Detyra e rëndësishme me të cilën përballet Europa është të pajtojë të drejtën e qytetarëve për të bërë zgjedhje radikale me nevojën për të siguruar që vendimet që çojnë në trazira kushtetuese i nënshtrohen një diskutimi të një publiku të gjerë. BE dhe euro nuk duhet të jenë burgje kushtetuese, as nuk duhet t’u nënshtrohen vendimeve të keqkuptuara
Në Itali ka shpërthyer një krizë e thellë politike që nga refuzimi i presidentit Sergio Mattarella për të emëruar Paolo Savonën, një euroskeptik i deklaruar, si ministër të ekonomisë dhe financave në qeverinë e koalicionit të propozuar nga liderët e Lëvizjes pesë yjet (M5S) dhe Lidhjes, dy anti-sisteme që dolën fitues të zgjedhjeve të përgjithshme të marsit. Savona kishte mbrojtur haptazi përgatitjen e një “plani B” për të dalë nga monedha e vetme dhe Mattarella u shpreh se emërimi i tij mund të kishte çuar pikërisht në atë përfundim.
Vendimi i Mattarellës shkaktoi menjëherë një zemërim. Lideri i M5S Luigi Di Maio bëri thirrje që presidenti të vihej në pikëpyetje, por më vonë ai e tërhoqi këtë kërkesë. Matteo Salvini i Lidhjes bëri thirrje për zgjedhje të reja, të cilat ai tha se do të ishin një referendum mbi lirinë apo skllavërinë e Italisë. Dhe në Francë, Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë, që bëri fushatë për presidencën franceze vitin e kaluar bazuar në një premtim për të hequr dorë nga euroja, denoncoi atë që ajo e quajti një “grusht shteti”.
Kjo nuk është hera e parë që vazhdimi i anëtarësimit në euro është bërë një çështje e rëndësishme politike. Në Greqi në vitin 2015, ajo ishte, të paktën në mënyrë implicite, pjesë e debatit mbi pranimin e kushteve për ndihmë financiare. Në Francë në vitin 2017, Le Pen dhe Emmanuel Macron debatuan në mënyrë eksplicite gjatë fushatës presidenciale. Por kjo është hera e parë që euro ka qenë burimi i drejtpërdrejtë i mosmarrëveshjes ligjore lidhur me emërimin e një qeverie.
Një rritje e papritur e normave të obligacioneve të qeverisë pasqyron ankthin në tregjet financiare. Por, para së gjithash, kriza ngre një çështje interpretimi. A nënkupton vendimi i Mattarella se votuesit nuk mund të vënë në pikëpyetje anëtarësimin në euro? Cili është qëllimi i zgjedhjes demokratike? Këto janë çështje themelore me pasojë të gjerë për të gjithë qytetarët europianë.
Mattarella ishte i qartë në lidhje me motivet e tij. Ai nuk kundërshtoi të drejtën e italianëve për të vënë në pikëpyetje anëtarësimin në euro, por ai argumentoi se kjo kërkonte një debat të hapur, bazuar në analiza serioze dhe të hollësishme, ndërkohë që çështja nuk ishte ngritur në fushatën elektorale. Si kryeministër i emëruar, Giuseppe Conte dhe udhëheqësit e partisë pas tij refuzuan të propozonin ndonjë kandidat tjetër për postin, presidenti arriti në përfundimin se detyra e tij kushtetuese ishte të refuzonte miratimin e emërimit.
Duke vepruar kështu, Mattarella bëri një vijë që ndan zgjedhjet kushtetuese nga zgjedhjet politike. Logjika e tij ishte se zgjedhjet politike mund të bëhen lirishmë nga një qeveri që komandon një shumicë parlamentare dhe se presidenti nuk ka të drejtë të vërë në pikëpyetje zgjedhje të tilla. Zgjedhjet kushtetuese, nga ana tjetër, kërkojnë një lloj tjetër të procedurës së vendimmarrjes – një që siguron që votuesit të informohen në mënyrë adekuate për pasojat e mundshme të vendimit të tyre. Duke qenë se një debat i tillë mungon, mendon Mattarella, detyra e presidentit është të ruajë status quo-në dhe të parandalojë një zgjedhje të rëndësishme që të nxitet nga pritshmëritë vetëpërmbushëse të tregut.
Si parim, ky dallim ka shumë kuptim. Në pothuajse të gjitha demokracitë, kushtetuta mbron të drejtat themelore të njeriut, përcakton natyrën e regjimit politik dhe i cakton përgjegjësitë niveleve të ndryshme të qeverisjes. Këto dispozita nuk mund – për fat të mirë – të ndryshohen me një shumicë të thjeshtë votash në parlament. Kushtetuta mund të ndryshohet, natyrisht, por shpesh vetëm ngadalë dhe gjithmonë vetëm nga një supermaxhorancë ose, në disa vende, nga një referendum. Kjo inerci i jep qytetarëve një garanci se preferencat e tyre të thella do të respektohen.
Kjo ngre dy pyetje. Së pari, cilat janë çështjet vërtet kushtetuese? Në Europë, anëtarësimi në BE është pjesë e ligjit themelor të shumë shteteve. Dalja nuk mund të vendoset nga parlamenti përmes procedurës së zakonshme. Por qëllimi kushtetues është më i gjerë: ligjërisht, të gjitha dispozitat e traktateve të BE-së janë pjesë e saj. Dhe pikërisht këtu fillojnë telashet. Do të ishte padyshim absurde të kundërshtohej një debat politik mbi dispozitat e traktatit të BE-së lidhur me vendet ku kultivohet peshku ose telekomin, apo edhe kuadrin fiskal. Dispozita të tilla duhet t’i përkasin legjislacionit të zakonshëm (përcaktimi më qartë i këtij dallimi ishte një nga qëllimet e traktatit kushtetues të dështuar të vitit 2005). Por, në vend që të sigurojë një përcaktim të saktë, kufiri ligjor midis provizioneve kushtetuese dhe të zakonshme krijon konfuzion politik. Qytetarët mund të falen që nuk kanë një ide të qartë se çfarë i takon secilës kategori.
Së dyti, çfarë lloji procedure vendimi shuhet të zbatohet për zgjedhje vërtet kushtetuese? Neni 50 i Traktatit të Lisbonës, siç e kemi parë, i mundëson BE-së të vendosë se si të menaxhojë vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE-ja. Por shumica e vendeve nuk kanë një nen në kushtetutën e tyre që përcakton se si të vendosin nëse do të përfundojë anëtarësimin në BE apo euro. Kenneth Rogoff i Harvardit e quajti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në një referendum me shumicë të thjeshtë për t’i dhënë fund një partneriteti 55-vjeçar një”ruletë ruse për republikat”, sepse procedura nuk përfshinte kontrollet dhe ekuilibrat që duhet të kishte një vendim i tillë me pasoja.
Për sa kohë anëtarësimi në BE dhe euro komandonte konsensus të gjerë, këto dallime ishin një çështje me interes vetëm për ekspertët ligjorë. Kjo nuk është më kështu dhe debati rreth tyre nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti. Prandaj, është koha për të bërë dallimin mes angazhimeve të vërteta europiane kushtetuese dhe jo kushtetuese, një pjesë eksplicite e rendit politik të vendeve tona.
Vija ndarëse e presidentit italian është e saktë në parim, sepse monedha e përbashkët është një institucion social themelor, për shkak të lidhjeve me vendet partnere që ajo përfshin dhe për shkak të pasojave të mëdha financiare, ekonomike dhe gjeopolitike të një daljeje të mundshme, anëtarësimi në euro duhet të jenë pjesë e fushës kushtetuese. Por qëndrimi i Mattarellës do të ishte pranuar më lehtë nëse do të ishte bërë i qartë më herët. Fakti që vendimi i tij u njoftua vetëm kur mes presidencës dhe udhëheqësve të shumicës parlamentare nisi një konflikt, ka krijuar dyshime rreth legjitimitetit të tij dhe i ka ofruar kundërshtarëve të tij një mundësi për të kërkuar se kishin të drejtë moralisht.
Detyra e rëndësishme me të cilën përballet Europa është të pajtojë të drejtën e qytetarëve për të bërë zgjedhje radikale me nevojën për të siguruar që vendimet që çojnë në trazira kushtetuese i nënshtrohen një diskutimi të një publiku të gjerë të informuar mjaftueshëm që rezulton në një shprehje të qartë dhe të qëndrueshme kohore të vullnetit të popullit. BE-ja dhe euro nuk duhet të jenë burgje kushtetuese, as nuk duhet t’u nënshtrohen vendimeve të keqkuptuara. Vendosja e ekuilibrit të duhur kërkon procedura që komandojnë legjitimitetin e kërkuar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Mattarella’s Line in the Sand.