Reportazh3 Feb 2020

“Viktima të Harruara”: Historia e ekzekutimeve në urën e Bosnjës

Në serinë e parë të “Viktima të Harruara" të BIRN Bosnjës, boshnjakët që i mbijetuan ekzekutimit të të burgosurve në një urë pranë Dobojit të vitin 1992 shprehin zemërim se askush nuk është dënuar ende për këto vrasje.

Autor: Arnes Grbesic BIRN Sarajevë
Printo

Ura ku u ekzekutuan viktimat në qershor 1992. Foto: BIRN.

Safet Salkiç sapo ishte mbushur 27 vjeç kur u mor nga një hangar ushtarak, ku po mbahej afër Dobojit në Bosnjën veriore një natë në qershor 1992. Ai ishte rrahur dhe ai dhe tre burra të tjerë kërkuan të shihnin një doktor.

“Nuk na çuan te doktori. Na morën për të na vrarë”, tha Salkiç.

Ai kujton se ishte i fundit që u nxor nga një furgon i vogël i cili kishte transportuar një grup burrash, të shoqëruar nga ushtarë të armatosur, nga hangari në afërsi të Zeljezni Mostit (Ura prej hekuri), e cila ndodhet mbi lumin Bosna.

Një burrë që ata e thërrisnin Bosko i nxori nga automjeti një nga një. Nuk qemë në gjendje të konfirmonim identitetin e Boskos për këtë artikull apo të siguroheshin të dhëna për atë që i ka ndodhur atij që nga ajo kohë.

“Sa herë që nxirrej një person nga automjeti, dëgjoja një breshërimë të shtënash ose një të shtënë të vetme”, tha Salkiç.

Ai kujton se po binte shi kur ai u afrua tek ura, ku pa oficerë policie me uniforma blu dhe ushtarë me uniformat ngjyrë jeshile dhe gri të Ushtrisë Popullore Jugosllave, si dhe anëtarët e një njësie të quajtur “Beretat e Kuqe”.

“Mes shinave të hekurit të urës kishte një vrimë të madhe, kështu që do të bije menjëherë pasi të të qëllonin. Bosna ishte një lum i madh. Ata më çuan tek ura. Më urdhëruan të shkoja në anën tjetër. Ata thanë se do të më linin gjallë, nëse nga ‘Balijas’ (term nënçmues për trupat boshnjake nga Ushtria Boshnjake të cilët ishin të pozicionuar në anën tjetër të urës)”, shpjegoi Salkiç.

“Nuk e di sa metra eca para se ata të fillonin të qëllonin. U zvarrita deri në anën tjetër të urës. Kur u ngrita në këmbë, një plumb më qëlloi në pjesën e sipërme të veshit të djathtë. U hodha në anën e djathtë. Kur i pashë ata duke ardhur mbi urë me një elektrik dore, u fsheha në bar”, vazhdoi ai.

Ai ishte atje me banorë të tjerë të fshatit Jablanica, afër qytetit Maglaj në veri të Bosnjës, të cilët fillimisht u dërguan në kampet ushtarake të paraburgimit në zonën e Dobojit dhe më pas u vranë në urë.

Nuk janë dhënë ende vendime të formës së prerë në Bosnje dhe Hercegovinë për vrasjet në Zeljezni Most në qershor 1992 të 13 robërve – numri i viktimave për të cilët dëshmitarët thonë se u vranë.

Salkiç tha se ai ishte në “të parin nga tre grupet” e personave që u morën nga hangarët e përdorur më parë nga Ushtria Popullore Jugosllave në Usora pranë Dobojit dhe u çuan për t’u vrarë në Zeljezni Most në periferi të Dobojit.

“Trupat e tre fqinjëve të mi nga grupi i parë nuk janë gjetur ende”, tha Salkiç.

Natën e vrasjeve, ushtarët rrahën të burgosurit nga Jablanica në hangarin ushtarak, ku Bosko ishte shefi, tha Salkiç.

“Bosko hyri në hangar dhe na urdhëroi të rreshtoheshim. Ai nxori jashtë tre burra. Dëgjuam britma, sharje dhe mallkime. Kur u kthyen, ata të tre ishin të mbuluar me gjak. Bosko urdhëroi edhe tre djem të tjerë të dilnin, por më pas ai na nxori jashtë të gjithëve. Ai solli disa anëtarë të ‘Beretave të Kuqe””, kujtoi ai.

“Mua më goditën në kokë me qytë pushke. Na rrahën në mënyrë brutale dhe kishim lëndime të dukshme”, shtoi ai.

Pasi i mbijetoi të shtënave, Salkiç gjeti strehë në një shtëpi në Pridjel, pastaj kaloi lumin Bosna, dhe arriti shëndoshë e mirë në një territor që ishte nën kontrollin boshnjak.

Salkiç, i cili ende jeton në fshatin Jablanica, tha se sot e ka të vështirë të kalojë pranë urës Zeljezni Most.

“Mos e dhëntë Zoti që të kalojë njeri atë që përjetova unë”, tha ai.

Arratisje nëpërmjet lumit

Safet Salkiç, i cili i mbijetoi ekzekutimeve në urë në vitin 1992. Foto: BIRN.

Jasmin Hasaniç, i cili gjithashtu i mbijetoi të shtënave, tha se në ditët e sotme ai shkon në Doboj “vetëm nëse e ka të domosdoshme”.

“Ndihem keq atje. Më vijnë në mendje të gjitha ato imazhe. Trupi i Asim Basiç nga grupi im u gjet në një varr masiv në Sremska Mitrovica në Serbi. Ibrisim Begiç, i cili ishte gjithashtu me mua, u gjet në zonën e Dobojit. U zbulua edhe trupi i Almir Bajriç, i cili ishte në grupin e dytë. Më vonë unë u martova me motrën e tij të vogël”, tha Hasaniç.

Në kohën e ekzekutimit në qershor 1992, ai ishte 21 vjeç.

Forcat serbe kishin pushtuar Dobojin në fillim të majit 1992. Pak kohë më vonë, ata pushtuan edhe fshatrat Pridjel dhe Sevarlije, ku boshnjakët përbënin shumicën.

Hasaniç tha se atë e lanë në hangarin ushtarak se bashku me banorë të tjerë të Jablanicës pasi grupi i parë u mor që aty për t’u pushkatuar. Dy grupet e tjera u morën gjatë dy mbrëmjeve në vijim.

“Ndërsa dilnim nga hangari, duhej të linim dokumentet tona në recepsion. Ndoshta donin të fshihnin provat. Unë kisha vetëm çelësin e shtëpisë me vete. Më thanë ta mbaja”, kujton ai.

“Kur dola furgoni, kuptova se po më çonin drejt lumit Bosna. Më shoqëronte një djalë i ri që erdhi me menaxherin. Ai ishte ndoshta më i ri se unë ose kishim të njëjtën moshë”, vazhdoi ai.

“Arrita t’ia mbathja. Ata po më qëllonin. U hodha në lumin Bosna. Të shtënat vazhduan nga pas. Dola në të njëjtën anë të bregut, pak më poshtë. Më vonë dëgjova dy breshërima të shtënash dhe kuptova se ata vranë edhe dy burrat që kisha lënë pas.”

Hasaniçi ia mbathi dhe mbërriti në një vend të sigurt në territorin e kontrolluar nga boshnjakët.

Prindërit s’e mësuan kurrë se kush i vrau fëmijët e tyre

Fadila Begiç, vëllai i së cilës u vra. Foto: BIRN.

Jablanica është një fshat që ndodhet midis Dobojit dhe Maglajt, rreth 30 kilometra larg nga ura ku u qëlluan të burgosurit.

Të afërmit e viktimave mësuan për vrasjet e tyre nga të mbijetuarit Safet Salkiç dhe Jasmin Hasaniç pasi ata u kthyen në Maglaj.

Fadila Begiç, motra e viktimës Ibrisim Begiç, ishte njëra prej tyre.

“Ai nuk kishte mbushur as 21 vjeç”, tha Begiç.

Ajo kujton se si ajo ndihmoi për të identifikuar vëllain e saj në vitin 2007 pasi eshtrat e tij u zhvarrosën në Podnovlje, e cila është gjithashtu rreth 30 kilometra larg Doboj.

“Eshtrat, për të cilat më thanë se i përkisnin vëllait tonë, u vendosën në një tryezë”, tha ajo.

“Ai kishte të veshura xhinset. Ishte vetëm pjesa e sipërme e pantallonave. Nga pjesa e poshtme i vareshin disa fije. Kishte veshur një pulovër ngjyrë kafe. Pjesa e pasme, mëngët dhe pjesa e përparme e pulovrës nuk ishin të dëmtuara”, shtoi ajo.

Ajo tha se është e hidhëruar sepse askush nuk është gjykuar për vrasjen e vëllait të saj dhe civilëve të tjerë nga Jablanica.

“Pse u vra? U vra pa asnjë arsye. Vetëm sepse emri i tij ishte Ibrisim. Ai nuk ishte një kriminel lufte. Ai nuk vrau njeri. Nuk kishte armë. Lufta këtu nuk kishte filluar tamam kur e kapën atë”, tha Begiç.

Ajo tha se prindërit e tre vëllezërve që u vranë në urë kanë vdekur që nga ajo kohë. “Ata nuk jetuan për të parë se kush i kishte vrarë fëmijët e tyre”, tha ajo.

“Viktimat nuk i bënë keq askujt”

Ekrem Bradariç, babai i të cilit u vra në urë në vitin 1992. Foto: BIRN.

Një çështje që trajtonte vrasjet në urën Zeljezni Most u hap në Prokurorinë e Rrethit në Doboj dhe disa dëshmitarë u morën në pyetje, por më pas çështjen e mori përsipër prokuroria shtetërore.

Kur u pyet për rastin, prokuroria shtetërore tha se “vrasja e civilëve nga Jablanica, afër Maglajt, mbulohet nga çështja kundër Borislav Paravaç dhe të tjerëve, që i referohet ngjarjeve që ndodhën në zonën e Dobojit”.

Borislav Paravac është akuzuar, së bashku me Andrija Bjeloseviç dhe Milan Saviç, për “pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale kundër popullatës civile boshnjake dhe kroate në zonën e Dobojit nga fillimi i majit 1992 deri në fund të 1993”.

Në kohën kur u vranë fshatarët nga Jablanica, Paravaç ishte kryetar i Komitetit të Krizës të udhëhequr nga serbët në komunën e Dobojit. Paravaç, i cili më vonë u bë anëtar i presidencës trepalëshe shtetërore të Bosnjës midis vitit 2003 dhe 2006, tha se ai nuk dëshiron të flasë për incidentin për këtë artikull sepse procedurat kundër tij janë ende në vazhdim e sipër, kështu që nuk ishte në interes të tij ta bënte këtë.

Paravaç ishte një anëtar i presidencës trepalëshe shtetërore të Bosnjës midis vitit 2003 dhe 2006.

I padituri tjetër në këtë rast Bjeloseviç, ish-shefi i Qendrës së Shërbimeve të Sigurisë, një seli policie në Doboj, thotë se ai mori vesh për vrasjet në urën në Doboj në qershor 1992 kur ato ndodhën, sepse ndërtesa e policisë “nuk ishte funksionale as në maj dhe as në qershor”. Ai tha se e kishte marrë vesh për krimin më vonë nga dëshmitarët e prokurorisë.

Aktakuza në këtë rast pretendon se rojet në hangarët ushtarakë pranë Dobojit lejuan anëtarët e “Beretave të Kuqe” të merrnin 12 civilë në periudhën midis 15 dhe 17 qershorit 1992.

Civilët u zhdukën pa gjurmë më pas dhe eshtrat e njëri prej tyre, Almir Bajriç, u zhvarrosën në Podnovlje pas luftës, thotë ajo. Në aktakuzë nuk përmenden emrat e autorëve të dyshuar të drejtpërdrejtë.

Slobodan Karagiç, komandant i një njësie të quajtur “Beretat e Kuqe”, u dënua në korrik 2018 me 12 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile në zonën e Dobojit gjatë vitit 1992.

Megjithatë, në zonën e e Dobojit në maj dhe qershor 1992 operonin dy grupe të quajtur “Beretat e Kuqe”.

Njëra ishte një njësi e Sigurimit të Shtetit të Serbisë që mbërriti në prill 1992 dhe sipas dëshmive të dëshmitarëve para Gjykatës së Hagës dhe gjykatës shtetërore boshnjake, zaptoi ndërtesat më të rëndësishme në qytet, përfshirë Qendrën e Shërbimeve të Sigurisë.

Njësia tjetër ishte një formacion lokal policor i quajtur “Minj – Beretat e Kuqe”, anëtarët e të cilës ishin akredituar në Qendrën e Shërbimeve të Sigurisë në Doboj.

Ndërkohë në kohën e vrasjeve në urën Zeljezni Most, Ushtria Popullore Jugosllave në zonën e Dobojit komandohej nga majori Milovan Stankoviç, i cili tani jeton në Serbi dhe tha se ai nuk është në dijeni të vrasjeve.

“Më besoni, s’kam dëgjuar kurrë për këtë. Thashë se nëse ka ndonjë gjë kundër meje, ajo duhet të kalojë nëpërmjet gjykatës këtu në Serbi. Nuk po i largohem përgjegjësive”, tha Stankoviç.

Aktakuza lundër Borislav Paravaç pretendon se më shumë se 3,000 civilë u ndaluan në hangarët ushtarakë në Doboj dhe komunat përreth në faza të ndryshme. Ata u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe jo-higjienike ndërsa privoheshin nga ushqimi, uji dhe ilaçet, dhe u abuzuan fizikisht dhe mendërisht.

Njëri nga të arrestuarit ishte Salih Bradariç, i cili sipas Safet Salkiç u mor dhe u qëllua në Zeljezni Most, dhe eshtrat e të cilit nuk janë gjetur akoma. Djali i tij, Ekremi, tani jeton në Jablanica, ku tani ka në pronësi një ofiçinë për lyerje makinash.

“Babai im i ndjerë bënte të njëjtën punë në të njëjtat ambiente biznesi. Kur u kthyem në Jablanica pas luftës, nuk gjeta asnjë vegël pune në këtë ofiçinë. Ishin plaçkitur të gjitha”, tha Bradariç.

Ai shprehu pakënaqësi për mungesën e gjykimeve për vrasjet në urën Zeljezni Most:. “Nuk është mirë që askush nuk është përgjigjur për vrasjen e babait tim dhe të fqinjëve të tjerë”, tha ai.

Mujo Begiç, vëllai i Ibrisim Begiç, një tjetër nga viktimat në Zeljezni Most, e dënoi gjithashtu mungesën e drejtësisë për viktimat e këtij ekzekutimi.

“Burrat që u vranë s’i bënë keq askujt”, tha ai. “Ata s’u kapën me pushkë në duar si ushtarë. Ata u morën nga Jablanica si civilë.”

Projekti “Viktima të harruara” mbështetet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe po vihet në zbatim nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, si pjesë e Projektit të tij rajonal për Krime Lufte.