Analize28 Apr 2019

Vendimi i KPK: Drejtuesi i prokurorisë së Fierit “cenoi besimin te drejtësia”

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka verifikuar raportimet e DSIK-së për dy raste të mundshme korrupsioni dhe ka arritur në përfudimin se prokurori Fatmir Lushi nuk ka kryer hetime, duke favorizuar të pandehurit. Probleme u gjetën edhe në deklaratat e pasurisë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Fatmir Lushi gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto nga : LSA

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi u gjet nga KPK me probleme serioze përsa i përket kriterit të pastërtisë së figurës dhe atë të pasurisë. Sipas vendimit të zbardhur nga trupa gjykuese e KPK-së, raporti i DSIK-së për dy raste të mundshme korrupsioni u verifikua si i drejtë.

“Nga verifikimi i dosjeve u konstatua se nuk ishin kryer veprimet e duhura hetimore, duke sjellë favorizim për të pandehurit,” thuhet në vendimin e argumentuar të KPK-së.

Probleme u gjetën edhe me pasurinë, ku përveç pasaktësive u identifikuan edhe

deklarime të pamjaftueshme, veprime në kundërshtim me ligjin dhe pamjaftueshmëri financiare për krijimin e pronave.

Fatmir Lushi ka kryer shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2006-2009. Në vitin 2009, ai është emëruar prokuror i Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa në vitin 2014 është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit. Në janar të vitit 2017, Lushi u komandua drejtues i Prokurorisë së Fierit.

Trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine arriti në përfundimin se ish-kreu i Prokurorisë së Fierit dyshohet se është përfshirë në veprime korruptive në dy çështje të ndryshme, duke favorizuar të pandehurit. KPK, veç raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasfikuar, DSIK, ka kryer edhe verifikim të dosjeve penale në fjalë duke identifikuar mungesë të kryerjes së veprimeve hetimore nga ana e prokurorit Lushi.

Në vendimin e zbardhur të KPK-së thuhet se sipas raportit të DSIK, disponohen të dhëna se prokurori Fatmir Lushi ka favorizuar një shtetas të proceduar penalisht për falsifikim dhe hedhje në treg të kartëmonedhave të jashtëligjshme, kundrejt një shume të caktuar parash gjatë kohës në të cilën ka ushtruar detyrën e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Gjithashtu, ai dyshohet se ka favorizuar një person tjetër të akuzuar për “plagosje të rëndë me dashje”, kundrejt një shume të caktuar parash gjatë kohës punonte si prokuror në organin e akuzës së Shkodrës.

Komisioni nuk është mjaftuar vetëm me gjetjet e DSIK, por ka kryer verifikime edhe në dosjet gjyqësore përkatëse për të cilat kishte raportime për korrupsion. Konkretisht është verifikuar çështja penale, që i përket vendimit “për pushimin e çështjes”, mbi një procedim penal të vitit 2016 e regjistruar në Prokurorinë e Elbasanit në ngarkim të shtetasve me iniciale D.H. dhe D. Ç., për kryerjen e veprave penale; “korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “falsifikim i monedhave” në bashkëpunim, për të cilën prokurori Fatmir Lushi ka vendosur pushimin e saj.

Në vendim thuhet se nga verifikimi rezultoi se në dosje nuk ishin administruar akte mbi zbatimin e autorizimeve “për përgjimin” dhe se nga subjekti nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim, që i mundëson procedura penale, nëpërmjet letër porosisë, për të siguruar kartëmonedhën false me cilësinë e provës”.

Ndërkohë, komisioni ka evidentuar se prokurori Lushi kishte kërkuar përgjimin e një numri telefoni të ndryshëm nga ai që identifikohej se përdorej nga i proceduari dhe se nuk ka arsyetuar se kur dhe si kishte rënë në dijeni të faktit se ky numër ishte i të akuzuarit.

“Rezulton se në dosje nuk janë administruar aktet që provonin përgjimin, si dhe subjekti me kërkesën e tij ka kërkuar asgjësimin e tyre,” citohet në vendimin e KPK-së

Prokurorit Fatmir Lushi i është dhënë mundësia të japë qëndrimin e tij për këto gjetje dhe ai i ka cilësuar ato të pabazuara.

Ai ka pohuar para Komisionit se nuk i kishte parë aktet, pasi kishin vazhduar paralelisht hetime në rrethe të tjera nga struktura të tjera duke argumentuar më tej se një procedim penal nuk mund të mbahet pafundësisht.

Trupi gjykues i KPK-së çmon se gjetjet mbi dosjen penale mbështesin konstatimet e DSIK-së në raportin e tij, mbi favorizim kundrejt shumave të caktuara parash gjatë kohës në të cilën ka ushtruar detyrën e tij si prokuror.

Në përfundim, trupi gjykues i KPK-së ka konkluduar se lidhur me kriterin e figurës, prokurori Lushi ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Mungesë burimesh financiare

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka gjetur pasaktësi vetëm në mënyrën e deklarimit të pasurisë nga ana e prokurorit Fatmir Lushi, ndërsa KPK ka konstatuar edhe problematika të tjera si deklarime të pamjaftueshme e në kundërshtim me ligjin dhe burime të pamjaftueshme.

Për apartamentin me sipërfaqe 102.94 m² në Elbasan të blerë në 26 gusht 2013, në bashkëpronësi me pjesë të barabartë me të atin në vlerën 5.056.412 lekë, prokurori Lushi ka deklaruar si burim krijimi për pjesën në pronësi, kursimet nga pagat e tij dhe të bashkëjetueses si mësuese. Ndërsa për pjesën në pronësi të babait si person tjetër i lidhur, në vendim thuhet se subjekti ka depozituar disa dokumente.

KPK evidenton se në raportin e ILDKPKI është pasqyruar se prokurori Lushi nuk ka deklaruar burimin financiar që ka shërbyer për blerjen e apartamentit me sip. 102.94 m², në vlerën 5.056.412 lekë, pasi në asnjë nga deklaratat e interesave private dhe ato periodike nuk ka deklaruar kursime të cilat kanë shërbyer si burim për blerjen e ½ pjesë të apartamentit.

Komisioni identifikon faktin se nga hetimi administrativ rezulton se edhe në deklaratën periodike për vitin 2013, subjekti nuk ka deklaruar burimin e krijimit të saj.

Hetimi i KPK ka gjetur paqartësi në deklaratat periodike në lidhje me gjendjen e likuiditeteve cash. Nisur nga kjo, komisioni shprehet se i ka kërkuar subjektit të deklaronte gjendjen në fund të çdo viti kalendarik, përsa i përkiste likuiditeteve në të holla cash, si dhe në bankë për periudhën e deklarimit 2003 – 2016, duke përfshirë edhe personat e lidhur.

Në vendim thuhet se prokurori Lushi ka deklaruar se për periudhën 2003 – tetor 2006, të ardhurat që ishin siguruar nga puna e tij ishin bërë pjesë e të ardhurave të familjes së origjinës. Ai ka pretenduar se shuma totale e kursimeve të tij dhe bashkëjetueses nga tetori i vitit 2006 deri në dhjetor të vitit 2013 ishin afërsisht në vlerën 3.127.256 lekë dhe se me këto para ka mbuluar blerjen e pasurive si dhe shpenzimet për arredimin e apartamentit.

Analiza financiare e KPK ka konkluduar se subjekti nuk kishte pasur burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e gjysmës së apartamentit në Elbasan, se nuk kishte deklaruar në deklaratën për vitin 2013, burimin e krijimit të të ardhurave nga ana e tij dhe babait. I pyetur nga komisioni, prokurori Fatmir Lushi ka shpjeguar se përveç të ardhurave të tij dhe të bashkëjetueses nuk kishte pasur të ardhura të tjera.

KPK ka hetuar edhe në lidhje me shpenzimet për arredimin e apartamentit duke u bazuar në deklarimet e subjektit, ku vlera e pasqyrohet afërsisht 1.4 milionë lekë të investuara në pjesë të barabarta, nga të ardhurat e familjes së tij dhe të babait.

Komisioni ka gjetur se subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme edhe për të përballuar 50 % të vlerës së arredimit të shtëpisë në këto vite. Nisur nga analiza financiare, trupi gjykues, ka arritur në përfundimin se prokurori Lushi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu pasaktësi lidhur me mos pasqyrimin e shtëpisë së dajës në përdorim pranë Shkollës së Policisë, ku Lushi kishte lidhur edhe kontratë me OSHEE për pagimin e energjisë elektrike në vitin 2011, ndërkohë që në deklarimet periodike 2008-2012 e kishte deklaruar si adresë banimi.

Tjetër pasaktësi e evidentuar gjatë hetimi administrativ ka qenë edhe mosdeklarimi i burimit të krijimit të një sipërfaqe toke 276 m2 në Tiranë, në vlerën e 96.600 lekëve. Por nga analiza financiare ka rezultuar se ai ka pasur burime të mjaftueshme për blerjen e kësaj sipërfaqe toke.

Lidhur me kriterin e pasurisë, trupi gjykues i KPK-së ka arritur në përfundimin se drejtuesi i Prokurorisë së Fierit i caktuar përkohësisht aty ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, nuk ka bërë deklarim të saktë, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për sa i përket mbajtjes së gjendjes cash jashtë sistemit bankar dhe se shpjegimet e tij nuk kanë qenë bindëse për sa i përket vlerës së shpenzuar për pasurinë tokë-arë me sipërfaqe 207 m2 të blerë në vitin 2011.

Në përfundim të rivlerësimit për kriterin e pastërtisë së figurës dhe deklarimit të pasurisë, më datë 26 mars 2019, treshja gjykuese e KPK-së e përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Brunilda Bekteshi Relatore dhe Xhensila Pine anëtare kanë vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Fatmir Lushi.