Edhe kur autorët janë dënuar për krime lufte në Kosovë, gjykatat e vendit nuk u japin asnjëherë kompensim për viktimat, ndërkohë që dëshmitarët e mbrojtur që duhet të mbeten anonimë nuk mund të nisin padi civilë nga frika e ekspozimit të tyre.
Kur Imer Imeri u largua nga Kosova gjatë luftës, ai ishte një refugjat që i largohej luftimeve. Kur ai u rikthye më 16 qershor 1999, Kosova ishte çliruar nga sundimi i Beogradit, por Imeri u kthye në shtëpi si një i burgosur.
Disa ditë pasi ia doli të mbërrinte në Shqipëri në pranverën e vitit 1999 dhe pasi u akomodua në një kamp refugjatësh në Kukës, ai u burgos dhe u rrah nga guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në një qendër sekrete paraburgimi në fshatin Cahan.
“Gjatë kohës që isha në kampin e refugjatëve në Kukës, anëtarët e UÇK-së më thirrën që të shkoja në qendër të qytetit dhe më futën në një burg të improvizuar. Na rrahën dhe na mbajtën në kushte shumë të këqija”, tha për BIRN Imeri, tani 72 vjeç, nga Vojniku, një fshat afër Skënderajt.
“Krimi” i tij ishte mbështetja e tij për rivalët e UÇK-së për pushtetin e pasluftës në Kosovë, Lidhjen pacifiste Demokratike të Kosovës, e cila në atë kohë drejtohej nga Ibrahim Rugova.
Ai dhe të tjerë u mbajtën nga UÇK-ja në malet e veriut të Shqipërisë deri në qershor 1999. Pas përfundimit zyrtarisht të luftës, ai dhe tre të ndaluarit e tjerë u sollën në një ndërtesë në Prizren, Kosovë. Një javë më vonë, ai arriti të arratisej.
Më vonë po atë vit, në nëntor 1999, vëllai i tij Hakiu u vra pasi u mor në mes të ditës nga burra me uniformë të UÇK-së – edhe pse UÇK-ja tashmë ishte shpërbërë zyrtarisht.
Në korrik 2011, një panel gjyqtarësh nga misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, dënoi pesë ish-anëtarë të UÇK-së për keqtrajtimin e të ndaluarve civilë në kampet e paraburgimit të drejtuara nga UÇK-ja në Kukës dhe Cahan në Shqipëri në vitin 1999. Sabit Geci, Riza Alija dhe Xhemshit Krasniqi, Shaban Hoti dhe Haki Rexhepi u shpallën të gjithë fajtorë për krime lufte.
Por, njësoj si në gjyqet e tjera për krime lufte në Kosovë, viktimat nuk u kompensuan.
Imeri tha se që nga koha e luftës, ai ka vuajtur nga probleme të ndryshme mjekësore dhe nga trauma psikologjike. “Kur u dha vendimi, prisja të dëgjoja për kompensim sepse atje pati edhe njerëz që vdiqën, por nuk u bë asgjë”, tha ai, duke iu referuar rastit të Anton Bisakut, i cili u përmend si një nga viktimat e njohura të kampeve sekrete të paraburgimit në raportin e raportuesit të Këshillit të Europës Dick Marty në lidhje me krimet e dyshuara të kryera nga anëtarët e UÇK-së.
Vendimi gjyqësor në çështjen kundër pesë ish-anëtarëve të UÇK-së nuk përfshin ndonjë kompensim për viktimat, edhe pse me ligj, gjykatat e Kosovës duhet t’i udhëzojnë viktimat në gjyqet e krimeve të luftës të kërkojnë kompensim në procedurat civile.
Besnik Ramosaj, drejtor i Departamentit të Statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tha për BIRN se institucioni i tij nuk përpilon statistika për rastet në të cilat gjykatat kanë urdhëruar kompensim.
“Ne gjithashtu nuk kemi ndonjë statistikë në lidhje me numrin e viktimave që mund të jenë kompensuar”, shtoi Ramosaj.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës konfirmoi se janë paguar 140,200 euro kompensim për të pandehurit e liruar nga akuzat, por nuk shpjegoi arsyet e këtyre pagesave. Një investigim i BIRN më herët këtë vit përcaktoi se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë paguar rreth 1,8 milion euro secila për personat e liruar nga akuzat në formë kompensimi për kohën e kaluar në paraburgim dhe shpenzimet ligjore.
Paditë civilë vënë jetë në rrezik
Në vitin 2015, Kosova ngriti Programin e Kompensimit për Viktimat e Krimit, i cili është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe u mundëson viktimave të krimeve të dhunshme të aplikojnë për të marrë kompensime.
Kompensimi nga shteti mund të kërkohet kur viktima nuk është në gjendje të marrë dëmshpërblim nga i pandehuri i dënuar ose burime të tjera, por Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të konfirmonte nëse programi mbulon apo jo viktimat e çështjeve të krimeve të luftës.
Imeri tha se ai as që e dinte që ky program ekzistonte. “Personalisht, do të doja të kërkojë dëmshpërblim dhe besoj se edhe të tjerët e dëshirojnë këtë. Por unë mendoj se kjo duhet të përfshihet në vendimet gjyqësore”, bëri thirrje ai.
Për ata që kanë monitoruar gjyqet e krimeve të luftës në Kosovë, si Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi me qendër në Prishtinë, kuadri aktual ligjor i vendit po dështon me viktimat e krimeve të luftës.
“Kuadri ligjor në Kosovë nuk i ndreq gjërat si duhet. Gjatë monitorimit tonë të gjyqeve për krime lufte, kemi parë se edhe në rastet kur vendimet përfshijnë dënime me burg, dëmshpërblimi i viktimave mbetet një zonë e panjohur”, tha Miftaraj për BIRN.
Instituti i Kosovës për Drejtësi monitoroi gjithashtu Programin e Kompensimit për Viktimat e Krimit dhe zbuloi se nuk kishte aplikime nga viktimat e krimeve të luftës, tha Miftaraj.
Ndërkohë viktima që e kanë mbajtur të fshehtë identitetin e tyre për të qenë të mbrojtur gjatë procedurës penale e kanë të pamundur të kërkojnë kompensim në procedurat civile, sepse nuk ekziston ndonjë mekanizëm ligjor në çështjet civile që i lejon ata të mbajnë të fshehtë identitetet e tyre. Ata duhet të zbulojnë emrat e tyre që të mund të ngrenë një padi civile, gjë e cila mund të vërë seriozisht në rrezik jetët e tyre.
Një tjetër viktimë që dëshmoi në gjyqin e pesë ish-anëtarëve të UÇK-së si dëshmitar i mbrojtur tha për BRN se ai punësoi një avokat, por se nuk mund të ngrinte një padi dhe në të njëjtën kohë të mbante sekret identitetin e tij.
“Që nga viti atëherë (viti 1999) kam pasur probleme me këmbën. Kam menduar se duhet të kërkoj kompensim, por kjo ishte e pamundur”, tha viktima për BIRN në kushte anonimiteti.
Berina Zutiç Raziç, një këshilltare juridike në Sarajevë për TRIAL International, një organizatë që bën fushata kundër pandëshkueshmërisë dhe mbështet viktimat që kërkojnë drejtësi, tha se përjetimi i një tjetër procedure gjyqësore është diçka që ka efekt traumatizues te viktimat.
“Shtetet kanë detyrime ndërkombëtare për të siguruar kompensim për viktimat e krimeve sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Zutiç Raziç për BIRN.
Për të adresuar nevojat e menjëhershme të të mbijetuarve, Zutiç Raziç tha që autoritetet “duhet të njohin vuajtjen e tyre, duke u dhënë atyre statusin zyrtar të të mbijetuarit dhe t’u japin atyre disa të drejta, përfshirë kompensimin monetar”.
“Unë mendoj se miratimi i legjislacionit për një sistem efikas dëmshpërblimi është zgjidhja më e mirë që të mbijetuarit të mund të kenë qasje në të drejtat e tyre”, argumentoi ajo.
Probleme të ngjashme për viktimat e krimeve të luftës mund të shfaqen kur vendimet të jepen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me bazë në Hagë – e ashtuquajtura Gjykatë Speciale, e cila u ngrit për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të kohës së luftës dhe pasluftës.
Statuti i gjykatës speciale dhe ligji që e mundësoi krijimin e saj nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje për viktimat, nëse autorët e dënuar nuk mund të përballojnë kompensimin që urdhërohen të paguajnë nga gjykata.
Imeri argumentoi se ka ardhur koha që Kosova si shtet të marrë masa që të sigurojë më në fund që viktimat të marrin kompensimin që meritojnë.
“Unë mendoj se viktimat si unë nuk mund ta ndjekin dot fizikisht apo financiarisht këtë çështje”, tha ai. “Kjo është arsyeja pse duhet të krijohet një fond shtetëror për këtë lloj njerëzish.”