Reportazh7 Oct 2019

Vjedhjet e pazbuluara të bagëtive krijojnë pasiguri në fshatrat e Lezhës

Banorë të fshatrave të Lezhës ankohen se shtimi i numrit të vjedhjeve të bagëtive i kishte detyruar të bënin roje natën për të ruajtur kasollet, ndërkohë që autorët mbeten më së shumti të pandëshkuar.     

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Fran Gjini (djathtas) dhe kushëriri i tij, të dy të dëmtuar nga vjedhja e bagëtive në fshatin Baqel. Foto: Elvis Hila.

Më 15 korrik, policia e Lezhës arrestoi dy persona për vjedhje të bagëtive në Lezhë dhe Shijak dhe sekuestroi tre lopë të vjedhura në javët e para të korrikut. Gjetja e bagëtive nga policia, para se ato të dërgoheshin te kasapi i rriti shpresat Fran Gjinit nga fshati Baqel i Lezhës.

Ai i tha BIRN se ishte grabitur mbrëmjen e 15 korrikut dhe se në fillim shpresoi se ndër lopët e gjetura atë ditë ishte edhe ajo që ishte marrë prej stallës së tyre.

“U gëzuam fillimisht të them të drejtën (nga lajmi i arrestimit), por kur shkuam për të parë ato lopë që janë gjetur, nuk ishin tonat” thotë Gjini.

Skema e vjedhjes së bagëtive që zbuloi policia, e cila akuzoi të arrestuarit për 7 vjedhje në fshatrat e Lezhës dhe Shijakut, i ngjan metodës së përdorur për vite me rradhë në vjedhjen e makinave, të cilat më pas çmontoheshin në pjesë dhe zhdukeshin. Sipas policisë, kafshët dërgoheshin në kasaphanë dhe prej tyre nuk ngelej  po ashtu asnjë gjurmë.

Statistikat e e Prokurorisë së Lezhës tregojnë se numri i procedimeve për vjedhje banesash ishte rritur me 200 raste më shumë nga viti 2017 në atë 2018. Ndërkohë zbulueshmëria e këtij krimi mbetet e ulët.

Mungesa e ndëshkimit dhe pamundësitë ekonomikë duket se e kanë inkurajuar krimin dhe kanë shtuar pasigurinë. Banorë të fshatrave të Lezhës i thanë BIRN se ishin vjedhur më shumë se njëherë dhe se tani vetë ata po bënin roje natën të frikësuar.

“Jemi shumë të frikësuar dhe çdo natë bëjmë roje me radhë”, i tha BIRN Dile Marku nga fshati Tresh. Fermerë të tjerë thonë se vjedhjet e bagëtive janë rrënuese për ekonomitë e tyre. “Për familjen  time është një humbje e madhe, pasi nuk kemi mundësi financiare që të blejmë tjetër”, tregon Fran Gjini.

Fermerët të pasigurtë

Fshati Baqel në bashkinë e Lezhës. Foto: Ervis Hila.

Banorët në fshatin Tresh kanë filluar të bëjnë roje natën për të mbrojtur pronën e tyre nga hajdutët.  Dile Marku, banore e këtij fshati thotë se janë të frikësuar dhe nuk kanë zgjidhje tjetër për të mbrojtur pronën. “Hajdutët po veprojnë lirisht pa u shqetësuar”, thotë Marku.

Ajo tregoi se prona e saj ishte vjedhur disa herë. I kanë marrë pula dhe bletë. “Kanë hapur rrjetat dhe kanë hyrë më kanë marrë pulat tre herë, për një vit”¸ thotë Dile Marku. Gruaja tregon se hajdutët në një prej vjedhjeve i kishin mbytur qenin duke përdorur sallam të helmuar dhe pas pulave i kanë marrë edhe koshere të bletëve.

Vjedhjet ndërkohë shtojnë problemet ekonomike të banorëve që varen kryesisht prej bagëtive për të siguruar të ardhura.

Fran Gjini dhe e shoqja filluan herët rutinën e punëve mëngjesin e 15 korrikut, por kur gruaja hapi derën e kasolles në fshatin Baqet të Njësisë Administrative të Blinishtit në Lezhë, pa se lopa mungonte.

“Erdhi më sinjalizoi mua dhe më tha na kanë marrë lopën,” kujton Fran Gjini. Burri megjithatë nuk e besoi menjëherë lajmin. Ai ka menduar se kafsha mund të kishte këputur zinxhirin dhe kishte dalë jashtë. Pak minuta më vonë, Gjini takoi djalin e xhaxhait, i cili i tha se edhe atë e kishin vjedhur.

Për fermerët dëshpërimi ishte i madh. “Ne jetojmë me të”, thotë Gjini, familja e të cilit mbahet kryesisht prej punës në fshat.

Por ai nuk është i vetëm. Luigj Koleci, nga fshati Kallmet,  i cili u vodh në dhjetor të vitit 2018, tha se ishte detyruar të marrë borxh për të blerë një lopë tjetër.

“Kam menduar se po e gjejnë, por asgjë nuk u bë dhe pas dy muajsh jam detyruar të marr lekë borxh për të blerë lopën tjetër, e cila kushtoj 1 milion e 200 mijë lekë (120 mijë lekë)”, thotë Koleci, banor i fshatit Kallmet.

Koleci tha se vjedhja  kishte qenë e rëndë për familjen e tij që siguronte me lopën një pjesë të ushqimeve. “S’kemi mundësi finaciare”, tha Koleci.

Vjedhjet mbeten pa autorë

Prokurori i Lezhës, Milan Laska  pranoi në një bisedë për BIRN se vjedhjet në zonë ishin shtuar dhe se zbulimi i tyre ishte i vështirë. “Janë rritur procedimet penale për vepren penale të vjedhjes. Gjatë vitit 2018 kemi patur 200 raste më shumë se në 2017-ën”, tha Laska.

Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare të prokurorisë së Lezhës, vjedhjet zënë numrin më të madh të çështjeve të pezulluara për mungesë autorësh. Nga 409 procedime penale të pezulluara sepse nuk gjendej autori, 73 për qind e tyre, ose gati 300 raste, i përkasën veprës penale të vjedhjes në vitin 2018.

Sipas raportit vjetor të vitit 2018, edhe kur rregjistrohen si procedime, numri i çështjeve që arrihet të çohet në gjyq është i papërfillshëm. Vitin e kaluar nga 273 procedime të rregjistruara për vjedhje, vetëm tetë u dërguan në gjyq me tetë persona të akuzuar. Në fund, 7 persona u dënuan nga gjykata.

Policia e Lezhës nuk pranoi të vinte në dispozicion të dhëna për vjedhjet në bagëti në fshatra, ndërsa tha se ato duheshin kërkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Megjithatë përmes një zëdhënësi tha se ka shtuar patrullimet dhe kishte goditur disa grupe hajdutësh gjatë këtij viti, por pranoi se disa liroheshin për mungesë provash.

Hajdutët “ të varfër dhe përsëritës”

Dile Marku (majtas) dhe e afërmja e saj nga fshati Tresh i Lezhës thanë BIRN se bëjnë roje natën. Foto: Elvis Hila.

Drejtuesi i Prokurorisë, Milan Laska i tha BIRN se autorë të vjedhjeve të kapur ishin kryesisht të rinj të papunë, që ashtu si viktimat jetonin në varfëri. “Pjesën më të madhe të rasteve autoret e këtyre veprave janë individë me probleme të theksuara ekonomike dhe pa arsim”, tha Laska.

Prokurori tha se për një pjesë vjedhja ishte bërë “stil të jetuari”. “Pasi kryejnë dënimin dhe lihen të lirë konstatojmë se ata bëhen sërish përsëritës të së njëjtës vepër penale”, thotë Laska.

Ai nuk beson se vetëm ndëshkimi penal do të zgjidhë situatën. Sipas tij pushteti vendor duhet të krijojë mundësi punësimi për të parandaluar krimin.

“Duhet të merren masa për të parandaluar këtë krim. Organet e pushtetit vendor duhet të krijojnë mundësi punësimi dhe të krijohen programe dhe mundësi për këta përsona”, tha Laska.

I pyetur nga BIRN rreth shqetësimeve në rritje për vjedhjen, kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu foli për nevojën e  politikave të forta për të parandaluar krimin, ndërsa pranoi se ai nxitej nga kushtet sociale dhe ekonomike dhe u ankua se politika nuk e kuptonte këtë.

“Janë kushtet ekonomike-sociale që po nixisin krimin. Është fatkeqësi shumë e madhe që të kuptuarit në nivele politike është shumë i ulët,” tha Ndreu.