Analize29 Sep 2018

Vetëm gjysma e shtretërve në spitalet shqiptare shfrytëzohen

Të dhënat statistikore të shfrytëzimit të shtretërve të analizuara nga BIRN, tregojnë se më shumë se gjysma e shtretërve në spitalet shqiptare gjatë vitit të shkuar ishin bosh, një normë kjo shumë më e ulët se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Sipas institutit kombëtar të statistikave, INSTAT, në vitin 2017 në Shqipëri kishte 55 spitale nga të cilat 42 janë spitale publike dhe 13 janë spitale private. Në total numri i shtretërve në spitale ishte 8853, i cili përkthehet në 3 shtretër për 1000 banorë.

Nga këto shtretër 8163, ose 92 për qind e totalit të shtretërve ndodhen në spitalet publikë, të cilët përbëhen nga 4 spitale universitare, 11 spitale rajonale dhe 24 spitale bashkiake.

Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, shfrytëzimi i shtratit në spitale është një nga indikatorët më të rëndësishëm të eficencës spitalore. Në total në spitalet publike që kanë kontratë me FDSKSH në vitin 2017, numri i shtrimeve ishte 284,269.

Ndërsa sipas INSTAT shifra totale e ditë shtrimeve në të gjithë spitalet publike ishte 1.44 milionë, me një normë shfrytëzim për shtrat të barabartë me 48 për qind. Mesatarisht, një shtrat spitali në Shqipëri ka qenë i zënë 177 ditë gjatë vitit 2017.

Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se nga vitit 1999 deri në vitin 2017, norma e shfrytëzimit të shtratit në Shqipëri ka qenë e ngjashme, duke u luhatur nga 46% në 51 %. Krahasuar me normën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kjo normë është shumë e ulët.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë që në vendet anëtare të BE-së norma e shfrytëzimit të shtretërve spitalore gjatë njëjtës periudhë (1999-2017) ishte 75.4 %.

FSDKSH fajëson për eficencën e ulët në shfrytëzimin e shtretërve spitalet bashkiake. Sipas Fondit në vitin 2017, numri total i shtrimeve për spitalet rajonale ishte 104,128 pacientë, për spitalet universitare 143,016 pacientë dhe për spitalet bashkiake vetëm 37,125 pacientë.

Edhe pse 24 spitalet bashkiake në vend kanë 2063 shtretër ose 25 % të totali prej 8163 shtretër, ato regjistruan vetëm 13 % të shtrimeve gjatë vitit 2017.

Në raportin vjetor Fondi nënvizon që numri i shtrimeve në spitalet bashkiake ka rënë, ndërsa është rritur në spitalet universitare.

“Nga krahasimi i numrit të shtrimeve në spitalet universitare 2016-2017, [në] QSUT vihet re një rritje e konsiderueshme e numrit të shtrimeve për vitin 2017. Numri i shtrimeve gjatë vitit 2017 për spitalet universitare në total rezulton më i rritur krahasuar me vitin 2016 me 20.374 shtrime më shumë. Nga krahasimi i numrit të  shtrimeve për spitalet bashkiake me vitin 2016-2017 rezulton më i ulur me 5.144,” nënvizon Fondi në raportin vjetor.

Të dhënat e Fondit tregojnë që gjatë viti 2017, spitalet rajonale regjistruan 37% të shtrimeve. Megjithatë, kjo normë shfrytëzimi nuk ishte e njëtrajtshme në të gjitha spitalet rajonale dhe luhatej nga 27.9 % në Fier deri në një maksimale prej 57.2 % në Lezhë.

Spitale bashkiake jo vetëm që janë braktisur nga pacientët por ato regjistrojnë dhe kosto më të larta mesatare për trajtimin e tyre.  Një analizë e Fondit tregon se kostoja mesatare e trajtimit për pacient luhatet nga 37.7 mijë lekë në spitalet rajonale në 48.1 mijë lekë në spitalet bashkiake. Ndërsa, në pesë spitalet universitare të Tiranës kostoja është mesatarisht 40.4 mijë lekë për pacient.

Madje, disa nga spitalet bashkiake kanë kosto deri në 10 herë më të larta se mesatarja e trajtimit për pacient. Një analizë e BIRN e publikuar në mars, zbuloi se në krye të kësaj liste gjendet spitali i Mallakastrës, i cili u financua nga Fondi i Sigurimeve me 430 mijë lekë për pacient në vitin 2016, i ndjekur nga spitali i Peqinit me 335 mijë lekë dhe spitali i Delvinës me 243 mijë lekë për pacient.

Për sa i përket eficencës së shfrytëzimit të shtretërve, spitali i Peqin mban një rekord negativ, pasi sipas nëndrejtorit të këtij institucioni shëndetësor nuk pasur asnjë pacient të shtruar që nga viti 2005, po është kufizuar në dhënien e shërbimit ambulator.

Luhatja e madhe e kostove për pacient nxjerr në pah anomalitë e financimit të sistemit spitalor në Shqipëri, që sipas ekspertëve vazhdon të bëhet mbi baza historike dhe në anashkalim të treguesve të efektshmërisë apo nevojave të pacientëve.