Lajm1 Jun 2021

Vdekja e elektricistit në Gjirokastër, arrestohet drejtuesi i punimeve të OSSH-së

Një drejtues punimesh i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë u arrestua pasi një elektricist i ndërmarrjes publiku humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur gjatë procesit të riparimit të një linje elektrike. Në 5 muaj 4 elektricistë të OSHEE dhe OSSH-së kanë vdekur në aksidente pune në Gjirokastër.

Autor: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Printo

Elektricist në Tiranë. |Fotoilustruese  nga : LSA

Drejtuesi i punimeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, Shkëlqim Onjea u arrestua të martën nga policia e Gjirokastrës, pasi një prej punonjësve në varësi të tij humbi jetën të hënën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Onjea u arrestua me akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa K. H., 64 vjeç, operator i dispeçerisë së OSSH-së u procedua për përpjekjen për të falsifikuar librin e shërbimit dhe ndryshuar të dhënat e ngjarjes.

Onjea akuzohet në lidhje me aksidentin e të hënës në të cilin mbeti u plagos rëndë Gëzim Çabej, i cili ndërroi jetë në spital. Një koleg i Çabejt u plagos gjatë riparimit të një lije në lagjen Gërhot. Zëdhënësja e policisë së Gjirokastrës Oltiana Nano përmes një njoftimi për mediat tha se o arrestuari dyshohej për “moskryerjes së kontrollit dhe mungesës së monitorimit në punën e elektricistëve”.

Aksidenti i së hënës ndodhi një javë pasi një 55-vjeçar, punonjës i ndërmarrjes tjetër publike të energjisë OSHEE-së u gjet i pajetë në Nepravishtë të Gjirokastrës. Policia tha se elektricisti Karafil Pupe ka qenë duke punuar në një shtyllë tensioni në këtë fshat  dhe ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe ka humbur jetën.

Ndërkohë në shkurt dy elektricistë të OSHEE-së u mbytën në përpjekje për të kaluar lumin Drino, ndërsa ishin në rrugë për riparimin e një defekti. Trupat e dy elektricisteve  u nxorën nga polumbarët e RENEA-s. Familjarët kanë kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive nga kompania dhe po e ndjekin  çështjen në rrugë ligjore.

OSHEE dhe OSSH janë ndër ndërmarrjet publike me më shumë aksidente të rënda në punë.