Lajm8 Nov 2019

Vetingu nuk gjen probleme për zv.drejtorin e ShÇBA, Adriatik Ago

Numri dy i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Adriatik Ago rezultoi pa probleme të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Zv.drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së, Adriatik Ago pas seancës së vetingut.

Numri dy i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit, Adriatik Ago u përball të premten në seancë dëgjimore me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, KJV. Trupa e vlerësimit përbëhej nga Elvira Daberdaku kryesuese, Ana Kapaj relatore dhe Elida Liko anëtare.

Sipas relatores së çështjes, Ana Kapaj, subjekti i vlerësimit ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit. Ajo shpjegoi se Ago e përfunduar shkollën e policisë në vitin 1981 dhe më pas, në vitin 1990 është diplomuar edhe si jurist. Kapaj renditi gradat që kishte mbajtur Ago në vite, ndërkohë që prej vitit 2004 mban gradën Drejtues. Kapaj u shpreh se Ago i kishte përfituar gradat në përputhje me ligjet përkatëse.

Komisioni nuk identifikoi ndonjë problem lidhur me deklarimin e pasurisë të kryer nga Ago. Kapaj tha se nga hetimi adminitrativ kanë rezultuar të sakta deklarimet për një apartament 62 m2 në Tiranë të privatizuar në vitin 1994 në vlerën rreth 4400 lekë, ku subjekti zotëron 66% të kësaj prone. Dhe për një apartament tjetër në Tiranë, ku Ago ka rezultuar si bashkëpronar me pjesë takuese rreth 1/3, të përfituar nga privatizimi nuk u identifkuan probleme. Të sakta u konstatuan edhe deklarimet për blerjen e një autoveture në shumën 2500 euro; për një depozitë në vlerën 1.5 milionë lekë dhe një llogari rrjedhëse në vlerën 170 mijë lekë. Komisioni konstaton se Ago ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive të tij.

Pjesë e relacionit u bë edhe një apartament 53 m2 i krijuar nga ndërtimi i një shtese në pallatin ekzistues në vitin 1999 e të legalizuar në vitin 2012. Sipas relatores Kapaj, ka pasur një kontratë ndërtimore të përbashkët edhe pse shtesat janë kryer në tokë shtetërore. Gjatë fjalës së tij, Ago shpjegoi se për ndërtimin e shtesës, si ai ashtu edhe banorët e tjerë të pallatit kishin zbatuar gjithë legjislacionin e kohës, duke kërkuar e marrë leje ndërtimi në bashki para se të niseshin punimet. Kapaj tha se në këtë periudhë, Ago ka pasur mundësi financiare të shpenzojë vlerën 800 mijë lekë që është nevojitur për ndërtimin e shtesës.

Adriatik Ago u vlerësua pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. KJV do të shpallë vendimin më datë 13 nëntor, ora 10:00.