Mali i Zi dhe Kroacia po analizojnë nëse do të ndjekin apo jo shembullin e Gjermanisë dhe të pezullojnë eksportet e armëve në Arabinë Saudite pas vrasjes së Jamal Khashoggi, por vendet e tjera të Ballkanit deri më tani kanë qëndruar në heshtje.
Si Kroacia dhe Mali i Zi kanë thënë se po diskutojnë mundësinë e ndalimit të eksporteve të armëve në Arabinë Saudite pas vdekjes së gazetarit disident Jamal Khashoggi, por as nuk kanë marrë asnjë vendim.
Vende të tjera në rajon nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim zyrtar pasi kancelarja gjermane Angela Merkel tha në fundjavë se nuk duhet të ketë eksport të armëve në Arabinë Saudite, ndërkohë që mbeten pikëpyetje lidhur me vdekjen e Khashoggit.
Para vërejtjeve të Merkel, politikanët e tjerë kryesorë gjermanë kërkuan ndalimin e eksporteve të armëve në Arabinë Saudite pas pranimit të Riadit se gazetari u vra në konsullatën saudite në Stamboll.
Ministria e Jashtme kroate tha për BIRN se Zagrebi po e diskuton këtë çështje me partnerët e saj në Bashkimin Europian.
Ministria përmendi një deklaratë të shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, më 20 tetor duke thënë se BE konfirmon angazhimin e saj për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve anembanë botës.
Mogherini kërkoi gjithashtu një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent për të përcaktuar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me vdekjen e Khashoggit dhe për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Në Malin e Zi, qeveria tha se gjithashtu do të shqyrtojë me kujdes sugjerimet e vendeve të BE-së mbi hapat që duhen marrë.
Ministria e Jashtme në Podgoricë tha për BIRN se në vitin 2018, Mali i Zi nuk eksportonte armë në Arabinë Saudite.
“Ministria e Jashtme do të jetë shumë e përgjegjshme në periudhën e ardhshme për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare dhe të respektojnë regjimin e sanksioneve të vendosura brenda Kombeve të Bashkuara dhe në nivelin e Bashkimit Europian,” tha ajo.
Ajo tha gjithashtu se kur merr vendime për shitjen e armëve, qeveria malazeze i përmbahet plotësisht rregulloreve të OKB-së.
“Gjithashtu, në dritën e negociatave të pranimit në BE, Mali i Zi, ndonëse jo anëtar, i përmbahet plotësisht të gjitha qëndrimeve të BE-së lidhur me politikën e vendit të tretë në këtë fushë, duke përfshirë kufizimet dhe sanksionet,” shtoi ministria.
BIRN u përpoq të kontaktonte me Bosnjen dhe Hercegovinën, Serbinë, Bullgarinë dhe Rumaninë duke i pyetur për planet për eksporte të mëtejshme të armëve në Arabinë Saudite, por nuk morën përgjigje deri në kohën e publikimit.
Të dielën, kancelarja gjermane Merkel tha se vendi i saj do të ndalojë eksportet e armëve në Arabinë Saudite, ndërkohë që mbeten pikëpyetje rreth Khashoggit, duke argumentuar se ka një “nevojë urgjente për sqarime të mëtejshme” për vdekjen e tij të dhunshme më 2 tetor.
Por për momentin, anëtarë të tjerë kryesorë të BE-së dhe SHBA-ja, duket se hezitojnë të ndjekin shembullin e Berlininit. Të dielën Spanja tha se nuk po ngrinte shitjet e armëve te sauditët. As Franca, as Britania nuk kanë ndjekur masën e Gjermanisë.
Vendet e Ballkanit fitojnë shuma të mëdha parash nga eksportet e armëve në Arabinë Saudite.
Sipas të dhënave zyrtare, Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria dhe Maqedonia i shitën Arabisë Saudite gjithsej armë dhe municione me një vlerë prej më shumë se 118 milionë eurosh në vitin 2016.
Vlera totale e eksporteve të armëve nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi në Arabinë Saudite në vitin 2016 arriti në 514.6 milionë euro.
Që nga viti 2012, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Sllovakia, Serbia dhe Rumania janë pajtuar të eksportojnë armë dhe municione me një vlerë prej të paktën 1.2 miliardë eurosh në Arabinë Saudite.
Prandaj Denis Avdagiç, një ekspert i sigurisë dhe ushtarak nga Kroacia, beson se shtetet e Ballkan nuk do të marrin parasysh thirrjen e Gjermanisë për një moratorium.
“Pikë së pari, bëhet fjalë për një marrëveshje shumë fitimprurëse dhe tjetra është se është e vështirë të pritet harmonizimi i pozitave të vendeve jashtë BE-së nëse diçka e tillë nuk është bërë më parë në BE,” tha Avdagiç.
Ai tha se do të jetë shumë e rëndësishme të shihet se çfarë qëndrimi do të marrë Franca për këtë çështje.
Nëse ka një qëndrim të përbashkët brenda BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë “presion diplomatik” për të ndjekur shembullin.
“Por për një koncesion të tillë, me siguri do të kërkohet një kundër-favor, i cili mund të ndalë të gjithë historinë,” tha ai. Qëndrime e mbajtura nga NATO dhe SHBA-ja do të jenë gjithashtu të rëndësishme, shtoi ai.
Vendeve të Ballkanit u është kërkuar të ndalojnë shitjet e armëve në Arabinë Saudite në të kaluarën për shkak të frikës se armët përfundojnë në fushat e luftës të Lindjes së Mesme.
Disa ekspertë armësh dhe mbikëqyrës ndërkombëtarë të kontaktuar nga BIRN besojnë se armët dhe pajisjet e shitura nga Mali i Zi që supozohet se kanë destinacion Arabinë Saudite po përfundojnë ndoshta në Siri dhe, në një masë më të vogël, në Libi apo Jemen.
“Kur Saudia blen, sidomos, municione të vjetra në Europën Qendrore, unë do të supozoja se ato nuk janë për forcat e tyre,” tha Pieter Wezeman i Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Hulumtim të Paqes, një OJQ kryesore që gjurmon eksportet e armëve.