iu hoq licenca dhe u kallëzua.

Megjithatë, prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër në përgjigjen për BIRN shkruan se ka vendosur të mosfilloj procedimin penal ndaj këtij të fundit.  Prej nëntorit të vitit të kaluar 7 minatorë kanë humbur jetën në galeritë e kromit e Bulqizës, një punëtore u aksidentua jashtë minierës, ndësa ka pasur gjithashtu edhe disa të plagosur.