Reportazh27 Sep 2021

Viti i ri shkollor nis me amulli, me orë të kufizuara dhe mësim me turne

Një vendim i vonuar për zbatimin e rregullave të vjetshme kundër COVID-19 ka revoltuar prindërit e nxënësve të arsimit parauniversitar në Tiranë, të cilët ankohen se mësimi i shkurtuar dhe me turne nuk i shërben edukimit të fëmijëve si dhe i pengon ata në punë.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Një grup nxënësish duke u futur në klasë. Foto: LSA

Nisja zyrtare e vitit të ri shkollor në arsimin parauniversitar shkaktoi amulli të hënën në Tiranë. Shkak u bë një vendimi i papritur i shkollave për zhvillimin e mësimit të kufizuar dhe me turne.

Në shkollat e kryeqytetit, ku klasat kalojnë kapacitetin e nxënësve, mësimi do të bëhet me turne, në disa prej tyre edhe me 4 turne. Prindërit janë njoftuar vetëm 3 ditë më parë nga mësuesit kujdestarë nëpërmjet aplikacionit WhatsApp se mësimi do të jetë nën masat anti-COVID.

Ledia Baho, nënë e dy vajzave në arsimin parauniversitar, i tha BIRN se këto masa ishin të pakuptimta dhe penalizuese.

“Vajzën e madhe e kam nxënëse maturante në shkollën Sami Frashëri, por është detyruar ta bëjë shkollën pasdite vonë tek shkolla Çajupi. Si mund të pretendojmë të bëhet mësim në orën 6 me 8 të darkës?” –tha ajo, duke shtuar se dy vitet e zhvilluara në kushtet e pandemisë janë vite të humbura shkolle.

Baho priste vajzën e vogël të dilte nga mësimi i shkurtuar në shkollën “Edith Durham”, ku mësimi këtë vit do të bëhej me 4 turne për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasa.

“Shteti nuk mendon se ne prindërit duhet edhe të punojmë, ndërkohë që duhet të ndjekim fëmijët në shkollë, ku rrinë vetëm 2 orë,” shtoi ajo.

Prej 4 ditësh, një organizim online i prindërve ka arritur të mbledhë rreth 4 mijë firma në një peticion drejtuar ministrisë së Arsimit,  ku kundërshtohen masat anti-COVID. [Kliko për të parë peticionin]

“Mësimi me turne dhe orar të shkurtuar nuk është i përshtatshëm për edukimin e vazhdueshëm. Ndërkohë që në gjithë fushat e tjera jeta vazhdon normalisht, përse duhet të aplikohen masa të shtuara vetëm në shkolla? Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë imunizuar ose vaksinuar,” thuhet në këtë peticion që po shërndahet dhe firmoset online, duke i bërë thirrje ministrisë që të kthejë normalitetin në shkolla.

Prindërit u ankuan gjithashtu se ndjehen të përjashtuar nga vendimet e marra nga shkollat për fëmijët e tyre.

Riviera Dedaj, nënë e tre fëmijëve që ndjekin ciklin 9-vjeçar me turne të ndryshme, i tha BIRN-it se vendimi është marrë pa asnjë konsultim me prindërit dhe pse ekziston struktura e bordit të prindërve. Ajo e cilësoi vitin akademik 2020-2021 një vit të dështuar, “ku fëmijët kanë mbetur me shumë boshllëqe, pa arritur të ezaurojnë plotësisht lëndët mësimore”.

Shpresat se viti i ri do të ishte ndryshe u shuan kur tre ditë më parë, kur “mësuesit njoftuan në grupe “WhatsApp” për oraret e shkurtuara dhe mësimin me dy turne”.

Një nxënëse shoqërohet në shkollë nga nëna e saj. Foto: LSA

“Unë jam kundër orareve të shkurtuara, pasi brenda 25 minutash nuk mund të ezaurohet plotësisht mësimi. Fëmijët hasin shumë vështirësi dhe është e domosdoshme rikthimi në normalitet me orare të plota mësimore. Ky vendim nuk është konsultuar në bordin e prindërve, ishte si rrufe në qiell të hapur,” tha Dedaj për BIRN.

Dhjetëra prindër të tjerë kanë shfrytëzuar platformën Facebook për të shprehur zemërimin e tyre, duke shkruar në profilin e ministres së Arsimit, Evis Kushi. Ata kundërshtojnë vendimin për mësimin e kufizuar duke komentuar në një video-mesazh të ministres me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

“Çfarë urimi po bëni znj.Ministre?! Çfarë viti shkollor është ky, ku femijës në klasë të 3-të i kërkohet të fillojë mësimin në orën 4:20 dhe të mbarojë në orën 18:30,” shkruan një prej prindërve. “Ju lutem shikojeni këtë problem, pasi këto vendime po na shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve,” shton një prind tjetër.

Ndarja e klasave në turne po kryhet në mungesë të një udhëzimi zyrtar të Ministrisë së Arsimit për këtë vit shkollor. BIRN mësoi se ky organizim është marrë bazuar mbi dy udhëzime të mëparshme të  Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që mbajnë datën e një viti më parë dhe i referohen vitit akademik 2021-2022.

Në bazë të këtyre udhëzimeve, organizimi i i mësimdhënies nga klasa 1-12 do të jetë i njëjtë me masat e praktikuara gjatë vitit që shkoi; që bazohet në 3 skenare; mësim në shkollë; mësim i kombinuar (në shtëpi dhe në shkollë); mësim në kushtet e shtëpisë (online). Skenaret do të zbatohen nga shkollat në varësi të infrastrukturës së tyre, duke zbatuar kriterin jo më shumë se 20 nxënës në klasë.

Fëmijët shihen si grupmosha me riskun më të ulët nga COVID-19, por megjithatë duket se ata po zbatojnë edhe masat më të rrepta në kuadër të pandemisë. Përveç mësimit të shkurtuar, që nënkupton se ata nuk kalojnë më shumë se 2 orë në shkollë, masa parashikojnë edhe mbajtjen e maskës dhe distancë fizike me nxënësit e tjerë.

Një punonjës i shkollës u mat temperaturën nxënësve në ditën e parë të shkollës. Foto: LSA

Punonjës të Inspektoriatit Shëndetësor monitorojnë masat anti-COVID në shkollat e Tiranës. Foto: LSA