Pika të reja kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të shkurtonin rrugë dhe do të krijonin më shumë mundësi për banorët, por me gjithë premtimet dhe inaugurimet, ato mbeten pezull.
Udhëtimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të duhej të ishte ndër më të thjeshtët në Ballkan për shkak të lehtësive kufitare mes dy vendeve, por hapja e pikave të reja doganore që do shkurtonin rrugët nuk duket po kaq e lehtë.
Me gjithë kërkesën nga banorët e zonave kufitare për më shumë pika të kalimit, e fundit që është hapur mes dy vendeve regjistrohet në vitin 2003, ndërsa një postë që u inagurua si e tillë, me shpresën se do të lidhte dy brigjet e liqenit në 2006 nuk funksionoi asnjëherë.
Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vizitoi Shkodrën dhe premtoi se mundësi të tilla po shiheshin sërish.
“Ne kemi vendosur një axhendë zhvillimore në tryezë me Malin e Zi, ku kërkojmë jo vetëm thjesht modernizimin e pikave të kalimit kufitar mes dy vendeve, por dhe hapjen e pikave të reja sidomos aty ku është bërë investim nga ana jonë,” tha Bushati.
Rruga e re në Kelmend të Malësisë së Madhe që lidh Shqipërinë me Malin e Zi ka rihapur diskutimin për një pikë kalimi në këtë aks rrugor që shërben si urë për dy pjesë me popullsi shqiptare, Kelmendin dhe Plavën e Gucinë, që ndodhen përtej kufirit në Malin e Zi.
Lëvizjet në dy anët e kufirit që nga viti 2003 kur u ngrit pika e kalimit kufitar të Gërçarës janë shtuar, por së fundmi me vënien në funksionim të rrugës së re ka bërë që sipas ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, të shihet mundësia e hapjes edhe të pikave të tjera kufitare mes dy vendeve.
Sipas Bushatit kjo do të rriste shkëmbimet mes Shqipërisë e Malit të Zi dhe do i jepte hov turizmit.
“Është një lloj interesi i shtuar nga ana jonë edhe përsa i përket shqiptarëve që jetojnë rreth e qark kufirit. Besoj se në muajt në vijim do të kemi lajme të mira,” ka theksuar ministri Bushati .
Nazif Cungu, kryetari i Komunës së Ulqinit të banuar kryesisht nga shqiptarë të Malit të Zi foli konkretisht për një pikë të tillë gjatë prezantimit të Planit Hapësinor të Komunës së Ulqinit.
“Po ashtu ky plan përmbush edhe kërkesën tonë për ta zgjeruar rrugën e Shtojit nga dy në katër korsi dhe për të ndërtuar një pike të re kufitare në Bunë. Kjo pikë e re kufitare me urën përkatëse do ta afrojë më shumë Ulqinin me Tiranën dhe Prishtinën dhe do ta integrojë ofertën turistike të bregdetit tonë me atë të Velipojës,” tha Cungu. Bushati nga ana e tij nuk përmendi pika konkrete.
Një pikë kufitare mbi Bunë u inagurua një herë në krahun shqiptar në vitin 2006. Madje pati një cermoni festive, ku merrnin pjesë shumë qytetarë e drejtues vendorë e qendrorë nga dy vendet. Ajo u shpall e hapur më 18 qershor në prani të deputetëve të Shkodrës, ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, ish-ministres së Integrimit, Arenca Troshani dhe drejtuesve të tjerë të rëndësishëm.
Madje pranë molit të Urës së Bunës u ankoruan dy tragete turistike dhe ardhja e tragetit me shtetas malazezë nga Vierpazari tek Ura e Bunës shënoi edhe momentin e prerjes së shiritit të inagurimit të kësaj pike kalimi kufitar liqenore. Shqipëria shkoi më tej, ku me një vendim të qeverisë që ishte marrë disa ditë para këtij inagurimi, në postën e ngritur enkas u stacionuan edhe punonjës të policisë që do i shërbenin kësaj pike të kalimit kufitar. Por siç i thanë BIRN drejtues lokalë, pika nuk funksionoi asnjë ditë edhe pse policët shqiptarë shërbyen aty për një vit.
Prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani i tha BIRN se pika kufitare tek Ura e Bunës ka qenë një dëshirë dhe përpjekje e qeverisë shqiptare, por që nuk gjeti përkrahjen dhe zyrtarizim nga pala malazeze. Radovani thotë se në mungesë të fluksit të turistëve mes dy vendeve, këto pika mund të kenë vetëm leverdi sezonale, por se kërkesat e palës shqiptare nuk kanë gjetur mbështetje në anën tjetër.
“Qeveria malazeze nuk ka interes për të investuar në infrastrukturën që e lidh me Shqipërinë ndaj dhe në pjesën malazeze, afër kufirit dhe pikave të kalimit kufitar nuk ka rrugë të gjera bashkëkohore, thellim të lumit Buna, ndërhyrje në liqenin e përbashkët etj. Ata duan t’i lënë gjërat siç janë, në natyrën e tyre,” tha Radovani.
Por ai thotë se një pikë e re e kalimit kufitar në Grabonit në Kelmend mund të realizohet dhe për të është rënë dakord, pasi kjo thotë ai “u shërben më së shumti qytetarëve malazezë të Plavës, Gucisë, përfshirë dhe shqiptarë, të cilët nuk kanë nevojë t’i bie rrotull (për të shkuan në Podgoricë), por u shkurton rreth 2 orë rrugë”.
Po ashtu gjatë stinës së dimrit, kur Kelmendi bllokohet nga dëbora, banorët e kësaj zone shkojnë drejt Plavës dhe Gucisë për të bërë tregti, ndërsa pikat kufitare dhe rrugët e reja do të ishin një mundësi më shumë për ta.