Qindra të pasionuar pas Vespës morën pjesë në paradën e përvitshme të Vespës në Tiranë gjatë kësaj fundjave, për të festuar së bashku dashurinë dhe besnikërinë për motorin ikonë italian.
Që prej viteve ’90 motori ikonë italian, Vespa, ka tërhequr të pasionuar nga Shqipëria të cilët i kanë qëndruar besnikë prej dekadash.
Një stil jetese, më shumë se një mjet transporti, fanatikët e Vespës në Tiranë u mblodhën të shtunën për të festuar së bashku dashurinë për motorët e tyre shumëngjyrësh.
Shpëtim Ahmetaj, i cili kryeson grupin Vespa Fanatiks në Tiranë, tha për BIRN se lidhja e tij me Vespën vazhdon prej 20 vjetësh në mënyrë të pandashme.
“Këto lloj aktivitetesh shërbejnë edhe të apasionuarit nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm,” tha për BIRN Ahmetaj, duke shtuar se vespa ka mbi 1000 përdorues në vend.
Për të pestin vit radhazi, parada Vespa bëri bashkë klube të pasionuarish nga Durrësi, Elbasani, Shkodra, por edhe miq të ardhur nga Kroacia dhe Kosova.
“E përcjellim çdo vit [Vespa Parade në Tiranë]. Ka entuziastë, vespaxhinj, vespistë i thirrim ne në një numër të madh, çdo vit po shtohet edhe në Kosovë,” tha për BIRN Dren Menda, nga Vespa Prishtina.
Ai shtoi se vespa është për ta një mjet transportues por në të njëjtën kohë e ka një jetë edhe mbas, një ‘Vespa thing’ shtoi ai.
Dizajni, inxhinieria, prakticiteti dhe historia e pasur janë vetëm disa nga arsyet përse Vespa ka zënë një vend në zemrat e të gjithë besnikëve të saj nëpër botë.