Lajm21 Apr 2015

Viktima e rrëmbimit në Angli mund të jetë Toni Kurti, thotë policia Britanike (Video)

Zyrtarët e policisë thonë se personi që u filmua nga kamerat e sigurisë duke u rrëmbyer mund ta ketë emrin Toni Kurti dhe se fati i tij për momentin nuk dihet.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Personi me mjekër dhe syze dielli mund të jetë viktima e një rrëmbimi në Britaninë e Madhe. Foto: Policia Britanike

Personi me mjekër dhe syze dielli mund të jetë viktima e një rrëmbimi në Britaninë e Madhe. Foto: Policia Britanike

Policia në Britaninë e Madhe njoftoi sot (21 prill) se një person, rrëmbimi i të cilit në datë 12 prill u filmua nga kamera sigurie në qytetin Brighton, mund të ketë emrin Toni Kurti. Policia e Britanisë së Madhe publikoi gjatë ditëve të fundit komunikata në gjuhën shqipe dhe u përpoq të ndërgjegjësonte komunitetin e shqiptarëve përmes komunikimeve në gjuhën shqipe me shpresë se dikush do të mund të identifikonte viktimën.

Në orën 6 pasditen e të dielës më 12 prill, një burrë u fut me dhunë në një makinë Astra Vauxhall me targë HN05 FPY në Princes Terrace, Brighton, pasi sapo kishte zbritur nga një taksi.

Makina e rrëmbimit u gjet më vonë e braktisur.

Policia nuk ka arritur të identifikojë personin e rrëmbyer, për të cilin dyshohet se është shqiptar nga Shqipëria ose nga Kosova por nga hetimet e shumta të kryera policia ka zbuluar se ai mund të quhet Toni Kurti.

“Disa njerëz kanë sugjeruar se ai mund të jetë një shqiptar i quajtur Toni Kurti, por drejtshkrimi i këtij emri mund të mos jetë i saktë,” tha policia angleze.

Detektivi Karen Mizzi tha: “Një numër njerëzish që e kanë parë videon kanë thënë se besojnë se viktima mund të jetë zoti Kurti, megjithëse emri i tij mund të shkruhet ndryshe ose ai mund të përdorë disa emra.”

Policia thotë se është e shqetësuar për fatin e tij dhe se i lutet çdo personi që mund të ketë informacion mbi të, të kontaktojë urgjentisht autoritetet.

Policia ngriti akuza ndaj dy personave: Gazmend Mula, 29 vjeç, i akuzuar për tentativë rrëmbimi me dhunë dhe bashkëpunim në rrëmbim si dhe për posedim droge me synim tregtimin.

Ilir Hasa, 23 vjeç, akuzohet për tentativë rrëmbim personi dhe bashkëpunim si dhe për posedim armësh në mënyrë të kundraligjshme.  Ata kanë marrë masën e sigurisë arrest me burg dhe pritet të dalin në gjyq më 7 maj.

Policia thotë se është në kërkim të të paktën dy personave të tjerë në lidhje me rrëmbimin.