Blog17 Nov 2017

Vendet me qeveritë më të besuara

Në pjesën më të madhe të Perëndimit, besimi publik te qeveria po bie, por në disa vende kjo është tjetër histori. Faktorët që ndikojnë nëse ne i besojmë apo jo qeverive tona, përfshijnë gjendjen e ekonomisë, trazirat politike dhe ngjarje të rëndësishme siç janë rastet e mëdha të korrupsionit.

Autor: Alex Gray Weforum.org
Printo

Përqindja bazuar te besimi i njerëzve te qeveritë e tyre kombëtare, 2016. Foto: OECD.

Kryeministri Narendra Modi kryeson një nga qeveritë më të besuara në botë. Pothuajse treçereku i indianëve thonë se kanë besim te qeveria e tyre kombëtare.

Kjo krahasohet me vetëm një të tretën e amerikanëve. Situata është edhe më e keqe në Greqi, ku vetëm një në 10 qytetarë ka besim tek drejtuesit e vendit, sipas një raporti të ri nga OECD, Qeveria në një vështrim, e cila shqyrton besimin që kanë njerëzit te qeveria e tyre kombëtare.

Faktorët që ndikojnë nëse ne i besojmë apo jo qeverive tona, përfshijnë gjendjen e ekonomisë, trazirat politike dhe ngjarje të rëndësishme siç janë rastet e mëdha të korrupsionit.

Pra, reforma e fundit anti-korrupsion dhe ajo e taksave në Indi mund të ndihmojnë në shpjegimin e niveleve të larta të besimit në qeveri.

Greqia, nga ana tjetër, ka pasur shumë probleme gjatë viteve të fundit. Ajo ka një barrë të madhe borxhi dhe mbështetet tek shpëtimi që i ofron Eurozona për të mos e lejuar të falimentojë. Megjithatë, këto kredi vijnë me një çmim të rëndë, duke kërkuar shkurtime të thella për pensione dhe shërbimet publike. Në maj protestuesit u përplasën me policinë në Athinën qendrore, pasi parlamenti grek miratoi një paketë të re masash shtrënguese.

Përveç kësaj, Greqia ka përjetuar presione të mëdha në burimet e saj si rezultat i fluksit të emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Europë, shumë prej të cilëve po largohen nga zona lufte.

Shtetet e Bashkuara vitin që kaloi dolën nga një fushatë zgjedhore të mbushura me lajme të rreme, një fenomen që ka dëmtuar besimin e njerëzve te media dhe politikanët.

Në Europë, Turqia, e cila po e godet rëndë median dhe po fut në burg figura opozitare pas grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar, merr një rezultat shumë të lartë prej 58%. Shumë ndryshe nga kjo, 30% e spanjollëve dhe 28% e shtetasve francezë kanë besim te qeveritë e tyre.

Besimi mbështetet gjithashtu tek opinioni publik për liderët e tyre.

Për shembull, kryeministri kanadez Justin Trudeau doli në skenën botërore dy vjet më parë me një pikëpamje shumë optimiste dhe mendjehapur për të ardhmen e vendit të tij, gjë e cila mund të ndihmojë renditjen e lartë të Kanadasë në listë (pothuajse dy të tretat e kanadezëve kanë besim te qeveria e tyre).

Besimi po bie

Pas krizës financiare të vitit 2008 pati një reagim global, me shumë ndjenja se qeveritë po punonin shumë për pak njerëz dhe jo dhe aq shumë sa duhet për shumë të tjerë. Kjo çoi në një valë ndjenjash populiste anembanë globit dhe një rënie besimi ndaj qeverive.

Numri i njerëzve që shprehin besim në qeveritë e tyre në OECD në vitin 2007 ishte 45%. Tani ka rënë me tre pikë dhe është 42%.

Vendet që kanë përjetuar humbjen më të madhe të besimit janë Kili, Finlanda, Greqia dhe Sllovenia.

Pse t’i besosh qeverisë tënde?

Besimi tek qeveria është në interesin tonë, sepse kjo mbështet rritjen ekonomike. Sa më shumë njerëz kanë besim te qeveria e tyre, aq më shumë gjasa kanë të investojnë dhe shpenzojnë, gjë që nxit ekonominë.

Politikat dhe nismat zyrtare gjithashtu kanë më shumë gjasa të funksionojnë. Për shembull, njerëzit kanë më shumë gjasa të paguajnë taksat e tyre dhe të sillen në përputhje me rregulloret nëse ata i besojnë qeverisë së tyre. Kjo është sidomos e vërtetë kur njerëzve u kërkohet të bëjnë sakrifica – siç janë masat shtrënguese – për të mirën e përbashkët.

Qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve të tyre, thotë OECD. Ata duhet të fillojnë të vënë më shumë para në shërbimet publike dhe të bëhen më të mirë në përmbushjen e nevojave të të gjithë popullsisë, përfshirë në kujdesin shëndetësor, punësim dhe arsim. Ata duhet të sigurohen gjithashtu që të gjithë qytetarët e tyre të kenë qasje në shërbimet qeveritare.

Marrë nga Weforum.org