Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli ngriti akuza për zjarrvënie të qëllimshme në vendgrumbullimin e mbetjeve të qytetit. Zjarri ra pak ditë pas përplasjeve në Këshillin Bashkiak mes socialistëve mbi vendimin për punësimet në landfillin e ri.
Vendgrumbullimi i mbetjeve në Vlorë u përfshi nga flakët të hënën, vetëm pak ditë pasi Këshilli Bashkiak i qytetit i kontrolluar nga Partia Socialiste refuzoi mes debateve me administratën e bashkisë të miratonte punonjës shtesë për landfillin e ri që po ndërtohet në Sherishtë.
Zjarrfikës dhe punonjës të bashkisë me mjete dhe me ujë u vunë menjëherë në punë për të kontrolluar flakët dhe ndaluar djegien e mëtejshme të mbetjeve.
I pyetur nga BIRN, kryebashkiaku Dritan Leli akuzoi se zjarri ishte i qëllimshëm. “Është zjarrvënie e qëllimshme. Të merren organet kompetente”, tha Leli kur u pyet nga BIRN nëse zjarri kishte lidhje me bllokimin e votimit në këshillin bashkiak të strukturës që do të mundësonte fillimin e punës për funksionimin e landfillit të ri.
Leli edhe pse i zgjedhur nga Partia Socialiste, është në konflikt me këshillin pas përplasjes së hapur me kryeministrin Edi Rama, kur ai refuzoi të përfshihej në garën për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë është i dyti i kësaj natyre, pas atij në Fier dy muaj më parë. Punonjës të bashkisë së Vlorës thanë se po përpiqeshin të ndalonin vijimin e flakëve në mënyrë që zjarri të mos ishte i ngjashëm me atë të Fierit.
Zjarret dhe ndotja nga vendgrumbullimet e mbetjeve në të dy qytetet ndodhin ndërsa në to janë investuar miliona euro për menaxhimin e mbetjeve. Në Fier ka një investim prej 28 milion euro për ndërtimin e një inceneratori, ndërsa në Vlorë landfilli i ri, një projekt i financuar nga banka gjermane KfW, ka vlerën e 9.8 milion eurove.
Të dy projektet po zhvillohen nga Integrated Technology Services. Kjo e fundit është aksionere në inceneratorin e Fierit dhe bashkë me Bulfaro S.p.a. po ndërtojnë landfillin e Vlorës.
Por ndërtimi i landfillit duket se nuk i ka shpëtuar konfliktit mes Lelit dhe Ramës. Shumica dërrmuese e këshilltarëve që i përkasin Partisë Socialiste mbështetën pas debateve një propozim që shtyn miratimin e projekt vendimit të bashkisë për “shtimin e punonjësve të landfillit të Vlorës”.
Projekt vendimi sipas administratës së bashkisë synon plotësimin e pjesës së kontratës së bashkëpunimit mes KfW dhe Ministrisë së Financave për kredinë e marrë për landfillin. Punonjësit e rinj do të duhet të trajnohen në Gjermani për përdorimin e pajisjeve.
Ky detyrim kontraktual, siç mësoi BIRN, duhej të ishte përmbushur nga bashkia në prill të këtij viti, por rekrutimi është shtyrë si pasojë e pandemisë. Ndërkohë kur bashkia dërgoi projekt vendimin në këshill të enjten më 30 shtator, ky i fundit edhe pse ashtu si bashkia kontrollohet nga Partia Socialiste refuzoi ta miratonte.
Në debatin që vijoi të regjistruar nga mediat në sallë këshilltari Grigor Dedej, i cili tha se fliste në emër të grupit të këshilltarëve socialistë me porosi të ish-kreut të grupit dhe kryetarit të PS në Vlorë, deputetit Anduel Tahiraj, kërkoi që miratimi të shtyhej.
Dedej tha se projekt vendimi ishte paraqitur me mangësi dhe nuk kishte relacion dhe se këshilltarët nuk ishin njohur me të. Ai tha se këshilli mund ta miratonte vendimin në mbledhjen e ardhshme. 16 këshilltarë votuan pro këtij propozimi, 6 votuan kundër dhe 2 abstenuan.
“Nuk ka asgjë për tu shqetësuar, nuk kishim shumë informacion do ta votojmë projekt vendimin në mbledhje jashtë radhe”, tha Dedej për BIRN.
Por Taulla Zanaj, drejtor i financave në Bashkinë Vlorë, i cili mori fjalën në mbledhje akuzoi këshilltarët socialistë se po bllokonin pa arsye vendimmarrjen që i hapte rrugë punësimit dhe vënies në punë të landfillit. “Jemi të gjithë socialistë këtu dhe po bllokojmë projektet e socialistëve”, dëgjohet Zanaj të thotë.
Zanaj tha se miratimi po vonohej pa argumente dhe këmbënguli se relacioni që pretendohej se mungonte ishte pjesë e projekt vendimit dhe akuzoi Dedej dhe drejtuesit e mbledhjes se nuk po thonin të vërtetën. “Mos e qorollepsni këshillin”, tha Zanaj ndërsa ngriti tonet dhe tha se shteti po paguante ndërkohë interesat e kredisë së marrë për projektin.
Një nga këshilltarët që votoi për ta miratuar vendimin, Kreshnik Tepelena, tha se e braktisi mbledhjen për shkak të parregullsive. “Nuk është çështje që duhet të politizohet, duhet të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe investitorëve. Kërkohet staf i kualifikuar dhe është fat i madh që vetë projekti parashikon trajnimin e tyre”, tha Tepelena për BIRN.
I pyetur nga BIRN Tahiraj, si porosi e të cilit u përcoll mosvotimi, tha se vendimi nuk kishte motivim politik. Ndryshe nga kryebashkiaku Leli ai po ashtu tha se zjarret në zonën e grumbullimit të mbetjeve ishin të shpeshta dhe nuk besonte që ato të ishin të qëllimshme.
Kryebashkiaku pranoi se djegia e mbetjeve ishte një krizë e qytetit. Ai tha se vetëm landfilli i ri mund të përmirësonte situatën.
Arjona Bojaxhi, drejtore e LandFilld-t të Sherishtës i tha BIRN se puna në landfill ishte afër përfundimit. Bojaxhi tha se mosmiratimi i vendimit për stafin pengonte punën. “Firma e ndërtimit kur të montoj makineritë duhet të trajnoj stafin, e ka detyrë kontraktuale dhe nëse nuk plotësohet stafi dhe ka vonesa në kontratë parashikohen penalitete financiare për Bashkinë e Vlorës, për moszbatim të njëanshëm të kontratës”, – tha Bojaxhi.
Projekti i landfilldit duhet të përfundojë brenda këtij viti. Faza e parë e projektit ka përfunduar sipas drejtuesve të kompanisë. Aktualisht po punohet me ndërtimin e depos bashkiake( garazhi) ku do të vendosen mjetet e reja të pastrimit, në krah të fushës së mbetjeve.
Ndërkohë në Tetor pritet të nisë ndërtimi i vendeve për koshat e nëndheshëm dhe makina e koshave të nëndheshëm, për ndërtimin e të cilëve bashkia e Vlorës ka zbardhur aktualisht lejet e ndërtimit. Bashkë me landfillin dhe një impiant të menaxhimit të ujërave i gjithë investimi arrin në 25 milion euro në formë kredie dhe garanti nga KfW.