Lajm28 Jan 2020

Vendet e Ballkanit marrin masa mes frikës së koronavirus

Teksa shtohet shqetësimi për përhapjen e koronavirusit, disa vende të Ballkanit kanë ndërmarrë masa paraprake sigurie, duke nxjerrë informacione mbi mënyrën e mbrojtjes dhe duke shtuar kontrollet për pasagjerët.

Autor: BIRN BIRN Beograd, Bukuresht, Kishinau, Podgoricë, Sofje, Zagreb, Shkup, Tiranë, Prishtinë
Printo

Foto: Wikipedia.

Disa vende të Ballkanit kanë shtuar masat e sigurisë shëndetësore nëpër aeroporte dhe vendkalime kufitare, pas shqetësimit për përhapjen t mundshme në rajon të koronavirusit, i cili ka vrarë dhjetëra njerëz në Kinë.

Serbia ka shtuar kontrollet në vendkalimet kufitare për shkak të virusit dhe të gjithë udhëtarët nga zonat e infektuara janë të detyruar të raportojnë pranë shërbimeve epidemiologjike brenda 24 orëve pasi të hyjnë në vend.

Pasagjerët udhëzohen nga një mjek për të monitoruar shëndetin e tyre dhe për të matur dy herë në ditë temperaturën e tyre. Ministria serbe e shëndetësisë ka prezantuar gjithashtu një linjë telefonike për të gjithë ata që dyshojnë se mund të jenë infektuar.

Ministria e Jashtme në Kroaci të hënën nxori një rekomandim për qytetarët që të “shtyjnë udhëtimet e tyre për në provincën Hubei dhe qytetin Wuhan deri në një njoftim të mëtejshëm”. Provinca kineze është vendi ku u shfaq virusi.

Ministria e shëndetësisë dha ​​gjithashtu këshilla mbrojtje për udhëtarët brenda dhe nga Kina.

Kreu i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kroaci, Antoinette Kaic Rak, tha në një konferencë për shtyp të hënën se “inspektimi sanitar dhe kontrolli kufitar në Kroaci janë të koordinuara dhe ata po punojnë në sinkronizim”.

Ajo tha se nuk kishte nevojë për panik, por disa kroatë tashmë i ka zënë frika.

Gazeta Slobodna Dalmacija raportoi të hënën se disa turistë aziatikë që po shkonin nëpër destinacione turistike në Kroaci mbanin në duar tabela në gjuhën angleze ku shkruhej “Unë nuk jam nga Kina”.

Një autobus që transportonte turistë nga Wuhan i cili hyri së fundmi në Kroaci i ka shqetësuar gjithashtu disa vendas. Kaic Rak, megjithatë, e hodhi poshtë këtë frikë, duke thënë se i njëjti grup më parë i ishte nënshtruar kontrolleve shëndetësore në Italinë fqinje.

Rumani, ministria e shëndetësisë tha në një konferencë për shtyp të hënën se po prezanton “linja speciale” në aeroporte për udhëtarët që vijnë nga Kina, të pajisura me kamera skanimi termik të afta për të zbuluar pasagjerë të sëmurë.

Autoritetet gjithashtu kanë caktuar spitale në qytetet e mëdha që do të kujdeseshin për njerëzit që mund të jenë të infektuar.

Ndërkohë, ministria tha se planifikon të vendosë në karantinë një ansambël folklorik rumun të përbërë nga 25 persona që janë duke u kthyer nga Kina. Ata priten të mbërrijnë në Bukuresht të martën.

Duke filluar nga e hëna, Maqedonia e Veriut gjithashtu vuri në përdorim kamera skanimi termik në aeroportin e saj në Shkup, të projektuara për të zbuluar personat që mund të jenë të infektuar.

Autoritetet druhen se infeksioni mund të përhapet nëpërmjet fluturimeve që vijnë nga Dubai dhe Stambolli, të cilat pasagjerët që vijnë nga Kina i përdorin ndonjëherë si pika për të ndërruar fluturimet.

Ministria e jashtme e Maqedonisë së Veriut tha të hënën se në dijeninë e saj, asnjë shtetas maqedonas që është ose ka qenë së fundmi në Kinë nuk dihet të jetë infektuar.

Të martën, ministri i shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Venko Filipce siguroi publikun se një grup aktorësh nga Teatri Kombëtar i Maqedonisë, të cilët javën e kaluar u kthyen nga Kina, ishin skanuar në aeroportet e Pekinit dhe Stambollit dhe askush prej tyre nuk kishte treguar shenja infeksioni.

Mal të Zi, policia kufitare po kontrollon pasagjerët që vijnë nga Kina dhe, nëse gjykohet e nevojshme, ata po ekzaminohen nga Kontrolli Shëndetësor dhe Sanitar.

Menaxhuesit e aeroporteve të Malit të Zi këmbëngulën që nuk ishte e nevojshme të ndërmerreshin masa më të gjera deri më tani sepse Mali i Zi nuk ka fluturime të drejtpërdrejta për në Kinë.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosa, tha se për momentin nuk ka pacientë me koronavirus. Ai tha se punëtorët për kompaninë kineze CRBC, e cila po ndërton një autostradë në Mal të Zi, janë duke u monitoruar.

Sipas CRBC, ka 393 qytetarë kinezë që punojnë në autostradën në Mal të Zi.

“Ata janë nën mbikëqyrje dhe çdo 12 orë ne marrim informacione për shëndetin e tyre. Këta punëtorë aktualisht nuk kanë simptoma që mund të lidhen me virusin”, tha Mugosa për mediat malazeze të hënën.

Ministria e Shëndetësisë në Moldavi tha të hënën se nuk ka identifikuar asnjë si të infektuar me koronavirus.

Por, si masë parandaluese, autoritetet thanë se kanë dërguar udhëzime në policinë kufitare dhe doganat se si të trajtojnë si duhet raste të mundshme.

Shqipëri, ekipe shëndetësore janë dërguar në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës për të kryer kontrolle shtesë për udhëtarët nga Kina dhe vendet e tjera ku mund të ketë një shpërthim të këtij virusi.

Bullgaria, deri më tani, nuk ka futur masa shtesë në terminalet e aeroportit dhe vendkalimet kufitare.

Megjithatë, Qendra Kombëtare e Bullgarisë për Sëmundje Infektive dhe Parazitare ka thënë se po përgatitet për një shpërthim të mundshëm dhe po porosit pajisje për diagnostikimin dhe parandalimin e virusit, të cilat duhet të jenë në dispozicion “brenda disa javësh”.

Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë masa sigurie shtesë dhe ministria e shëndetësisë në Prishtinë tha se po vlerëson situatën.