Dhjetëra punëtorë shqiptarë u bllokuan në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, pasi ky i fundit imponoi rregulla të ashpra kalimi në përpjekje për të ndaluar përhapjen e COVID-19, përfshi një certifikatë vaksinimi.
Dhjetëra punonjës shqiptarë nuk u lejuan të futen në Malin e Zi mëngjesin e të martës për shkak se vendi fqinj ka vendosur masa të reja kundër COVID-19. Refuzimi ka krijuar tensione dhe përplasje mes punonjësve sezonalë dhe policisë malazeze dhe një protestë në tokën neutrale por që nuk ka ndryshuar situatën.
Për tu futur në Malin e Zi qytetarët duhet të jenë të pajisur me certifikatë vaksinimi, test negativ të 72 orëve të fundit ose të vërtetojnë që kanë kaluar COVID-in jo më herët se 14 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testimi pozitiv.
Disa nga punonjësit thanë se u kthyen pas edhe pse kishin bërë vaksinat, por dokumentacioni i tyre nuk rezultonte i plotë.
“Problemi jonë është që sot nuk mund të kalojmë. Ne e kemi bërë vaksinën, por nuk na pranojnë. Kam bërë Pfizer. Këta na thanë që duhet të kenë edhe kodin personal, ky është diskriminim”, tha një qytetar.
Të tjerë thanë se testet e shpejta që kishin bërë nuk ishin pranuar. Atyre nuk u njihej testi i shpejtë i bërë në Drejtorinë e Shëndetit Publik. Të tjerë thanë se ishin kthyer pasi kishin bërë vetëm një dozë të vaksinës.
“Unë kalova dje në Kosovë pa probleme sot na krijojnë probleme në Malin e Zi, ne duam vetëm të fitojmë bukën e gojës, shteti gjoja bën bisedime për Ballkan të Hapur por për ne nuk mendon kush”, u shpreh një i ri shqiptar pasi u kthye prapa nga policia malazeze.
Një tjetër pretendoi se kushtet për test ishin të vështira për tu përmbushur. “Kërkojnë test që bën 23 euro, ndërkohë që ne punojmë për 25 euro në ditë” tha ai pasi ishte kthyer nga Policia e Kufirit malazez.
Policia malazeze ka sqaruar se të gjithë qytetarët e huaj që duan të udhëtojnë në Mal të Zi duhet të plotësojnë kushtet kundër COVID-19 ose të pranojnë që do të karantinohen deri në rezultatet e një testi negativ.
Pandemia ka shkaktuar vdekjen e të paktën 4.6 milion njerëzve në mbarë botën dhe miliona të tjerë kanë vuajtur pasoja të rënda të sëmundjes.
Në përpjekje për të ndaluar përhapjen shtete të ndryshme që prej fillimit të vaksinimit masiv po kërkojnë të imponojnë vaksinim të popullatës duke vendosur kushte për udhëtimin apo shërbime të ngjashme.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, prej fillimit të vaksinimit në janar 2021 janë kryer në total 1,579,402 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 693,421 qytetarë i kanë marrë të dy dozat e vaksinës antiCOVID.