Lajm3 Apr 2021

Vetëvendosja thirrje për ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet

Përpara një votimi parlamentar për të zgjedhur një president të ri, Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës paraqiti një mocion të befasishëm për të ndryshuar ligjin zgjedhor të vendit, duke sugjeruar se mund të priten përsëri zgjedhje të parakohshme.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Kryeministri Albin Kurti prezanton programin e tij qeverisës para deputetëve në Prishtinë më 22 mars. Foto: BIRN / Urim Krasniqi

Zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës mori një kthesë të re të premten kur grupi parlamentar i partisë Vetëvendosje kërkoi një takim kryesisë parlamentare për të shqyrtuar një kërkesë për të ndryshuar Ligjin mbi Zgjedhjet, duke sugjeruar që zgjedhje të parakohshme të reja mund të jenë në horizont, më pak se dy muaj pas zgjedhjeve të fundit të Kosovës.

Vetëvendosje, e cila ka më shumë deputetë në parlamentin e Kosovës, paraqiti papritur një mocion për të ndryshuar Ligjin mbi Zgjedhjet për të mundësuar anëtarët e diasporës së Kosovës të votojnë në ambasadat jashtë vendit, jo më nëpërmjet postës.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt, Vetëvendosja mori më shumë se 75 për qind të votave të hedhura nga jashtë.

Pas fitores së saj në zgjedhjet e shkurtit, Vetëvendosja ka mbështetur Vjosa Osmanin si kandidaten e saj për presidente – një rol që vendoset nga votat e deputetëve në parlament.

Por sipas rregullave, 80 nga 120 deputetët e parlamentit duhet të jenë të pranishëm që votimi për presidentin e ardhshëm të jetë i vlefshëm dhe janë ngritur pyetje nëse Lidhja Demokratike e Kosovës e opozitës, LDK, mund të përpiqet të bllokojë zgjedhjen duke mos u paraqitur për votim.

Disa ditë më parë, LDK-ja njoftoi se do të marrë pjesë në votim, por mediat lokale kanë raportuar se kuorumi ende qëndron në ekuilibër sepse tre deputetë të LDK-së nuk janë të sigurt nëse duan të bëjnë të mundur zgjedhjen e Osmanit, e cila u largua LDK-ja vitin e kaluar dhe garoi në listën e kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e shkurtit.

Një pengesë tjetër e mundshme është se që votimi të jetë i vlefshëm, dy ose më shumë kandidatë duhet të garojnë për këtë post. Për ta plotësuar këtë kusht, Vetëvendosja ka paraqitur rivalin e saj për Osmanin.

“Ne sot kemi paraqitur dy kandidatë për president: Vjosa Osmanin dhe Nasuf Bejtan”, tha për mediat të premten pasdite kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.

“Nëse parlamenti nuk arrin të zgjedhë një president, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme”, paralajmëroi Kusari Lila.

Partia Demokratike e Kosovës e opozitës, PDK, tha se nuk e mbështet iniciativën e Vetëvendosjes për të ndryshuar ligjin zgjedhor.

“Ne nuk jemi dakord që kjo çështje kaq shumë e rëndësishme duhet të adresohet me kaq urgjencë”, tha Bedri Hamza, kreu i grupit parlamentar të PDK-së.