Nënshkrimi i një marrëveshje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për rifillimin e fluturimeve midis Beogradit dhe Prishtinës nxjerr në pah dobësimin e BE-së si ndërmjetësuese e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi dhe e largon edhe më shumë nga tryeza e bisedimeve një qeveri të mundshme Vetëvendosje-LDK.
E “hëna e kaltër” ishte një ditë plot ngjarje në Kosovë. Pas tre muaj zvarritjesh, Vetëvendosja dërgoi propozimin e saj duke emëruar Albin Kurtin për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës dhe duke nisur kështu një afat të qartë kohor prej 15 ditësh që ‘ta pranojë ose ta lërë’ ofertën për një qeveri të mundshme koalicioni midis Lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK.
Por ndërkohë që të dy partitë e mundshme të koalicionit qeverisës ishin të zëna duke ia hedhur topin para-prapa njëra-tjetrës, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, për muaj të tërë në një gjendje letargjie, papritmas dolën nga gjendja e komës me nënshkrimin e një marrëveshjeje që hap mundësinë e fluturimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, një linjë ajrore e cila ka qenë e pezulluar për më shumë se dy dekada.
Marrëveshja, e bërë midis linjës ajrore gjermane Lufthansa, Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe një delegacioni nga Ministria e Ekonomisë së Serbisë, u nënshkrua në ambasadën amerikane në Berlin. Kjo marrëveshje u mbikëqyr nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili së fundmi është emëruar edhe si “i dërguari special” i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.
Kjo linjë e re fluturimi do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Beogradit dhe Prishtinës, një udhëtim ky i cili, me autobus, zgjat rreth gjashtë orë.
Njoftimi për këtë marrëveshje gjithashtu ka ngritur spekulime në lidhje me fundin e bllokadës nga hapësira ajrore serbe për fluturimet që operojnë për dhe nga Kosova. Aktualisht, fluturimet funksionojnë përmes një korridori ajror me Maqedoninë e Veriut, gjë e cila e zgjat kohën e fluturimit me 15-20 minuta shtesë, duke rritur edhe kostot për linjat ajrore.
Megjithatë, tashmë janë ngritur pyetje në lidhje me faktin se cilat dokumente të Kosovës do të pranohen nga autoritetet në Aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit – karta e identitetit apo pasaporta? – si dhe cila do të jetë qasja ndaj personave që kanë pasaporta të tjera: A do të jenë ata në gjendje të udhëtojnë në Serbi pasi të kenë hyrë fillimisht në Kosovë? Me fjalë të tjera, a do të klasifikohet fluturimi si një shërbim vendas apo ndërkombëtar?
Megjithatë, pa marrë parasysh çështjet teknike që lidhen me lirinë e lëvizjes, arritja e kësaj marrëveshjeje reflekton një zhvendosje të madhe të potencialit nga ana e “ndërmjetësuesve”. Kjo tregon gjithashtu se ndërkohë që taksa 100 përqind e vendosur nga qeveria e Kosovës në nëntorin e vitit 2018 mund të ketë ndalur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel, ajo nuk e ka ndërprerë tërësisht komunikimin midis dy shteteve.
BE-ja në dukje gjithnjë e më e dobët
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur me këmbëngulje se dialogu nuk do të fillojë derisa Prishtina të heq taksën, ndërsa kreu i Zyrës së Serbisë për Kosovën, Marko Djuriç, ka deklaruar të hënën se fluturimet midis Beogradit dhe Prishtinës nuk do të operojnë derisa të hiqet taksa dhe të rifillohet dialogu i Brukselit.
Megjithatë, roli i BE-së në arritjen e një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë tani duket më i dobët se kurrë, ndërsa ndikimi amerikan po rritet.
Kundër një sfondi të një rëndësie të kufizuar gjeopolitike të BE-së përtej një tregu unik, një Komision i sapokrijuar i BE-së si dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, emërimi i Grenell nga presidenti Trump dhe kjo marrëveshje pasuese përcjellin një mesazh të qartë për përfshirjen e SHBA-së në këtë proces.
Duke e ndërmarrë një rrugë që anashkalon BE-në, SHBA-ja ka treguar qartë se dëshiron rezultate dhe i dëshiron ato shpejt.
Ndërkohë që asnjë institucion i BE-së nuk ka reaguar publikisht në lidhje me lajmet për marrëveshjen e djeshme, presidenti Trump, i cili aktualisht në një betejë për shkak të një procesi akuzash dhe polemikash në lidhje me veprimet në Iran, e përshëndeti marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si dhe fuqinë diplomatike të administratës së tij përmes llogarisë së tij në Twitter.
Presidentët ende kryenegociatorët
Me pak informacione të bëra publike në lidhje me mënyrën se si është arritur kjo marrëveshje apo përmbajtja e saj, Instituti Demokratik i Kosovës, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë transparente dhe të përgjegjshme me publikun, me qëllim që të sigurohet besim në procesin e normalizimit.
Duke mos zbuluar detaje të mëtejshme, marrëveshja është përshëndetur nga kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj si dhe presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, të cilët janë të dy të prirur të përforcojnë pozicionin e tyre si kryenegociatorët e një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve.
Gjatë fushatës elektorale Vetëvendosja dhe LDK-ja kane folur për nevojën e rishikimit të rolit të presidentit të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por vonesat për formimin e një qeverie i kanë lënë ata me një tjetër marrëveshje të mbështetur nga Thaçi, Vuçiç dhe amerikanët që do të duhet të përfshihet në rifillimin e negociatave.
Tani i mbetet qeverisë së ardhshme të Kosovës të ndjekë vënien në zbatim të zotimeve të nënshkruara në Berlin.
Ky zhvillim i fundit duhet të shërbejë si një alarm për Vetëvendosjen dhe LDK-në. A janë serioze këto dy parti në zotimet e tyre për të ndryshuar rrjedhën e dialogut? Tani është koha të vendosim rripin e sigurimit dhe të bëhemi pjesë e ekuipazhit, përndryshe ata do të mbesin në klasën ekonomike në fluturimin e parë nga Prishtina për në Beograd.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.