Reportazh11 Aug 2017

Violinisti durrsak mban gjallë traditën e muzikës klasike në vendlindje

Pas katërmbëdhjetë vjetësh tradite të organizimit të bienales së muzikës klasike në Durrës, drejtori artistik i saj Florian Vlashi rikthehet për edicionin e tetë, ku morën pjesë muzikantë shqiptarë dhe të huaj.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Durrës
Printo

Të martën në Durrës, u mbyll edicioni i 8 i bienales “Netët e Muzikës Klasike”, e organizuar nga violinisti Florian Vlashi.

Për tetë ditë me radhë, muzikantë shqiptarë dhe të huaj, i dhuruan emocione artëdashësve, nëpërmjet një serie koncertesh, të mbajtura në salla të ndryshme të qytetit bregdetar.

Në koncertin përmbyllës, të mbajtur në Muzuen Arkeologjik të Durrësit, një grup muzikantësh shqiptarë dhe të huaj – i udhëhequr nga Vlashi, luajtën për herë të parë në Shqipëri, veprën “Kuarteti për fundin e kohëve”  e kompozitorit Olivier Messieaen.

Drejtori artistik i bienales, i cili punon si violinist pranë Orkestrës Simfonike të Galicias në Spanjë, u shpreh se kthehet në qytetin e tij të lindjes, duke besuar në fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit.

“Kthimi në Durrës është kthimi në qytetin tim, aty ku kam lindur, aty ku kam familjen, kam miqtë, kam kujtimet, kam fëmijërinë, por edhe sepse më pëlqen që esenca e muzikës së dhomës është të bësh muzikë me të tjerët. Dhe të bësh muzikë bashkë me miqtë e vjetër, me ata që ke njohur [dhe të rinjtë] është një kombinim shumë i bukur për të bërë muzikë të mirë”, tha për BIRN Florian Vlashi.

“Bienalja në tetë netët e saj ishte si një vepër me tetë kohë, me tetë net. Si një vepër simfonike e madhe, ndërkohë që secila natë kishte tematikën e vet, të lidhur me njëra-tjetrën,” shtoi ai.

Bienalja këtë vit, ashtu si dhe në të shkuarën, ka pasur në fokus talentet e reja muzikore. Njëri prej të rinjve të talentuar durrsak është përzgjedhur për të luajtur në një koncert të muzikës klasike në Spanjë.

Një koncert është mbajtur gjithashtu në Institucionin e Riedukimit të të rinjve në Kavajë, ku Vlashi shprehet se ka përftuar emocione të veçanta.

‘Koncerti që bëmë para disa ditësh në burgun e të rinjve në Kavajë, ka pasur një emocion të jashtëzakonshëm. Dua të them që muzika duhet të shkojë aty ku më shumë është e nevojshme, ose aty ku njerëzit nuk mund të vijnë dot” përfundoi Vlashi.

Audienca nuk i ka kursyer duartrokitjet për muzikantët, ndërkohë që pjesëmarrësit vlerësojnë se organizimi i një ngjarje të tillë muzikore gjatë verës, i shton vlerat sezonit turistik në Durrës.

“Është shumë pozitive për Durrësin që në kulmin e sezonit turistik të kenë një ofertë të tillë kulturore, që përveç të resë që ofron është dhe një cilësi shumë pozitive,” tha për BIRN pedagogu i muzikës në Universitetin e Arteve në Tiranë, Dorian Cene.

“Kjo bienale për kohën që po mbyllet dhe për historinë e saj, është një pikë jashtë mase cilësore. Unë do të thosha një nga kulmet e traditës së vet pasi Flori ka treguar një profil jashtë mase cilësor në organizimin dhe këndvështrimin se ku do të shkojë kjo bienale,” tha për BIRN dirigjenti durrësak Petrika Afezolli.

Bienalja u mbajt nga data 1 deri më 8 gusht dhe organizohet çdo dy vjet në Durrës.