Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja e konsideroi të papërshtatshëm angazhimin e SPAK me detyra administrative, ndërsa qëndrimi i tij shkaktoi debate mes demokratëve dhe socialistëve në Këshillin për Legjislacionin.
Mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin zhvilloi të mërkurën seancë dëgjimore me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca dhe kreun e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Arben Kraja lidhur me amendamentet e Partisë Demokratike për vetingun e politikanëve.
Në seancë mungoi Inspektori i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Kreu i SPAK, Arben Kraja u shpreh kundër propozimeve të PD dhe argumentoi se përfshirja e institucionit që ai drejton në vetingun e politikanëve do të sillte “ngarkesë të jashtëzakonshme pune” dhe “shfokusim nga objekti i punës për hetime penale”.
“E konsideroj të papërshtatshme shtimin e një detyre të tillë administrative,” tha Kraja.
Si shembull, Kraja mori Aktin Normativ të qeverisë për OFL-në, që sipas tij e kishte shfokusuar SPAK-un nga objektivi i vet.
Kraja shtoi gjithashtu se hetimi administrativ i subjekteve, të cilët janë edhe objekt hetimi penal për SPAK mund të krijonte problem me objektivitetin e hetimit.
“Por nëse ju e miratoni, kërkojmë mbështetje për shtesë të stafit,” tha në fund ai.
Deputetët e Partisë Demokratike i bënë pyetje Krajës në lidhje me funksiononet e SPAK-ut, duke i vënë në dukje se kjo strukturë bën aktualisht punë administrative dhe po ashtu bën veting e kontroll të prokurorëve dhe stafeve të punës së Prokurorisë së Përgjithshme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Prisja tjetër përgjigje nga ju,” tha Gazmend Bardhi, duke i kujtuar se objekti kryesor i punës së SPAK është pikërisht hetimi anti-korrupsion për politikanët dhe zyrtarët e lartë. Ai e pyeti Krajën se sa raste hetimi apo përfundime hetimesh kishte SPAK për këtë kategori që nga ngritja e tij.
Kraja u përgjigj se “ka zyrtarë në hetim”, por nuk mund të jepte shifra.
Kraja pranoi gjithashtu se gjatë hetimeve “ekziston fenomeni i lidhjeve të elementeve të krimit të organizuar me nëpunësit publikë”, por ai nuk solli raste konkrete, pasi tha se prokurorët janë të pavarur dhe se ai nuk ishte në dijeni të hetimeve.
“Është procedurë sjelljeje e krimit, siç tenton të korruptojë edhe sistemin e drejtësisë,” tha ai.
Deputeti Enkelejd Alibeaj kërkoi sqarime se pse SPAK e sheh të vështirë realizimin e vetingut të politikanëve. Kraja tha se për të është shqetësim puna administrative që bën institucioni.
“Po kthehemi si strukturë administrative. Po mbingarkohemi me punë të tjera, duke mos u fokusuar tek procesi i ndjekjes penale,” tha ai.
Për Alibeajn, vetingu i politikanëve do të lehtësonte objektin kryesor të punës dhe jo ta pengonte atë. “Kjo do jetë një verifikim për pasurinë dhe lidhjet me krimin për të gjithë subjektet tuaja të hetimit. Ky verifikim do të shërbejë si paradhomë për proces penal, kur ka dyshime për veprimtari penale,” replikoi ai.
Deputetja socialiste, Ermonela Felaj i cilësoi komentet e Alibeajt fyese ndaj kreut të institucionit, por sipas Bardhit, fyese është sjellja e socialistëve si “patronazhistë të kreut të SPAK”.
Ndërkohë, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca tha se nuk dëshironte të jepte opinion për vetingun politik, pasi e shikonte pozicionin e saj në konflikt interesi si objekt i këtij vetingu.
Ballanca solli opinione për amendamentet e tjera që prekin reformën territoriale dhe atë zgjedhore, duke e konsideruar të nevojshme rishikimin e reformës territoriale.
“Pavarësisht qëllimit të mirë me të cilin u bërë reforma territoriale, niveli i shërbimeve ndaj qytetarëve nuk është përmirësuar, por ka pasur përkeqësim,” tha ajo, duke iu referuar ankesave të qyetarëve dhe vëzhgimeve të Avokatit të Popullit për shërbimet e pushtetit lokal. Për reformën zgjedhore ajo u shpreh se publiku kërkon një proces zgjedhor që të mos jetë vetëm konform ligjit, por të jetë edhe legjitim, “të krijojë besueshmërinë e publikut”.
Seanca nisi me gjysmë ore vonesë për shkak të mungesës së kuorumit deri sa erdhi një prej anëtarëve të Këshillit Legjislativ. Në vijim është parashikuar që ky këshill të thërrasë në seancë dëgjimore për opinion edhe drejtues të institucioneve të tjera si; Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi; Prokurorinë e Përgjithshme apo Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.