Një fëmijë 11 vjeç u vra ndërsa e motra 9 vjeç u plagos rëndë në Fushë-Bulqizë. Policia tha se fëmijët kishin luajtur me një granatë të gjetur në një përrua pranë shtëpisë.
Një 11-vjeçar mbeti i vrarë të premten në mesditë nga shpërthimi i një granate në Fushë-Bulqizë. Motra e tij është trasportuar për në spital, por nuk ka të dhëna për gjendjen e saj shëndetësore.
Policia e Shtetit njoftoi se dyshohej që fëmijët ta kishin gjetur granatën në një përrua në fshatin Koçaj të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë dhe e kanë përdorur atë për të luajtur.
“Në fshatin Koçaj, Fushë-Bulqizë, dy fëmijë (motër dhe vëlla 9 dhe 11 vjeç) kanë gjetur një granatë në një përrua. Duke luajtur granata ka plasur për pasojë i mitur 11-vjeçar ka humbur jetën ndërsa e motra është transportuar për në spital”, njoftoi policia e Bulqizës.
Një ngjarje e ngjashme ndodhi disa ditë më parë në Leshnicë të Pogradecit. Një 16-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi shpërthimit të një grante ndërsa ai ishte duke luajtur pranë një reparti ushtarak.
Armë luftarake të braktisura nga grabitja e depove të ushtrisë në vitin 1997 kanë shkaktuar edhe herë të tjera aksidente tragjike. Në shkurt 2014 një fëmijë 6 vjeç humbi jetën nga shpërthimi i një granate në një fshat në Fushë Krujë, tre fëmijë të tjerë mbetën të plagosur.