Sipas ekspertëve kushtetues të Komisionit të Venecias, presidenti Ilir Meta nuk pati argumente bindëse për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve dhe se akti i tij përbën dhunim të të drejtave të njeriut, por komisioni ngre gjithashtu pikëpyetje nëse një shkarkim i presidentit nga parlamenti i shërben apo jo unitetit të popullit?
Komisioni Europian për Demokraci Përmes Ligjit publikoi të hënën opinionin e vet mbi hetimin e parlamentit shqiptar ndaj presidentit të vendit Ilir Meta, ku sjellja e Metës para zgjedhjeve të 30 qershorit konsiderohet në tërësi në shkelje të kushtetutës dhe e pajustifikuar, por vetë shkarkimi i presidentit, i kërkuar nga shumica parlamentare socialiste, konsiderohet si ndoshta i pajustifikueshëm si dhe këshillohet që parlamenti të marrë parasysh problemin politik nëse një shkarkim i mundshëm prodhon efekte pozitive apo negative për klimën politike të vendit.
Në një raport me 19 faqe [kliko këtu për të parë raportin e plotë në anglisht], ekspertët që njihen më së shumti si “Komisioni i Venecias” për shkak se i kryejnë takimet në qytetin italian të Venecias, thonë se presidenti Ilir Meta nuk kishte fuqitë kushtetuese për të tërhequr dekretin për datën e zgjedhjeve dhe se vendimi i tij nuk mund të justifikohet me supozimin e një gjendjeje të jashtëzakonshme ndërsa anulimi/shtyrja e datës së zgjedhjeve përbën një shkelje të të drejtave të njeriut.
Por pasi rendit argumentet kundër veprimit të presidentit, komisioni argumenton se kriteri i kushtetutës shqiptare për shkarkimin e presidentit, konkretisht “shkelje të rëndë të kushtetutës” mund të mos jetë i plotësuar në këtë rast ndërsa duket se këshillon Kuvendin e Shqipërisë të shohë çështjen në kuadër politik dhe, para se të vendosë për shkarkimin apo jo të Metës duhet të pyesë nëse një veprim i tillë sjell përmirësim të klimës politike në vend apo përkeqësim të saj. Ekspertët e konsiderojnë edhe situatën me Gjykatën Kushtetuese si një gjendje “jo-optimale” për të shqyrtuar një çështje të tillë të debatueshme si shkarkimi i një presidenti.
Dokumenti me 103 paragrafë merr përsipër të interpretojë edhe një pjesë jo të vogël të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe intepretim gjuhësor, për të cilin, ekspertët kanë vënë edhe një pikëpyetje për shkak se janë ndjerë të pasigurt nëse kuptimi në shqip është i njëjtë me variantin e përkthyer në anglisht.
Pas publikimit të raportit të plotë, palët politike vijuan të lexojnë paragrafë të tij në mënyrë selektive në mbështetje të pozicionit të vet. Presidenti Ilir Meta publikoi një dekaratë ku shkruhet mes të tjerash se sipas tij, komisioni i i tha atij të drejtë në mënyrë të paekuivoke duke deklaruar se “Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.” [Link deklarata e Metës]. Ndërkohë, Taulant Balla vendosi të vijojë të lexojë vetëm ato paragrafë të Venecias që mbështesin argumentin e tij duke lënë mënjanë pikëpyetjet mbi sa e rëndë ishte shkelja.
E drejta për tërheqjen e dekretit
Ekspertët e Venecias shqyrtuan fillimisht çështjen nëse presidenti i republikës kishte të drejtë të tërhiqte dekretin e tij të caktimit të datës së zgjedhjeve. Argumenti pro presidentit ishte që, duke qenë se presidenti është institucioni i vetëm i ngarkuar për caktimin e datës së zgjedhjeve, ai mundet gjithashtu të ketë të drejtë të shtyjë për më vonë ato. Ekspertët argumentuan se e drejta negative, dmth., për të anuluar dekretin që ai vetë ka marrë, i njohur në latinisht si actus contrarius nuk është i zbatueshëm në tërësi për çështje që prekin të drejtat e njeriut dhe kjo vlen si për aktet administrative të zakonshme, ashtu edhe për çështje të tilla si zgjedhjet.
“Parimi actus contrarius nuk është tërësisht i aplikueshëm në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut për shkak se çdo kufizim i të drejtave të njeriut duhet të përputhet me parimin e proporcionalitetit,” shkruajnë ekspertët në raport. “Anulimi apo shtyrja e zgjedhjeve prek drejtpërsëdrejti të drejtën e votës, e cila është e drejtë e njeriut,” vijojnë më tej ekspertët.
Venecia argumenton se çfarëdolloj akti administrativ është vështirë që të tërhiqet për shkak se sapo publikohet, ai krijon doemos pritshmëri juridike. Në rastin e zgjedhjeve, kjo do të thotë se palët pjesëmarrëse kanë nevojë të dinë me siguri se kur do të zhvillohen zgjedhjet dhe me çfarë kushtesh, ndërsa kjo siguri shkatërrohet në rast se data e zgjedhjeve ndryshon.
Kërcënimi për djegien e parlamentit
Raporti vëren se një nga argumentet e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve ishte një raport i shërbimeve sekrete për një plan për djegien e parlamentit më 8 qershor 2019. Meta mësohet se i ka thënë ekspertëve të Venecias se pikërisht për të shmangur këtë rrezik, ai e shpalli publikisht tërheqjen e dekretit për datën e zgjedhjeve më 8 qershor, ndërsa dekretoi tërheqjen dy ditë më vonë.
Po sipas raportit të Venecias, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj raportohet se i ka thënë ekspertëve që edhe ai e kishte marrë të njëjtin raport nga shërbimet sekrete, por sipas tij, “rreziku ishte i menaxhueshëm”.
Ekspertët thonë se ata nuk janë në gjendje të gjykojnë se cila është e vërteta mes këtyre dy varianteve, por argumenton në parim, nëse një dekret për anulimin e zgjedhjeve është i justifikueshëm në bazë të argumentit të gjendjes së jashtëzakonshme apo nevojës për të “shmangur një rrezik për konflikt civil”. Në konkluzion, ekspertët vërejnë se presidenti nuk është në pozicionin për të ndërmarrë veprime të tilla për shkak se kushtetuta ia ngarkon Këshillit të Ministrave të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, në rast se një gjendje e tillë ekziston.
“Fuqitë e jashtëzakonshme të nënit 170 [të kushtetutës] nuk mund të shërbejnë si bazë ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve nga presidenti. Presidenti mundet vetëm t’i referohet një situate krize që është poshtë nivelit të kërkimit të veprimit në bazë të nenit 170. Gjithsesi, Kushtetuta e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë mosmbajtjen e zgjedhjeve me gjendjen e jashtëzakonshme. Një ‘nivel më i ulët’ krize për rrjedhojë nuk mund të justifkojë anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve nga një organ publik që nuk ka fuqi ligjore për ta bërë këtë,” shkruhet në raport.
Mungesa e garës në zgjedhje
Ekspertët pranojnë se bojkoti i zgjedhjeve për pushtetin vendor nga ana e partive kryesore të opozitës është një ngjarje e pazakontë që ka shumë pak precedentë nga ku mund të nxjerrësh konkluzione. Ata i japin vetes të drejtë të komentojnë edhe mbi meritat e bojkotit të opozitës si mjet politik.
“Shpesh, partitë politike zgjedhin të marrin pjesë në zgjedhje të dyshimta në të cilat mendohet se ka akte mashtrimi, të dyshuara apo të bazuara, në vend që të mos marrin pjesë fare,” shkruhet në raport. “Studimet shkencore mbi pasojat e bojkotit janë mosmiratuese, por sugjerojnë më së shumti se bojkoti zakonisht nuk sjell reforma të gjera, së paku në terma afatshkurtër.
Ekspertët dalin në konkluzionin se shtyrja e zgjedhjeve nuk është një zgjidhje për problemin e bojkotit, por ndërkohë pranojnë se Meta, përmes aktit të shtyrjes së zgjedhjeve mund të ketë pasur qëllim legjitim që të kryejë funksionin e vet si person mbi palët për të arritur një zgjidhje kompromisi. Por në këtë rast argumentohet se pavarësisht nëse kishte apo jo qëllim të ligjshëm, presidenti nuk ka fuqi ligjore për të vepruar.
“Nëse synimi i shtyrjes së zgjedhjeve apo anulimit të vendimit të mëparshëm për datën e votimit ishte që palët të hynin në bisedime për të garantuar të drejtën e votuesve për të zgjedhur, atëhere ka pasur së paku një qëllim të ligjshëm për shtyrjen,” thuhet në raport. “Shmangja e një konflikti të mundshëm në shoqëri dhe ruajtja e demokracisë mund të konsiderohet një qëllim legjitim për shtyrjen e zgjedhjeve,” shkruhet në raport ku shtohet: edhe nëse presidenti ka ndjekur një qëllim të ligjshëm, as kushtetuta dhe as kodi zgjedhor nuk jep asnjë pushtet për presidentin për të anuluar zgjedhjet dhe për të caktuar një datë të re.
Zgjidhje politike për procedurën e shkarkimit
Pasi rrëzon argumentet e presidentit për sjelljen e tij para zgjedjeve të 30 qershorit, raporti ngre pikëpyetje nëse objekti i punës së komisionit hetimor parlamentar që socialistët kanë krijuar me synimin e shkarkimit të Metës mundet të gjejë që shkelja e Metës me zgjedhjet përbën shkelje “të rëndë” të kushtetutës, apo jo. Sipas nenit 90 pika 2 e kushtetutës, presidenti “mund të shkarkohet për shkelje të rëndë”.
“Nëse me të vërtetë anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve vendore tejkaloi fuqitë e presidentit, siç u shtrua më sipër, parlamenti dhe komisioni hetimor duhet të marrë parasysh një numër faktorësh të cilat ngrenë pikëpyetje nëse ky akt është i një natyre mjaftueshëm serioze”, shkruhet në raport.
Ekspertët analizojnë kontekstin e politikës shqiptare për të argumentuar se kjo shkelje mund të mos plotësojë kriterin kushtetues të “shkeljes së rëndë”, përfshirë faktin që kriza të tilla ka pasur në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri dhe se këto kriza janë zgjidhur zakonisht me marrëveshje politike të orës së fundit, fjala vjen, në vitin 2017 kur opozita u lejua të regjistrohet me vonesë në zgjedhje, ose në vitin 2007, kur Rama refuzoi të hyjë në zgjedhje vendore duke sjellë shtyrjen e tyre me një muaj.
Ekspertët argumentojnë më tutje se zgjedhjet e shtyra janë vendore dhe jo parlamentare, dhe kjo duket se përbën argument për të konsideruar shkeljen si jo të rëndë.
“Të marra së bashku, këto faktorë mund të përbëjnë elementë për parlamentin që shtyjnë drejt mendimit se anulimi dhe më vonë shtyrja e zgjedhjeve vendore mund të mos plotësojë kriterin detyrues të seriozitetit të mjaftueshëm në rrethanat që kërkojnë shkarkim nga detyra”.
Faktori politik
Në tërësi, ekspertët e Venecias duket se i bëjnë thirrje parlamentit të shqyrtojë procesin e shkarkimit të Metës si një proces vendimmarrjeje politike. Ata argumentojnë se kushtetuta e Shqipërisë lë hapësirë për një vendimmarrje të tillë edhe në rast se parlamenti gjykon që shkelja e presidentit ka qenë mjaftueshëm e rëndë sa për të justifikuar shkarkimin e tij.
Kushtetuta e përdor fjalën dhunim në shumës, argumenton Venecia dhe për këtë arsye, edhe nëse parlamenti e gjen shkeljen si të rëndë, ajo mund të vetëpërmbahet nga shkarkimi i Metës.
“Komisioni i Venecias nuk mund të këshillojë mbi këtë çështje, por do t’i takojë Seancës Plenare të parlamentit të vendosë nëse një shkarkim mundet të reduktojë apo të rrisë tensionet dhe në instancë finale t’i shërbejë objektivit të kontrolleve dhe balancave të ndërsjellëta në një situatë ku parlamenti dhe të gjitha partitë janë të dominuara nga e njëjta parti,” shkruhet në raport.
Venecia e mbështet këtë opinion edhe me faktin që, një gjykatë kushtetuese, nëse i plotësohen vakancat sa për të marrë vendim për shkarkimin e Metës, nuk do të jetë në kushte optimale për të marrë një vendim të tillë. “Ndërsa përbërja e gjykatës kushtetuese është gjithmonë me shumë interes për aktorët politik, duke pasur parasysh rastin konkret kur gjyqtarët janë zgjedhur, kjo nuk përbën një rrethanë ideale për garantimin e pavarësisë së tyre,” shkruhet në raport.
Aktualisht gjykata kushtuese është drejt riformimit pasi u shpartallua nga reforma në drejtësi, por kriteri ligjor për një trupë të tillë është zgjedhja me rotacion e nëntë anëtarëve të saj për një periudhë nëntëvjeçare për t’u siguruar që kjo trupë të mos dalë nga një gjendje e caktuar pushteti në një kohë të caktuar. Për këtë arsye gjykata konsiderohet jooptimale, por gjithsesi Venecia thekson menjëherë pas kësaj se ky problem “nuk pret ligjshmërinë e gjykatës”.
Sipas Venecias, pyetja që ngrihet mbi parlamentin nga e gjitha kjo mund të jetë: a i shërben opsioni i shkarkimit unitetit të popullit?