Reportazh5 Apr 2021

Vjosa Osmani, e dyta presidente grua e Kosovës

Deputetët e Kosovës votuan për ta bërë 38-vjeçaren Vjosa Osmani presidenten e re të vendit të  dielën në mbrëmje, duke i dhënë fund një ngërçi politik që mund të kishte shkaktuar zgjedhje të parakohshme për herë të dytën këtë vit.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Vjosa Osmani pas zgjedhjes si presidente të dielën. Foto: BIRN/Urim Krasniq

Vjosa Osmani u bë presidentja e pestë e Kosovës, në 13 vjet që kur vendi shpalli pavarësinë e tij nga Serbia, të dielën në mbrëmje kur deputetët në Kuvendin e Kosovës votuan për emërimin e saj si presidente.

Osmani, një avokate 38-vjeçare, gjithashtu u bë gruaja e dytë që mban këtë postë, pas Atifete Jahjagës, e cila ishte presidente nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Zgjedhja e Osmanit i dha fund procesit të krijimit të institucioneve qeverisëse pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, në të cilat u pa një fitore e jashtëzakonshme për partinë Lëvizja Vetëvendosje të Albin Kurtit, e cila fitoi më shumë se 50 për qind të votave dhe ata mbështetën Osmanin për presidencën.

Zgjedhja e saj i dha fund një ngërçi në një seancë parlamentare e cila filloi të shtunën në mbrëmje, por u ndërpre sepse dy përpjekje fillestare për të mbajtur votimin për zgjedhjen e presidentes dështuan sepse nuk kishte kuorum. Nëse ajo nuk do të ishte zgjedhur, Kosova mund të ishte përballur me zgjedhje të parakohshme.

Albert Krasniqi nga Democracy + në Prishtinë tha se vendimi i deputetëve vjen si lehtësim politik.

“Është shmangur një krizë e madhe politike. Moszgjedhja e një presidenti do ta kishte çuar Kosovën në një cikël me shumë të panjohura”, tha Krasniqi për TV Dukagjini të dielën në mbrëmje.

Por Partia Demokratike e Kosovës, PDK, e cila bojkotoi seancën parlamentare, pretendoi se si presidente, Osmani “do t’i shërbejë vetëm Kurtit”.

PDK gjithashtu pretendoi se Vetëvendosja i kishte shkaktuar “dëm të pariparueshëm demokracisë së vendit” duke marrë të tre pozicionet më të rëndësishme të shtetit – presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit – për herë të parë në historinë e Kosovës pas pavarësisë.

Kush është Vjosa Osmani?

Vjosa Osmani, presidentja e re e Kosovës

Avokatja 38-vjeçare e lindur në Mitrovicë, Vjosa Osmani, përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës para se të përfundonte studimet për master dhe doktoraturë në Universitetin Pittsburgh të Pensilvanisë, SHBA. Në janar 2020, Senati i Universitetit të Prishtinës e zgjodhi atë si Asistente për të Drejtën Ndërkombëtare.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u bë gruaja e parë kosovare që zgjidhej si kryetare parlamenti, ndërsa në nëntor ajo u bë ushtruese e detyrës së presidentit kur presidenti Hahim Thaçi u nis për në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës së tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

E zgjedhur katër herë si deputete, në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, Osmani u bë personi më i votuar ndonjëherë me më shumë se 300,000 vota ndërsa kandidoi për deputete si pjesë e listës fituese të kandidatëve të Vetëvendosjes.

Gjatë viteve 2006-2010, Osmani shërbeu si Shefe e Stafit të ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe ishte pjesë e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Ajo ishte pjesë e ekipit të Kosovës që mbrojti shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2009-2010, e cila vendosi që deklarata, e kontestuar nga Serbia, nuk shkel ligjin ndërkombëtar.

Por marrëdhëniet e saj me partinë të cilës i përkiste deri në qershor të vitit 2020 u shoqëruan me ulje dhe ngritje.

Në vitin 2015, Osmani nuk u lejua të kandidonte për postin e Kryesuesit në kongresin e partisë kur ajo synonte të rivalizonte Isa Mustafën në një kohë kur ai ishte kryeministër i Kosovës si pjesë e një koalicioni të diskutueshëm me Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, të udhëhequr nga Hashim Thaçi në atë kohë, një koalicion që Vjosa Osmani nuk e mbështeti kurrë.

Në zgjedhjet e vitit 2017 ajo u bë e dyta më e votuar nga kandidtatë e LDK-së edhe pse u rendit e 81-ta në listë, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të saj të tensionuara me lidershipin e partisë.

Në vitin 2019, nën presionin e publikut, LDK-ja e zgjodhi Osmanin si kandidate për kryeministër, një garë që LDK-ja e humbi përballë Vetëvendosjes së Albin Kurtit me një diferencë të vogël votash.

Në mars të vitit 2020, Osmani u bashkua me Kurtin kundër partisë së saj kur LDK-ja nisi dhe fitoi një mocion mosbesimi kundër qeverisë së Kurtit në mes të pandemisë dhe kur ajo refuzoi të mbështeste një kabinet të drejtuar nga LDK-ja në fillim të qershorit, ajo u shkarkua nga të gjitha postet që mbante në parti.

Muaj më pas, Osmani formoi nismën e saj politike “Guxo”, e cila garoi në koalicion me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Zgjedhja e Osmanit si presidente i hap rrugën Kosovës për adresimin e çështjeve urgjente në rendin e ditës, duke filluar nga pandemia në një kohë kur vendi ka mungesë furnizimesh me vaksina, ndërsa numri i lartë i infektimeve ka përkeqësuar situatën në spitale.

Përveç çështjeve të ngutshme të brendshme, komuniteti ndërkombëtar ka qenë i etur të shohë një farë stabiliteti në institucionin e Kosovës në mënyrë që të adresojë dialogun e vonuar me Serbinë për normalizimin e marrëdhënies midis dy armiqve të vjetër.

“Dialogu me Serbinë është përpara. Dialogu duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë. Paqja mund të arrihet vetëm nëse Serbia kërkon falje për krimet e luftës të kryera në Kosovë”, tha Osmani në fjalimin e saj të parë para deputetëve si presidente të dielën.