Analize14 Jul 2017

Vendimi i Gjykatës: Arrestimi “me urdhër të Interpolit” shkeli të drejtat e Hatisë

Vendimi i zbardhur i gjykatës tregon se Alket Hatija u la i lirë ndonëse gjyqtari Petrit Çurri kishte përpara një urdhër kërkimi ndërkombëtar për të, ndërkohë që arrestimi u cilësua i paligjshëm pasi shkel të drejtat e të dënuarit me 20 vjet burg për trafik droge.

Autor: Klodiana Lala BIRN Tiranë
Printo

Alket Hatija, i kërkuari nga Interpol Roma dhe i liruar nga Gjykata e Durrësit. Foto:Policia e Shtetit.

Më 11 korrik, gjyqtari Petrit Çurri e quajti të paligjshëm arrestimin e të dënuarit për trafik droge, Alket Hatija dhe e liroi atë nga qelia, ndonëse kishte përpara një urdhër kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit- një kopje e të cilit zotërohet nga BIRN, e argumenton “paligjshmërinë e arrestimit të përkohshëm” për të dënuarin me 20 vjet burg me mungesën e një kërkese nga Ministria e Drejtësisë për ekstradimin në Itali të Hatisë.

Gjyqtari i çështjes i bën gjithashtu jehonë në vendim pretendimit të Hatisë se “e ka shlyer njëherë dënimin për të njëjtin fakt penal që Gjykata e Milanos e ka dënuar në shtator të vitit 2015”. Ky pretendim mbetet i pavërtetuar, përsa kohë që autoritetet shqiptare nuk e kanë marrë ende në duar vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos.

“Gjykata vlerëson se në këtë rast janë shkelur të drejtat e të arrestuarit Alket Hatija, pasi ai ka të drejtën e kontestimit të kësaj mase në rast se e vlerëson të padrejtë,” thuhet në vendimin e marrë nga gjyqtari Çurri.

“Gjykata vlerëson se në kushte të tilla, ndaj tij duhet të aplikohet një masë sigurimi e cila nuk i cenon interesat e tij dhe konkretisht ajo e detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore…,” shtohet në vendim.

Alket Hatija, 44 vjeç-i etiketuar nga mediat italiane si “Zot i drogës” u arrestua me 8 korrik me urdhër të Prokurorisë së rrethit Durrës, ndërsa qëndronte i fshehur në Berat pasi emri i tij u shfaq në sistemin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme mori një kërkesë për “arrestim me qëllime ekstradimi” nga homologët italianë.

Sipas të dhënave të dorëzuara në Gjykatë, urdhri i kërkimit ndërkombëtar bazohej në vendimin e datës 30 shtator 2016 të Gjykatës së Milanos, që e dënonte Hatijan me 20 vjet burg për trafik narkotikësh.

Duke ndjekur protokollin rutinë për raste të ngjashme, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Durrësit miratimin e masës së “arrestit me burg”  për qëllime ekstradimi dhe dorëzoi si prova dokumente të Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme dhe Interpolit që vërtetonin se Hatija ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kërkesa e Prokurorisë bazohej në nenet 493, 494, 495 të Kodit të Procedurës Penale si dhe në marrëveshjen dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë dhe Konventën Europiane të Ekstradimeve.

Kodi i Procedurës Penale i jep një rol të rëndësishëm Ministrisë së Drejtësisë në rastet e arrestimeve për qëllime ekstradimi, ndonëse i njeh të drejtën policisë gjyqësore të bëjë arrestime edhe pa kërkesën e saj.

Neni 495 përcakton se: “në raste të ngutshme, policia gjyqësore mund të bëjë arrestimin e personit, kundër të cilit është paraqitur kërkesa për arrestim të përkohshëm”.

“Gjykata, brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi e miraton atë, kur janë kushtet ose vendos lirimin e të arrestuarit. Për vendimin që merr ajo njofton Ministrin e Drejtësisë,” thuhet më tej.

Pavarësisht këtij përcaktimi të Kodit të Procedurës, gjyqtari Çurri  e cilësoi të pabazuar në ligj arrestimin e Prokurorisë për shkak të mungesës së kërkesave nga Ministria e Drejtësisë dhe shteti italian.

Një vendim i tillë provokoi reagimin e ashpër të Prokurorisë dhe të ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, i cili i kërkoi Inspektoriatit të KLD-së që të verifikonte rastin e lirimit të Alket Hatijas nga Gjykata e Durrësit.

Në ankimin e saj për Gjykatën e Apelit, Prokuroria e Durrësit thekson se vendimi për Alket Hatinë ka bërë “ineficent sistemin e kërkimit ndërkombëtar”.

“Gjykata gabimish i është referuar neneve 493-494 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat nuk rregullojnë faktin objekt gjykimi. Prokuroria në kërkesën e paraqitur gjykatës nuk ka kërkuar ekstradimin e shtetasit Alket Hatija dhe as caktimin e masë sigurimi mbi kërkesën e autoriteteve të drejtësisë italiane apo ministrisë së Drejtësisë. Fakti objekt hetimi ka qenë i posaçëm “Arrestim nga Policia Gjyqësore” i rregulluar qartësisht nga Neni 495 i Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në ankimin e prokurorit.

Sipas Prokurorisë, gjykata duhej veçse të ndiqte procedurën me të cilën është vepruar në të gjitha rastet analoge të arrestimeve të përkohshme për qëllime ekstradimi. Prokuroria ka hedhur poshtë edhe pretendimin e avokatit të Hatisë se ai ishte dënuar njëherë për të njëjtën vepër penale që kërkohet nga Italia.

Arrestimi i parë i Hatisë ndodhi në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, të cilat e akuzonin atë si pjesë të një organizate kriminale që kishte trafikuar qindra kilogramë heroinë në Itali me një vlerë të dyshuar tregu prej 35-40 milionë euro.

Çështja u transferua në Shqipëri dhe pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg në vitin 2010.

Në apelimin e saj, Prokuroria thotë se dënimi i Hatisë në Shqipëri nuk sqaron asgjë rreth shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar.

“Edhe pse këto pohime (dënimi i Hatisë në 2010) janë të vërteta, ato nuk sqarojnë asgjë lidhur me vendimin 4526/2015 të Gjykatës Italiane në mungesë të këtij vendimi,” pretendon Prokuroria e Durrësit.