SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë gatishmërinë për kompromis dhe të rifillojnë dialogun e tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka ngecur për shkak të një mosmarrëveshjeje për tarifat e importit.
SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia u bënë thirrje të martën qeverive të Prishtinës dhe Beogradit të ndalojnë krijimin e pengesave për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili ka ngecur që nga viti i kaluar.
Ato thanë në një deklaratë se status quo-ja aktual “parandalon përparimin në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Europian (BE) dhe thjesht nuk është i qëndrueshëm”.
“Pas vitesh të tëra bllokim, ka ardhur koha që përfundimisht konfliktet e viteve 1990 të marrin fund dhe të sigurojmë një të ardhme të sigurt dhe të begatë për popullin e Kosovës dhe Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që të dyja palët mund ta mbështesin”, thuhej në deklaratë.
Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur që nga nëntori i kaluar, kur qeveria e Prishtinës vendosi tarifa 100 për qind për importet nga Serbia si masë hakmarrëse kundër lëvizjeve diplomatike të Beogradit për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Deklarata e Kuintit thanë se pesë qeveritë perëndimore duan “të shohin normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që kontribuon në stabilitetin rajonal”.
“Prandaj, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rinisin dialogun e udhëhequr nga BE-ja me urgjencë dhe i kërkojnë të dy vendeve të shmangin veprime që do të pengojnë një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme që të dy vendet të arrijnë një integrim më të madh Euro-Atlantik dhe përfitimet që e shoqërojnë këtë,” vazhdoi deklarata.
Pesë qeveritë perëndimore thanë se janë të gatshme të rritin rolin e tyre për të mbështetur Përfaqësuesin e Lartë të BE-së i cili ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi.
“Por ne nuk mund ta bëjmë këtë derisa të dy vendet të sinjalizojnë gatishmëri për kompromis, për të hequr pengesat dhe për të rifilluar diskutimet,” thoshte deklarata.
“Për Kosovën, kjo nënkupton pezullimin e tarifave të vendosura për Serbinë. Për Serbinë, kjo do të thotë pezullimin e fushatës së njohjes kundër Kosovës,” shtoi ajo.
Serbia ka bërë fushatë ndërkombëtare për të bindur vendet që e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur që të revokojnë njohjet e tyre.
Mosmarrëveshja për tarifat ka acaruar mosmarrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës gjatë muajve të fundit.
Zyrtarët serbë kanë kërkuar që tarifat të revokohen, por homologët e tyre në Kosovë këmbëngulin që Beogradi duhet të njohë plotësisht pavarësinë e ish-krahinës së tij.