“Duke i lejuar gratë të zgjedhin nëse dhe sa fëmijë duan të kenë, familjet më të varfra dhe vendet në zhvillim do të kenë një shans të dalin nga mjerimi”, shkruan Yoriko Yasukawa.
I ndodhur në një pyll të largët në kufi me Vietnamin, fshati Labangkhok është një nga më të varfrit në Laos. Shpesh largohet nga bota e jashtme për disa muaj çdo vit, pasi shirat e dendur i bëjnë rrugët të pakalueshme prej baltës. Megjithatë gjërat po përmirësohen: panelet diellore po shfaqen në zonë, një shenjë e infrastrukturës më të mirë dhe familjet po bëjnë më pak fëmijë, duke i dhënë atyre mundësinë të planifikojnë më mirë për të ardhmen – dhe duke bërë këtë, nxisin gjithashtu zhvillimin e vendit të tyre.
Agnod, në fund të të 50-ave i ka ofruar grave dhe burrave të Labangkhok dhe katër komuniteteve të afërta pilula kontraceptivi, kondom dhe këshilla shëndetësore. Një shpërndarës i trajnuar nga qeveria, Agnod dhe të tjerë si ai kanë ndihmuar në pakësimin e vdekjeve mëmësore dhe foshnjore, dhe rreziqeve të tjera shëndetësore të lidhura me shtatzëninë e padëshiruar. Ata kanë inkurajuar gjithashtu hapësirën e duhur kohore mes lindjeve që gratë të mund ta marrin veten plotësisht.
Nga 2012 deri në 2015, norma e vdekjes mëmsore ra me 42 për qind nga 357 për 100,000 lindje në 206, duke e tejkaluar shënjestrën e vendit të përfshirë në Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Tani, në këtë periudhë të Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Laos është i angazhuar të pakësojë vdekjet mëmësore në 180 për 100,000 lindje. Duhet të arrijë këtë objektiv nëse do të kalojë statusin e vet si një nga vendet më pak të zhvilluara në botë deri në vitin 2020.
Planifikimi familjar, nën ombrellën më të gjerë të shëndetit seksual dhe drejtave të riprodhimit, është vërtet qëndror për begatinë e këtij vendi të vogël – një histori që mund të përsëritet në të gjithë rajonin dhe botën.
Kalimi nga shansi në zgjedhje
Në vitin 2017, 1.6 miliard gra në moshë riprodhimi jetojnë në rajone në zhvillim. Afërsisht gjysma e tyre – 885 milionë – duan të shmangin shtatzëninë. Rreth 214 milionë nga këto gra që duan të shmangin shtatzëninë e shohin të vështirë, në mos të pamundur, ta bëjnë këtë. Në terma të parandalimit të shtatzënisë, 59 milionë përdorin metoda tradicionale jo të besueshme, duke reflektuar një nevojë të lartë dhe të papërmbushur për kontraceptivë modernë. 155 milionë të tjerë nuk përdorin aspak kontraceptivë.
Numri më i madh absolut i grave me një nevojë të paplotësuar për kontraceptivë modernë – 70 milionë – gjenden në Azinë Jugore, ku norma e përgjithshme e vdekjes mëmësore mbetet e lartë. Në vendet ku shërbimet e planifikimit familjar janë përhapur, më pak gra vdesin gjatë lindjes së fëmijëve. Zgjerimi i planifikimit familjar gjithashtu ndikon në pakësimin e varfërisë. Me më pak fëmijë, familjet mund të investojnë më shumë në shëndetësi dhe arsim, që në këmbim e bën të ardhmen e punëtorëve më produktive dhe më në gjendje të fitojnë të ardhura më të larta.
Planifikimi familjar gjithashtu mbron shëndetin e grave, duke e ulur shpenzimin e kujdesit shëndetësor, si për familjet dhe shoqërinë. Në fakt, asnjë vend në 50 vitet e fundit nuk ka dalë nga varfëria pa zgjeruar aksesin te kontraceptivët.
Duke i lejuar dhe dhënë mundësitë grave të zgjedhin nëse dhe sa fëmijë duan të kenë, planifikimi familjar i fuqizon ato. E drejta dhe aftësia për të kontrolluar lindshmërinë është një gur themeli për barazinë gjinore – pa të, të drejtat e tjera nuk janë të mundura. Me kontroll të lindjeve, vajzat mund të qëndrojnë në shkollë në vend që ta braktisin atë dhe gratë mund të trajnohen më mirë për të siguruar punësim të mirëpaguar. Siç thotë edhe Raporti Global i Hendekut Gjinor 2016, ndërsa barazia gjinore forcohet në një vend, perspektivat ekonomike forcohen gjithashtu.
Efekt domino
Ndërsa festojmë pasojat pozitive të planifikimit familjar, sfida të mëdha mbeten përpara, të cilat mund të çojnë në një efekt domino.
43 për qind e 206 milionë shtatzënave në vendet në zhvillim vijnë aksidentalisht – ato ose ndodhin shumë shpejt ose nuk dëshirohen.
Nga 127 milionë gra që lindin çdo vit në vendet në zhvillim, një pjesë e madhe e tyre nuk marrin kujdes thelbësor për nënat dhe për të porsalindurit. Më pak se dy e treta e tyre marrin katër vizitat minimale të kujdesit mëmësor dhe vetëm tre të katërtat lindin në një institucion shëndetësor.
Këtë vit, rreth 308.000 gra në vendet në zhvillim do të vdesin nga shkaqe të lidhura me shtatzëninë dhe lindjen, me rreth 85.000 të këtyre vdekjeve në rajonin Azi-Paqësor. 2.7 milionë të tjerë do të vdesin në muajin e parë të jetës – 1.3 milionë prej tyre në rajon.
Dollarë dhe konteksti
Nëse të gjitha nevojat e paplotësuara për kontraceptivë modern përmbushen në rajonet në zhvillim, do të shihnim një rënie 75% të shtatzënive dhe lindjeve të paplanifikuara, si dhe aborteve të shkaktuara.
Nëse do t’i jepnim kontraceptivë modernë të gjitha grave që duan të shmangin shtatzëninë dhe kujdes të plotë shëndetësor nënave dhe të porsalindurve, do të shihnim një rënie dramatike të vdekjeve mëmësore, nga 308.000 në në 84.000 në vit globalisht. Vdekjet e të porsalindurve do të binin nga 2.7 milionë në 541.000 në vit.
Kostoja vjetore e vlerësuar e shërbimeve të kontraceptivëve modern në rajonet në zhvillim, për më shumë se 670 milionë gra që aktualisht i përdorin këto metoda, është 5.5 miliardë dollarë. Në fakt kjo është më pak se një dollar për person, në vit – 88 cent për të qenë i saktë.
Zgjerimi dhe forcimi i shërbimeve për të përmbushur të gjitha nevojat e grave për kontraceptivë në rajonet në zhvillim do të dyfishonte koston aktuale në 11 miliardë dollarë në vit, që është ndryshe 1.75 dollar për person.
Nëse do të shkonim edhe më larg dhe do të plotësonim nevojat për kontraceptivë modernë dhe kujdes shëndetësor për nënat dhe fëmijët, do të kushtonte 52.5 miliardë në vit – 8.39 dollarë për person – në rajonet në zhvillim. Investimi në këto shërbime do të rezultonte në një kursim neto prej 7.1 miliardë dollarë, duke parë efikasitetin e kostos krahasuar me investimin në kujdesin shëndetësor për nënën dhe të porsalindurin vetëm.
Nëse këto shifra duken të larta, kini parasysh se bota shpenzoi 1.69 trilion ose 150 herë më shumë, në ushtritë e vendeve në vitin 2016.
E kemi ditur prej kohësh se kostoja e parandalimit të një shtatzënie të padëshiruar nëpërmjet kontraceptivëve modern është shumë më e ulët se kostoja e sigurimit të kujdesit për një shtatzëni të tillë. Studimet e fundit tregojnë se për çdo dollar shtesë të shpenzuar për shërbimet e kontraceptivëve mbi nivelin aktual, kostoja e kujdesit të lidhur me shtatzëninë do të binte me 2.30 dollarë.
Duhet t’i shpërndajmë të gjitha këto fakte dhe shifra se si planifikimi familjar çon në përfitim për shoqëritë duke përdorur kosto relativisht të vogla, për të siguruar që të merren parasysh në debatet kombëtare gjatë krijimit të buxheteve.
Qeveritë kombëtare, përfshirë edhe parlamentet, kanë përgjegjësinë kryesore për të siguruar të drejtën e shërbimit shëndetësor të nënës dhe fëmijës si dhe planifikimin familjar për të gjithë shtetasit. Por vendet donatore dhe organizatat ndërkombëtare kanë gjithashtu detyrimin t’i japin prioritet këtyre shërbimeve në alokimin e burimeve për bashkëpunim zhvillimor.
Fuqizim i njerëzve, zhvillim i kombeve
Vlerësimet e fundit sugjerojnë se deri në vitin 2020 mungesa vetëm e kujdesit kontraceptiv do të jetë 700 milionë dollarë, ku gratë dhe vajzat më të varfra në vendet në zhvillim në veçanti do të përballen me shtatzëni të paplanifikuar ose të padëshiruar.
Qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, mediat – të vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara – si dhe OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare duhet të punojnë së bashku për të mobilizuar burimet e nevojshme dhe për të parandaluar që kjo tragjedi të ndodhë.
Një përpjekje e tillë kolektive përfshin kundërshtimin e valës në rritje të konservatorizmit politik dhe socio-kulturor që kërkon të kufizojë të drejtat e njerëzve, veçanërisht të grave, për të vendosur lirisht nëse, kur dhe sa fëmijë duan të kenë.
Këto gra si Du, në të njëzetat e hershme në fshatin Labangkhok të Laosit, të cilat marrin injektim afatgjatë kontraceptivi nga Agnod, shpërndarësi i tyre, i kanë larguar asaj shqetësimin e një shtatzënie të padëshiruar dhe e lejojnë të kujdeset më mirë për të ardhmen e dy djemve të saj.
Nëse do t’i jepnim Dusë dhe milionave të tjerave si ajo ndihmën e dëshiruar, dhe do të ndihmonim shtete të tëra të zhvilloheshin në këtë proces, bëjmë mirë të veprojmë tani për të mos i lënë ato dhe brezat e ardhshëm në baltë.
*Titulli është i redaksisë. Marrë me autorizim nga Weforum.org