Lajm5 Nov 2019

Viktimat boshnjake të luftës protestojnë kundër Nobelit për Peter Handke

Viktimat e luftës u mblodhën para ambasadës suedeze në Sarajevë për të protestuar kundër vendimit për të nderuar me Çmimin Nobel për letërsi Peter Handken, i cili ka qenë një përkrahës i Sllobodan Millosheviçit.

Autor: Danijel Kovacevic BIRN Banja Luka
Printo

Protestues para ambasadës suedeze në Sarajevë. Foto: N1.

Anëtarë të Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit dhe mbështetës të tyre u mblodhën të martën përpara ambasadës suedeze në Sarajevë për të protestuar kundër vendimit muajin e kaluar për t’i dhënë Çmimin Nobel për letërsi autorit Peter Handke, i cili gjatë kohës së luftës mbajti një qëndrim pro-serb.

Autori austriak Handke ishte një mbështetës i liderit serb të kohës së luftës Sllobodan Milloshevic, i cili vdiq gjatë gjyqit të tij për krime lufte në Hagë, dhe gjithashtu ka shprehur mbështetje në të kaluarën për liderët politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të dy janë gjykuar për krime të mëdha duke përfshirë gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica.

Protestuesit mbanin në duar fotografi të Handke ku ai shfaqej në Srebrenicë verën e vitit 1996 me mesazhin: “T’i japësh një çmim Handkes është njësoj si të nderosh një krim lufte”.

Murat Tahiroviç, kreu i Shoqatës së Dëshmitarëve dhe Viktimave të Gjenocidit, i bëri thirrje Akademisë Suedeze “të tërheq çmimin për herë të parë në histori”.

Shoqata tha se anëtarët e saj do të mblidhen çdo të martë deri më 10 dhjetor, kur Handkes do t’i jepet çmimi.

Protesta u organizua përpara një vizite nga Princesha e Kurorës Victoria e Suedisë dhe Princi Daniel në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Munira Subasiç, presidente e organizatës Nënat e Srebrenicës dhe Enklavës së Zepës, lexoi një letër që ajo i ka shkruar mbretërve suedezë duke sqaruar pse viktimat e luftës kundërshtojnë dhënien e Çmimit Nobel Handkes.

“Çmimi Nobel që Akademia Suedeze i dha këtij njeroi mund t’i jepet gjithashtu Radovan Karaxhiçit, Ratko Mlladiçit dhe Sllobodan Millosheviçit”, tha Subasiç.

Në vitin 1997, Handke shkroi atë që u pa si një libër pro-serb rreth luftërave në Ballkan të titulluar “Një udhëtim nëpër lumenj: Drejtësi për Serbinë” dhe në vitin 2006, kur Sllobodan Millosheviçi vdiq, ai mbajti një fjalim në funeralin e liderit serb në qyteti i tij i lindjes Pozarevac në Serbi.

Akademia Suedeze  eka mbrojtur vendimin e saj polemik për dhënien e çmimit Handkes, të cilin ai këtë vit e ndan me shkrimtaren polake Olga Tokarczuk.

Mats Malm, kreu i Akademisë Suedeze, tha se Handke kishte bërë “komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta”, por nuk kishte lavdëruar dhunën apo kishte mbështetur masakrat e Srebrenicës, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Duke shpallur çmimin, komiteti Nobel tha se për disa dekada, Handke kishte prodhuar “punë me ndikim që me zgjuarsi gjuhësore ka eksploruar periferinë dhe specifikën e përvojës njerëzore”.

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin e ka lavdëruar vendimin për nderimin e Handkes me këtë çmim, duke thënë në një letër urimi për autorin austriak se serbët e shohin atë si “një njeri të madh”.