Lajm8 Jun 2018

Vetingu, KPK gjen probleme në pasurinë e kryetarit të Kushtetueses

Bazuar në relacionin e lexuar në seancën dëgjimore nga trupa e KPK-së, deklarimi i pasurisë nga kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u gjet me disa probleme, si mos-justifikimin i dy huave dhe paqartësi për dy apartamente. Avokati Maks Haxhia kërkoi rikonfirmimin në detyrë dhe i  justifikoi mungesat me infiormalitetin e shqiptarëve emigrantë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

 

Kryetari i Gjykates Kushtetuese Bashkim Dedja, duke hyre ne nje seance te jashtezakonshme parlamentare,| Foto nga : LSA

Ndërsa vlerësoi se kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja kishte kaluar vlerësimin profesional dhe atë të figurës, relatorja e çështjes ndaj tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit Xhensila Pine, tha se hetimi administrativ i kishte gjetur të paqarta dhe të pajustifikuara disa nga pasuritë e gjykatësit. Duke iu referuar huave 10 mijë dhe 15 mijë euro nga kunati dhe vëllai i gjykatësit – të dy emigrantë, Pine tha se hetimi kishte zbuluar se ata nuk i justifikonin me të ardhurat e tyre dhënien e këtyre huave.

Po ashtu KPK tha se gjykatësi kishte bërë deklarime të ndryshme në Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI)  sa i përket një apartamenti të porositur në vitin 1997, ndërsa u hodhën dyshime mbi pronësinë e një apartamenti në zonën e plazhit në Durrës.

Maks Haxhia i cili përfaqësoi kreun e Gjykatës Kushtetuese i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, e mbrojti çështjen duke vënë theksin se shumë prej remitancave nga emigracioni nuk mund të justifikoheshin me dokumente, ai tha se vëllai fermer në një fshat në Dibër kishte pasuri për të blerë apartamentin në plazh, ndërsa theksoi se disa nga paqartësitë justifikoheshin me “lidhjen mes vëllezërve në Shqipëri”

Dosja e kreut të Kushtetueses po shqyrtohet nga trupa gjykuese e KPK e drejtuar nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia me relatore Xhensila Pine. Dedja, i cili drejton prej vitit 2012  Gjykatën Kushtetuese, është gjykatësi i pestë i saj që futet në procesin e rivlerësimit. Deri tani tre gjykatës të Kushtetueses janë rëzuar nga procesi, ndërsa është konfirmuar vetëm gjykatësja Vitore Tusha.

Relatorja e çështjes në këtë rast nuk u shpreh nëse KPK i cilësonte problemet e gjetura si fshehje pasurie apo mosdeklarim, por ajo vuri theksin në faktin se vetë Dedja kishte dhënë deklarime të ndryshme për pronësinë mbi një apartament, ndërsa rezultonte se kontrata e energjisë elektrike në apartamentin në Durrës ishte në emër të tij edhe pse apartamenti ishte blerë nga i vëllai fermer.

Konkretisht sipas KPK-së vëllai dhe kunati që i kishin dhënë Dedjas  hua për të blerë një qapartament 146 metra katrorë në Tiranë, për të cilin ishte deklaruar burim një kredi 120 mijë euro, 35 mijë euro kursime dhe huatë pa interes në vlerën 25 mijë euro, nuk i justifikonin këto shuma me të ardhurat e tyre. Sipas relatores vëllai i gjykatësit në të njëjtën kohë me dhënien e huasë kishte shpenzuar 42 mijë euro për të blerë një apartament të tijin dhe më vonë kishte marrë kredi për veten e tij. Po ashtu relatorja tha se u gjet që  kunati që kishte dhënë 10 mijë euro hua sipas një deklarate noteriale të paraqitur nga Dedja, nuk e justifikonte dot atë më pasurinë e tij, por edhe “nuk kishte qenë në Shqipëri në ditën e lëshimit të kontratës noteriale”. Më vonë tha relatorja Dedja paraqiti një kontratë noteriale të re ku thuhej se huaja ishte dhënë nga babai i kunatit.

Problem me dokumentacionin u gjetën edhe në pronësinë e një apartamenti 98 metra katrorë të deklaruar filimisht në vitin 2003 pranë ILDKPKI në bashkëpronësi 50 për qind me një prej vëllezërve. Relatorja tha se Dedja e kishte deklaruar apartamentin “për llogari të vetingut në pronësi të tij 100 për qind” dhe më pas kishte ndërruar sërish deklarim, duke e bërë mjaft konfuz deklarimin.

Po ashtu relatorja e paraqiti si të dyshimtë faktin që Dedja kishte në emrin e tij kontratën e furnizimit me energji elektrike të një apartamenti në Durrës, që përndryshe rezultonte në pronësi të vëllait. Relatorja tha se vëllai i gjykatësit nuk ishte përfshirë në proces dhe nuk kishte marrë përsipër barrën e provës  dhe se një ekspertizë kontabël sipas të cilës ai kishte të ardhura për të blerë apartamentin nuk ishte e plotë dhe nuk merrte parasysh shpenzimet për të jetuar.

Avokati Maks Haxhia mbrojti gjykatësin duke përmendur “profesionalizmin e treguar gjatë karrierës” dhe po ashtu edhe “pastërtinë e figurës”. Duke mos dhënë detaje për sa i përket problemeve të ngritura nga KPK Haxhia, i cili kërkoi rikonfirmimin e Dedjas, tha në mbrojtje të klientit se një pjesë e mirë e ekonomisë shqiptare ishte e bazuar në remitanca që nuk mund të dokumentoheshin. Duke iu drejtuar specifikisht përfaqësueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Haxhia tha se pas viteve ’90 “emigrantët shqiptarë mbajtën gjallë ekonominë e vendin dhe ndihmuan të afërmit e tyre me remitancat”. Ai po ashtu paraqiti si justifikim që gjatë vitit 1997 shumë dokumente ishin djegur duke e vështirësuar punën për të provuar pasuritë.

Ai tha se lapsusi me apartamentin 98 metra katrorë në Tiranë ishte për shkak të asaj që e quajti “marrëdhënie vëllazërore”.  Haxhia tha se kontrata e energjisë në emër të Dedjas ishte për të ndihmuar vëllain që të mos i duhej të vinte nga Dibra në Durrës për të paguar energjinë çdo muaj. Ai tha se Dedja kishte përdorur apartamentin kur kishte punuar në Durrës, por theksoi se nuk kishte pronësi mbi të. Haxhia po ashtu tha se vëllai fermer i gjykatësit e justifikonte blerjen e apartamentit me pasurinë e tij. “Me 7 mijë metra katrorë tokë, duke u marrë me blektori e bletari ai bashkë me bashkëshorten ka të ardhura 5.1 milion lekë, ndërsa apartamenti ka kushtuar vetëm 1.9 milion”, tha Haxhia, që po ashtu theksoi se shumë  apartamente në atë zonë ishin të pashitura.